Berisha: Kredi 420 mln USD për rrugët rurale
FMN i ndaloi qeverisë borxhin e parashikuar për t'u marrë këtë vit prej 242 milionë euro. Por dje, në qeveri është deklaruar një borxh shtesë prej 420 milionë USD
"Fillon zbatimin e projektit për ndërtimin e 1500 kilometrave rrugë dytësore, me fond 420 milionë dollarë"
Pavarësisht se vetëm një ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar ktheu mbrapsht në buxhetin e vitit 2008 një borxh prej 242 milionë eurosh, kryeministri Berisha ka lajmëruar për një kredi të re gjatë ditës së djeshme, në një shumë prej 420 milionë dollarësh. "Përparësi do t'i jepet rrugëve më të rëndësishme bujqësore dhe turistike. Në rrethet si Korça, qarku i Beratit apo qarqe të tjera, sigurisht, përparësi kanë pasur zonat bujqësore. Në rrethe të tjera, përparësi i është dhënë zonave turistike. Këto të dyja kanë qenë kriteret kryesore të përzgjedhjes së rrugëve që fillojnë dhe deri në fund të qershorit, që të gjitha tenderohen", - tha Berisha. Berisha e konsideroi këtë projekt, një hap të rëndësishëm për transformimin e infrastrukturës rrugore të vendit në një infrastrukturë moderne evropiane. "Me ketë akt, ne bëjmë një hap tjetër shumë të madh drejt Shqipërisë europiane, me një rrjet rrugor modern. Ne nuk ndërtojmë e rindërtojmë vetëm rrjetin e rrugëve kombëtare, por ne ndërtojmë dhe rindërtojmë edhe rrjetin e rrugëve dytësore, pavarësisht se ato shtrohen në zona rurale apo qytete. Në këtë mënyrë, ne i shkëpusim qytetet tona nga pluhuri dhe balta, i japim një nxitje të madhe tregut në zonat rurale, si dhe inkurajojmë turizmin, për të cilin Shqipëria ka shumë nevojë. Nuk ka vend më të pasur në vende turistike se Shqipëria dhe duhet t'u japim mundësi qytetarëve tanë dhe të huaj arrijnë të frekuentojnë të gjitha zonat turistike. Ne duhet t'i japim përparësi të madhe infrastrukturës së zonave turistike dhe bujqësore të vendit",- u shpreh Berisha. Por pavarësisht gjithë këtyre fondeve që nuk dihen se ku do gjenden dhe që sipas llogarive më të fundit i bie që të jenë sa buxheti i investimeve të qeverisë në një vit, sërish, morali i qeverisë mbetet i lartë. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani në këtë projekt që përfshin ndërtimin e rrugëve rurale janë akorduar vetëm 19.3 milionë dollarë. Projekti, që tashmë prej një viti vazhdon të jetë kryefjalë e fjalimeve të herëpashershme, është diskutuar me Bankën Botërore, por asnjë vendim nga ana e këtij institucioni nuk është marrë për disbursimin e fondeve dhe aq më shumë në gjetjen e tyre, në një kohë që qeverisë, në marrëveshjen e djeshme të lidhur me FMN, nuk i lejohet që të marrë më borxh. FMN e ka kufizuar buxhetin e shtetit në një deficit prej 5.2 për qind të PBB, nga 7.9 për qind që kishte llogaritur deri dje qeveria. Pra, qeverisë iu këshillua nga Fondi që të mos fuste vendin më tej në borxhe, pasi pasojat mund të jenë të rënda. Rritja e borxheve me jashtë sjell destabilitet në vend, sipas Fondit, në një kohë që borxhet po përdoren edhe për rritje pagash dhe pensionesh. Por sërish mbetet për t'u sqaruar fakti se këto 420 milionë dollarë borxhe që do merren për këto rrugë, do të jenë pjesë e një viti apo të shumë viteve me radhë, apo do të mbeten një shifër për t'u harruar, siç ishte fondi rekord i investimeve për vitin 2008.