E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një i vdekur dhe rrahje masive

Pas hapjes së Euro 2012, janë shfaqur edhe incidentet e para. Huliganët polakë sulmuan tifozët rusë duke i rrahur me shqelma. Rusët u ballafaquan me pjesëtarë të sigurimit jashtë stadiumit në Wroclaw, para ndeshjes me Poloninë. Kurse, në Ukrainë është gjetur i vdekur një tifoz i Spanjës, i cili tash e një muaj ishte i zhdukur.

Menjëherë në ditën e parë të Euro 2012 janë raportuar incidente mes grupeve të tifozëve të shteteve pjesëmarrëse. Por, për më tepër, në një rast tjetër, një tifoz spanjoll është gjetur i vdekur në rrethana ende të panjohura.

Incidentet e para u shfaqën në Lodz të Polonisë, disa orë para ceremonisë së hapjes së Evropianit. Dhjetëra huliganë polakë sulmuan disa tifozë të Rusisë, të cilët gjendeshin në një lokal.

Dëshmitarët kanë thënë se persona të maskuar kanë sulmuar rusët duke i goditur ata kudo që mundnin dhe me çka do që u vinte në duar. Sulmuesit fillimisht iu vërsulën tifozëve rivalë, të cilët gjendeshin para lokalit, lënduan dy prej tyre, e më pas u hodhën në kërkim të të tjerëve që mundoheshin t’u shmangen.

Të lënduarit i kanë thënë policisë se sulmuesit u janë dukur të rinj dhe se bartnin fanella të skuadrave polake. “I detyruan dy tifozë rusë të shtrihen në tokë dhe pastaj filluan t’i godasin me këmbë. Ishte pamje e tmerrshme. Kam marrë telefonin dhe menjëherë kam thirrur policinë”, tregoi një dëshmitar i incidentit.

Rusët u rrahën me sigurimin

Në një xhirim të publikuar në Youtube, shiheshin një grup i madh i tifozëve rusë duke u rrahur me disa anëtarë të sigurimit, jashtë stadiumit në Wroclaw, ku të premten mbrëma u zhvillua ndeshja e dytë në kuadër të Grupit A, mes Rusisë dhe Republikës Çeke.

Një tifoz spanjoll vritet në Ukrainë

Një tifoz i Spanjës është gjetur i vrarë, gati një muaj pasi ishte shpallur i zhdukur në qytetin e vogël të Makeyevskas në regjionin e Donetskut, kanë njoftuar mediet lokale të shtunën.

Policia ishte në kërkim të një 46-vjeçari, i cili kishte ardhur në rajon për pushime para Euro 2012, kurse stafi në hotelin ku po qëndronte, e paraqiti si të zhdukur. Sipas raportit të policisë, tre persona janë të dyshuar për vrasjen e tij. Kampioni në fuqi, Spanja e ka qendrën në Poloni dhe zhvillon ndeshjen e saj të parë të dielën në Gdansk, kundër Italisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›