E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njazi Jaho: Kërkesa për thirrjen e kuvendit, e nxituar

Presidenti ka vepruar propozimet e presidentit i refuzuan

Gjykata kushtetuese nuk u bllokua


Vonesë e justifikuar


Për konstitucionalistin e njohur, Gjykata Kushtetuese nuk është e bllokuar


Konstitucionalisti i njohur, Njazi Jaho, në një intervistë për gazetën "Shekulli" deklaron se vonesa e kreut të shtetit për dekretimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese është e justifikuar. Sipas zotit Jaho, kërkesa e deputetit të Partisë Demokratike për të thirrur Kuvendin në sesion të jashtëzakonshëm është e nxituar, pasi, sipas tij, puna e kësaj gjykate nuk është e bllokuar.

Deputeti i PD-së, zoti Eduard Halimi, e akuzoi presidentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke mos zgjedhur kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka kërkuar thirrjen në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?


Para se t'i përgjigjem pyetjes suaj, e shikoj të nevojshme të jap disa sqarime ligjore. Si anëtarët e Gjykatës Kushtetuese edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë afate në krye të detyrës, domethënë kanë mandat. Do të ishte mirë që menjëherë sa të mbaronte ky mandat të zëvendësoheshin.


Në fakt, për shumë arsye, kjo nuk ka ndodhur dhe vështirë të ndodhë. Kjo ndoshta është edhe një nga arsyet që për anëtarët e gjykatës kushtetuese edhe kur atyre u mbaron mandati, të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre.


Konkretisht, në Gjykatën Kushtetuese ka ende katër anëtarë që u ka mbaruar mandati dhe presin të zëvendësohen. Ka pasur dhe ka gjithashtu raste që edhe kur presidenti i ka dërguar Kuvendit kandidatin e emëruar dhe pikërisht në kohë, ai nuk është marrë në shqyrtim menjëherë.


Kuvendi nuk e ka dhënë pëlqimin në kohë dhe ka pasur edhe ndonjë rast kur është refuzuar kërkesa e presidentit. Në këto kushte, presidentit i është dashur që t'i paraqesë Kuvendit një kandidat tjetër.


Përveç kësaj, e shikoj të nevojshme që të përmend se në Kushtetutë dhe në ligjin Organik të Gjykatës Kushtetuese nuk ka afate brenda të cilave presidenti duhet t'i dërgojë Kuvendit dekrete për emërimin e anëtarëve të rinj ose të kryetarit të kësaj gjykate.


Natyrisht është e drejtë e gjithsecilit të kritikojë përse vendet vakante që krijohen në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatë të Lartë nuk plotësohen menjëherë. Ndoshta në këtë drejtim në të ardhmen mund të jetë e nevojshme të përcaktohen edhe afate.


Dy ditë më parë, këshilltari i presidentit dha arsyet e vonesës së dekretimit të emrit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e kreut të shtetit. Si do ta vlerësoni rolin e presidentit Topi?


Nëpërmjet deklaratës së këshilltarit të presidentit të Republikës mësuam se Presidenti lidhur me këtë çështje nuk ka qëndruar pasiv. Presidenti ka vepruar për të për emëruar emrin e kryetarit të ri. U ka propozuar tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për kryetar të gjykatës. Ata nuk e kanë pranuar këtë propozim gjë që është e drejtë e tyre. Në këto kushte, nuk mund të thuhet se presidenti nuk ka treguar preokupacion dhe ka shkelur Kushtetutën.


Veç kësaj, duke pasur parasysh faktin se presidenti nuk ka vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë në përzgjedhjen e kryetarit, në këtë këndvështrim mendoj se do të ishte e justifikueshme një farë vonese po të kihet parasysh se kryetari i gjykatës duhet të emërohet nga një anëtar me përvojë, jo vetëm profesionalisht, por edhe nga pikëpamja organizative, në kuptim të neneve 11 dhe 12 të ligjit "Për Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Këto cilësi presidenti duhet t'i vlerësojë, sepse edhe për kryetarin e Gjykatës do të merret pëlqimi i Kuvendit.


A pengohet veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese nga emërimi i kryetarit të ri?


Jam i mendimit se më e ndjeshme për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese është mungesa e një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh sesa fakti i mandatit që i ka mbaruar kryetarit. Nuk di që për shkak të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese që i mbaroi mandati, puna e Gjykatës Kushtetuese të jetë bllokuar.


Nëse do të ndodhte një gjë e tillë të parët që duhet të ngrinin zërin do të ishin vetëm anëtarët e gjykatës ose vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, ashtu siç thuhet dhe siç dihet, Gjykata Kushtetuese ka vepruar pa u penguar deri ditën e fundit.


Sa i përket kërkesës lidhur me këtë çështje, të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme parlamenti, mendoj se kjo kërkesë është disi e nxituar. Jo se këtë nuk e parashikon Kushtetuta, por se një vonesë e tillë në rrethanat e përmendura më lart nuk do të përbënte shkak për thirrjen e jashtëzakonshme të Kuvendit.


Kush ka të drejtë të mbledhë Kuvendin në sesion të jashtëzakonshëm?


Sipas nenit 34 të Kushtetutës, kuvendi mbledh në sesion të jashtëzakonshëm kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve, ndërsa sesioni thirret nga kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar.


Nuk besoj të kërkohet një sesion i tillë, dhe nëse po, çfarë rendi dite do të kishte ky sesion?! Për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm mund të ishte i justifikueshëm të themi në ndonjë çështje tjetër që do të pranohesh si e tillë nga të gjithë.


Mund të kërkohej sesion i jashtëzakonshëm edhe për këtë çështje kur nga vonesa, le të themi, në caktimin e kryetarit të ri në Gjykatën Kushtetuese ishin vërtetuar pasoja të rënda që duheshin parandaluar dhe për këtë do të duhet të ishte dhënë alarmi qysh më parë jo një apo dy ditë para se të mbyllej sesioni parlamentar dhe as një ditë para se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të shkonin me pushime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›