Godo: Kushtetuesja, Presidenti ka të drejtë

"Deklaratat kanë një prapavijë politike. Kushtetuta nuk ka një afat të prerë, mandati i dorëzohet pasardhësit"
Kryetari i Nderit të Partisë Republikane dhe një nga bashkëhartuesit e Kushtetutës shqiptare, Sabri Godo, ka kundërshtuar dje sulmet e fundit që po bëhen nga PD në drejtim të Presidentit Topi, duke i cilësuar ato si me prapavijë politike. Sipas tij, Presidenti Topi ka të drejtë në ato që thotë dhe nuk ka shkelje të Kushtetutës në rastin e Gjykatës.
Zoti Godo, cili është komenti juaj për konfliktin më të fundit midis mazhorancës dhe Presidentit për çështjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese?
Për mua është një konflikt që mund të ishte mënjanuar me vullnetin e dy palëve, me kujdesin e dy palëve, dhe kujdesin e të dy palëve. Por, duket se ka një lloj tendence për t'i ndenjur njëri-tjetrit në pritë dhe kjo krijon probleme të paqena.
Presidenti duhet të kishte ngulur këmbë më tepër, të kishte rrëmbyer më tepër energji, fjala vjen kur iu refuzuan ato vendimet e para, të kishte paraqitur menjëherë të dytat, ose të kishte bërë ndonjë konsultë paraprake me grupet parlamentare në mënyrë që po të ishte e mundur të mënjanonte këto refuzimet.
Si i komentoni deklaratat e bëra dy ditë më parë nga mazhoranca se Presidenti Topi ka shkelur Kushtetutën e vendit?
Për mua nuk mund të përcaktohet si një shkelje e Kushtetutës, se pastaj do të duhej të mendohej për hapin e mëtejshëm, çfarë bëhej me një institucion që shkel Kushtetutën. Më duket se nuk është rasti atje, nuk është se ka një shkelje të hapur të Kushtetutës që zgjatja e afatit të këtyre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ajo është përcaktuar mirë në kompetencat që i jepet Kushtetutës, të drejtën që i njihet, që anëtari do të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësim.
Nuk ka një afat të prerë kushtetues që të thotë se në atë moment ai shkarkohet nga të gjitha detyrat, duhet menjëherë të dorëzojë detyrën. Detyra i dorëzohet atij që vjen më pas. Kjo vlen njëlloj, është për të gjitha institucionet.
A mendoni se kjo përplasje midis dy pushteteve mund të ketë një prapavijë politike?
Po, kjo mund ta ketë një prapavijë politike. Puna është se ishte e mundur që të evitohej, të mos arrihej në këtë gradë dhe t'i nënshtrohej denoncimeve të tilla.
Cila do të ishte zgjidhja, sipas jush, që të mos arrihej në këtë situatë?
E para, për mua duhej të bënte konsultime përpara se të dërgonte zyrtarisht propozimet e tij, ai ka thënë që ka bërë disa konsultime, mund t'i ketë konsultuar me juristë dhe të tjerë, por konsultimi më efektiv do të ishte me grupin parlamentar të palëve, në mënyrë që të bënte një lloj sondazhi, që të shikonte se në çfarë terreni është, sa i sigurt është propozimi që bënte etj.