PS, në zgjedhje me sistem amerikan
Kryesocialisti Rama mblodhi krerët e rinj të rretheve, për t'i sqaruar se si do të organizohen në zgjedhjet vendore
"E dimë kush na i mori pronat. Pronat i mori Argita, i mori Shkëlzeni. Kjo është puna jonë, derë më derë"
TIRANË - Partia Socialiste nis përgatitjet paraprake për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke vendosur në themel të saj zbatimin e skemës së përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pikën kryesore të krijimit të marrëdhënieve midis partisë dhe elektoratit. Ky model, i cili aplikohet në SHBA, ka avantazhet e tij në krijimin e një lidhjes së ngushtë parti-elektorat dhe që njihet ndryshe si takimi derë më derë.
Prezantimi i modelit politik, ku do të fokusohet Partia Socialiste është bërë i ditur ditën e djeshme në mbledhjen e zhvilluar nga kryetari i selisë rozë, Edi Rama, me kryetarët e rinj të rretheve. Për rreth dy orë, lideri i PS u ka rrëfyer zyrtarëve të rinj socialistë se me çfarë skeme do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur se përgjatë gjithë diskutimit, kryesocialisti është fokusuar mbi problemet më të mëdha, të cilat ekzistojnë në vend, ndër më kryesoret çështja e ekonomisë dhe pronës.
Rama ka porositur kryetarët e rretheve që të bëjnë analizën e zonave të tyre elektorale dhe më pas të organizohen të gjithë së bashku për të shkuar derë më derë të elektoratit, për t'iu sqaruar atyre gjendjen aktuale që ndodhet Shqipëria. Lidhur me këtë çështje, kreu i PS u fokusua gjatë fjalës së tij në krizën që ka kapur Shqipërinë për shkak të kokëfortësisë së mazhorancës për të hapur kutitë e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Më tej, ai tha gjithashtu se situata ekonomike në vend është e rënduar, pavarësisht se Qeveria kërkon ta mbulojë këtë gjë përmes shifrave të manipuluara. Sipas tij, me shkurtimet e fundit në buxhet, të cilat nuk janë bërë sipas një analize të caktuar dhe nevojave të njerëzve, vendi shkon gjithnjë e më shumë në krizë.
Një vëmendje të veçantë lideri i socialistëve i kushtoi çështjes së pronës, duke deklaruar se vjedhja e pronës në Shqipëri është bërë gjithnjë e më shumë më e hapur. "Pronat na i morën. E dimë kush na i mori pronat. Pronat i mori Argita, pronat i mori Shkëlzeni. Kjo është puna jonë, derë më derë", mësohet të jetë shprehur brenda mbledhjes me dyer të mbyllura për mediat, Edi Rama.
Ai ka kërkuar më tej që socialistët të përqendrohen sa më shumë në këtë model, të punojnë për të njohur elektoratin me atë që po ndodh realisht në vend dhe të nxirren sa më shumë anëtarë të rinj për t'iu bashkuar kësaj nisme. "Hapni veshët për çdo gjë që dëgjoni, hapni gojën për çdo gjë dhe flisni", porosit kryetarët e rretheve, lideri i PS.