Kujtohen 1600 vlonjatët e dënuar prej diktaturës
"Ata ishin kundër urrejtjes dhe hakmarrjes, deviza e tyre ishte dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë mes shqiptarëve. Ata kaluan ferrin komunist, u vetëmohuan, se Shqipëria nuk ka kuptim dhe kombi nuk ekziston pa Kosovë e Çamëri. Trastat dhe fëmijët në shpinat e grave, nënave dhe motrave, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve. I vranë, i burgosën dhe i fundosën, por ata dolën mbi sipërfaqe, se mbijetesa është virtyt i fisnikërisë", ishte ky lajtmotivi i ekspozitës së çelur dje në Vlorë, kushtuar 1600 vlonjatëve të burgosur e pushkatuar që vuajtën diktaturën komuniste. Në 50 stenda janë vendosur fotot e një pjese të mirë të atyre njerëzve që vuajtën dënime, u pushkatuan apo u burgosën pa arsye. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës, pritet të marrë trajtën e një muzeu për martirët e diktaturës. Në çeljen e kësaj ekspozite nuk kanë munguar as familjarët e tyre. Ekspozita e organizuar nga Shaban Xhyheri dhe Fahri Shaska është vendosur në universitetin "Ismail Qemali" të qytetit të Vlorës.