E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Jo vetëm xhaz" për Irma Picarin

Dje në mbrëmje është mbajtur në Itali një koncert i muzikës xhaz prej pianistes shqiptare Irma Picari. Dashamirësit e kësaj rryme muzikore kanë ndjekur dje takimin e katërt të "Jo vetëm xhaz", në të cilin ka interpretuar edhe artistja nga Shqipëria. Irma Picari, e cila ka studiuar për piano në Tiranë, ka fituar çmimin Kombëtar për Piano në vitet 1974, 1982, 1983, 1986. Pianistja Picari propozon me anë të këtij koncerti një homazh ndaj Keith Jarret, duke përdorur pjesë prej të famshmit "The Kòln Concert", që është edhe një ndër koncertet për piano më të dëgjuar në këto 25 vitet e fundit. Ai është i ndarë në katër pjesë dhe zgjat rreth një orë. Në vitin 1983 Irma mbrojti diplomën në Konservatorin e Tiranës, duke u vlerësuar maksimalisht e për këtë arsye mbajti edhe një koncert nën dirigjimin e Eno Koços. Pianistja shqiptare ka mbajtur një numër të konsiderueshëm koncertesh si soliste, por edhe si shoqëruese. Në vitin 1985 bëhet anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë. Veç karrierës koncertore, Irma Picari vijon edhe aktivitet didaktik dhe studimesh muzikore, gjë që me kohën i fal asaj një stil personal interpretues. Pas ekzekutimit të koncertit për piano me orkestrën e Ravelit në vitin 1990, ajo ka vijuar më tej aktivitetin e saj koncertor në Itali, në Teatrin "Bellini" në Napoli, në Milano në konservatorin "Giuseppe Verdi", në Akademinë e Muzikës në Caserta etj. Ndërkaq, ajo e ka vazhduar aktivitetin didaktik në shkolla të ndryshme në Lombardi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›