Veshjet popullore, varfërohen fondet
Nëse fillimisht, kohët moderne që mbërritën në Shqipëri, u duk sikur e fashitën tradicionalen, nuk u desh shumë kohë që të pohohej e kundërta. Veshjet popullore mbeten një grishje e madhe. Jo vetëm për syrin e të huajve, të cilët pas viteve ‘90 iu "turrën" këtyre pasurive. Në këtë drejtim, fondet e Institutit të Kulturës Popullore (me emërtimet e reja Instituti i Studimeve Antropologjike dhe i Artit) në mënyrë figurative do t‘i ngjanin një bauleje të madhe, të cilën, specialistët e një brezi më parë u kujdesën ta mbushnin me thesare të kulturës popullore. Nga xhubleta, e konsideruar si veshja më e hershme, tek ekzemplarët e rrallë që datojnë një apo dy shekuj më parë te pjesë të vogla veshjesh siç janë xhamadanët, përparëset, brezat e mesit, shamitë e kokës, çorape të qëndisura etj., të kërkuara ndër vite në viset shqiptare, ruhen aty. Janë rreth 17 mijë pjesë veshjesh, një dëshmi autentike e kulturës popullore shqiptare. Sot jo vetëm që janë të mbyllura, por prej kohësh po vuajnë edhe varfërimin. U bënë gati 20 vjet që në këto fonde nuk futet qoftë edhe një pjesë e vetme veshjesh. Pas ‘90, Institutit të Kulturës Popullore i është mohuar një investim financiar i veçantë për blerje që do të pasuronte fondin me modele të larmishme apo me ekzemplarë që mungojnë. Specialistët jo vetëm që nuk shkojnë t‘i kërkojnë në vise të largëta, ku ruhen kryesisht, por nuk mund t‘i blejnë as kur dikush vjen t‘ua ofrojë te dera e institutit (një godinë që vet vuan rëndimin e viteve). Afërdita Onuzi, specialiste e këtij instituti, më parë edhe drejtoreshë, shprehet se një rast i tillë iu ndodhi vetëm pak ditë më parë. Një grua solli një veshje qytetare beratase, që datonte rreth një shekull e gjysmë më parë. "Do të ishte shumë mirë ta bënim pjesë të fondit, por ishte e pamundur. Në raste të tilla u sugjerojmë Muzeun Historik, i cili, edhe pse të kufizuar, ka një fond për blerje. Ky ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i drejtorëve të këtij institucioni", shprehet Onuzi. Arsyeja ka qenë kufizimi i fondeve. Jo vetëm për blerjet, por edhe për ekspeditat që më parë kryheshin për gjurmime në terren. Natyrshëm shtrohet pyetja nëse është e nevojshme që të blihen të tjera veshje? "Ne nuk mund të themi se kemi një fond të varfër, por sigurisht që duhen të blihen të tjera veshje, ashtu si edhe objekte kulturore. Institucione të tilla kanë rregulla që përcaktojnë fondet muzeale të kompletuara. Duhet të ketë 5-7 ekzemplarë të të njëjtit model. Ka raste që ne kemi më shumë se 7, më pak, ka raste që kemi vetëm një model dhe të tjera që nuk ekzistojnë", tregon Onuzi. Sipas saj, ky boshllëk ndikon në dokumentimin dhe studimin për ecurinë, zhvillimin, modën e veshjes shqiptare, si ruhet dhe pasurohet tradita në periudhat e tanishme. Por ndërsa në opinionin e gjerë është krijuar përshtypja se veshjet apo objektet e tjera popullore janë në zhdukje e sipër, Onuzi e kundërshton këtë fakt. Sipas saj, nëpër fshatra, por pa përjashtuar qytetet, vazhdojnë të ruhen veshje. Ka ende në baulet e grave të moshuara, apo në të tjera që i kanë trashëguar. Por në një kohë që Instituti prej një periudhe 20-vjeçare nuk blen dot asgjë, është zhvilluar një aktivitet tregtar privat me këto veshje. Jo vetëm koleksionistë shqiptarë, por edhe njerëz të lidhur me tregtarë të huaj, për një kohë të gjatë kanë blerë veshje dhe objekte kulturore me shumicë me çmime të papërfillshme. "Ka pasur edhe një treg shumice me këto veshje në Pazarin e Krujës, po sot nuk është më", shprehet Onuzi. Sipas saj, një tjetër faktor që i bën të besojnë se ka ende vlera të kulturës materiale në terren, sidomos për veshjet, është përdorimi i vonshëm, deri në vitet ‘70-‘80 i veshjeve popullore veçanërisht në Shqipërinë e Mesme dhe atë Veriore. Një fenomen tjetër që vihet re vitet e fundit ka të bëjë me një riaktivizim për riprodhimin e veshjeve popullore. Për këtë arsye specialistët theksojnë se duhet të ketë dokumentim e më pas studim të zhvillimit të veshjeve popullore të kësaj periudhe. Por nëse më parë veshjet popullore përdoreshin në përdorim të përditshëm, riprodhimet më së shumti kanë lindur për një përdorim në festa familjare e kryesisht dasma. Një pjesë shkon në treg, për turistët e huaj, por edhe për shqiptarë që nuk e blejnë dot një veshje origjinale. Kanë lindur punishte kryesisht në Veriun e Shqipërisë. Sigurisht, që ato sjellin edhe motive të reja në punimin e veshjeve. Edhe pse çdokush që ka shkuar së fundmi në Pazarin e Krujës apo në dyqane suveniresh e bën menjëherë dallimin. Së pari në copat e përdorura e më tej në mënyrën e qëndisjes. "I kemi parë me sy riprodhimin e këtyre veshjeve, po nuk e kemi të dokumentuar për ta bërë pjesë të fondeve, ashtu siç është bërë më parë me zhvillimin e mjeshtërive popullore, kur ekzistonte artistikja "Migjeni". Këtu pasqyrohen shijet, proceset e zhvillimit kulturor dhe kjo përbën dokumentin më autentik", tregon Onuzi. Gjithsesi specialistët i quajnë pjesë e procesit të ruajtjes dhe zhvillimit të traditës këto riprodhime. Në fondet e Institutit ruhen edhe veshje me vlera të rralla siç është xhubleta, me disa variante të saj. Kur e pyet Afërdita Onuzin nëse kjo veshje, nga më të hershmet, mund të riprodhohet edhe sot, përgjigjet: mund të riprodhohet nga gra që e kanë veshur xhubletën, që kanë qëndruar pranë ndonjë gruaje që ka bërë xhubletën, por edhe duke u ndihmuar nga përshkrimet në artikujt tanë. Gjithsesi duhet shumë vullnet".
Fondet etnografike
Fondet etnografike që gëzon sot Instituti i Kulturës Popullore, e kanë zanafillën në vitet ‘48-‘49, kohë kur u krijua edhe sektori i etnografisë. Në fazën e parë është vlerësuar mbledhja e materialeve në terren, ku u nxitua të grumbulloheshin sa më shumë objekte, u bënë regjistrime në gjini të ndryshme folklorike, fotografim, skicim banesash popullore për t‘i trashëguar ndër breza. Mes emrave që kanë dhënë kontribut të madh cilësohet Rrok Zojzi. Faza e dytë vazhdoi me studimet në formë artikujsh dhe faza e tretë, me të cilën vazhdohet edhe aktualisht, janë botimet monografike dhe vëllimet e veshjeve popullore që kurorëzojnë një punë mbledhëse dhe studimore.
Ekspeditat
Të gjitha objektet e mbledhura, materialet audio-vizuale dhe folklorike që gjenden në fondin e Institutit të Kulturës Popullore, janë rezultat i ekspeditave të bëra nga punonjësit e parë të këtij instituti. Duke i parë në vendin "ku jetonin" dhe duke mbledhur materialet e nevojshme, u arrit që të studioheshin karakteristikat e çdo zone në Shqipëri. Sot është e vështirë që objekte apo dukuri folklorike (këngët e vajit, gëzimit, ninullat, gjëegjëzat etj.) t‘i gjesh të pastra, përveçse faktit madhor që mungojnë financimet për ekspedita të tilla.
Albumet
Me veshjet popullore që ruhen në fonde, specialistët kanë realizuar disa vëllime albumesh. Nuk janë vetëm fotografim veshjesh, por edhe një vendosje në kontekstin kulturor të kohës që datojnë. Vajza apo djem që i mbajnë veshur, pozojnë para shtëpive karakteristike apo kullave të Veriut, sipas krahinës së cilës i përket veshja. Deri më tani janë botuar tri vëllime të tilla, ndërsa puna për të katërtin ka mbaruar dhe pritet vetëm botimi. Qytetet e përfshira në vëllimin e parë janë Saranda, Gjirokastra, Vlora, Tepelena, Lushnja, Fieri dhe Berati, në të dytin veshjet e krahinave të Korçës, Kolonjës, Gramshit, Skraparit, Pogradecit dhe Librazhdit dhe në të tretin, veshjet popullore të Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit dhe Dibrës. Ndërsa për vëllimin që pritet të botohet, që është ai i katërti, janë qytetet e tjera si: Lezha, Mirdita, Shkodra, Malësia e Madhe, Puka, Tropoja dhe Kukësi. Në plane është një vëllim i pestë, që do t‘u kushtohet veshjeve popullore të Kosovës, për të cilat prej pak kohësh ka nisur edhe realizimi.