E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një përvjetor për regjisorin e parë të Estradës

Miq dhe kolegë janë bashkuar në një ceremoni festive për t‘i uruar 75-vjetorin e lindjes regjisorit Thoma Milaj. Në këtë ditë janë sjellë në kujtesë mbi 30 vjet punë të artistit. "Kjo ditëlindje, e festuar së bashku, ishte një dhuratë e bukur për njeriun që i dha fytyrë e emër trupës së Estradës Profesioniste të Sarandës", shprehet drejtoresha e Qendrës Kulturore të Sarandës, Pasionare Nika. Thoma Milaj prej 18 vjetësh nuk është i angazhuar më artistikisht. Ai jeton në Korfuz, por shpirti i artistit nuk e lë të ndahet nga brigjet e dashura që gjenden përballë ishullit helen, nga qyteti, njerëzit dhe bashkëpunëtorët e nxënësit e tij të përhershëm, që vazhdojnë rrugën e tij në Qendrën Kulturore të Sarandës. Regjisori i parë i Estradës së Sarandës prej vitit 1964 është kthyer në familjen e tij artistike si 30 vite me radhë. Humoristi Haki Spaho, aktorja dhe këngëtarja Pranvera Brinja, regjisori Vangjel Agora etj., ata që vazhdojnë ta mbajnë më këmbë trupën e estradës së Sarandës, kanë sjellë në kujtesë e kanë riprodhuar situata nga puna krijuese e trupës, nga suksesi i saj në turnetë në qytete të ndryshme.

Vazhduesit e rrugës së Thoma Milajt nuk kanë lënë pa vënë në dukje se trilli dhe talenti i tij artistik, në kushtet e një mbështetjeje modeste nga shteti i atëhershëm dhe nën trysninë e kritereve të partishmërisë, ia kanë dalë të japin spektakle dhe personazhe, të cilat nuk i ka zbehur as kalimi i 45 viteve me radhë. Kujtohet suksesi i premierave "Alarm në postkomandë", "Flokë bore në prill", e vodëvilë të tjerë, që i dhanë prestigj dhe emër estradës së Sarandës në vite.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›