Një 16- vjeçar i shkruan Berishës: Nuk e konceptoj politikën pa ju, jeni idhulli im
Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer pasionit të tij, postimeve në Facebook, duke sjellë një mesazh që një adoleshent i ka dërguar.
Bie në sy që një djalë 16 vjeç është kaq i dhënë pas Berishës, sa e quan të pakuptimtë politikën pa praninë e tij.
Më poshtë është postimi i Berishës:
Të dashur miq, ky është komenti i Gentjanit, një 16- vjeçari, i cili e ka postuar atë në statusin tim të fundit. Më emocionoi në mënyrë të veçantë, ndaj dhe dëshiroj ta ndaj atë me ju dhe ti plotësoj atij dëshirën për ta vendosur mesazhin e tij si status timin:
Përshëndetje zoti kryeministër. Unë që po ju shkruaj jam Gentjan Kërçiku, 16 vjeç. Kam filluar ta ndjek politikën që në vitin 2008 kur ju ishit kryeministër në mandatin e parë, që të themi të drejtën rezultoi shumë i suksesshëm. Kam qenë pjesëmarrës aktiv në fushatën e PD në 2009, në 2011 dhe në 2013 në Komunën e Farkës përkrah Fatbardh Plakut. Përfshirja ime në fushata ishte vetëm një mënyrë e të shprehurit MBESHTETJEN E FUQISHME që kisha për ty si politikan dhe njëherësh si kryeministër. U lidha shumë me politikën që i vogël, por në të vërtetë isha i lidhur shumë me politikën që ju bënit zoti kryeministër. E kam ndjekur hap pas hapi politikën deri më sot. Madje më lejoni tju tregoj diçka të bukur në lidhje me këtë.
Kur kishte mbledhje të KM, mbledhje të grupit parlamentar të PD ose mbledhje të parlamentit, mezi prisja të mbaronte mësimi që ti ndiqja ato live, madje disa herë i kam ndjekur edhe në shkollë live nëpërmjet androidit tim. Isha i lidhur shumë me politikën. Madje ata që më njohin, më thonin o i fiksuar pas politikës, sepse nuk ishte normale që një djalë në moshën time të ndiqte politikën me aq pasion. Shikoja çdo natë emisione që trajtonin debate politike, sidomos emisionin e Blendi Fevziut OPINION. Ndiqja me shumë pasion edhe drejtimin që ju i bënit qeverisë shqiptare dhe të admiroja. Ishit idhulli im me plot gojën. Ju ishit arsyeja se pse e ndiqja aq fuqishëm politikën, sepse admiroja karrierën tuaj, admiroja karakterin tënd, personalitetin tënd, por edhe natyrën e humorit që ju karakterizon. E mendoja që një ditë do të isha edhe unë atje në gjirin e PD në krahun tuaj. Unë vlerësoj jashtë mase shumë punën që ju keni bërë si kryeministër i këtij vendi sepse ju e keni bërë të prekshme këtë punë të palodhur të juajën.
Unë e pranova rezultatin e këtyre zgjedhjeve ashtu si edhe ju, por atë që nuk mundem ta pranoj është dorëheqja nga kryetar i PD. Jam ende i mërzitur nga ky vendim i juaji, sepse unë në të vërtetë nuk i konceptoj dot mbledhjet e KM pa ju, nuk e konceptoj dot parlamentin pa praninë tënde, pa humorin tuaj.
Tani nuk e di me nëse dua të vazhdoj të merrem me politikë sepse pa praninë tënde politika më duket e varfër. Por një gjë dua të të them se ju zoti SALI BERISHA keni qenë, jeni edhe do të jeni kryeministri i Shqipërisë si dhe lider i PD… Tani JU JENI LIDERI ME HISTORIK I SHQIPERISE. Ju uroj shëndet në radhë të parë juve dhe zonjës suaj. Ju uroj gjithë të mirat ju dhe familjes tënde.