E Diel, 1 Nëntor 2026

Një 9-vjeçar me grip derri në spitalin e Gjirokastrës

 

GJIROKASTER - Një 9-vjeçar nga Delvina rezulton i prekur nga virusi i gripit të derrit. Përgjigjja e analizave të dërguara në Tiranë, ka vënë në alarm stafin mjekësor infeksionist të spitalit rajonal të Gjirokastrës, ku ishte shtruar fëmija. Ata kanë vendosur menjëherë në karantinë fëmijën, banor i një fshati të Delvinës. Fëmija është shtruar në spital mbrëmjen e së mërkurës, në pritje për të mësuar nëse ishte i infektuar me virusin e rrezikshëm. Sipas mjekëve infeksionistë të spitalit rajonal “Omer Nishani”, fëmija është vendosur në karantinë dhe vizitat e mjekëve tek dhoma ku qëndron ai, kryhen nën kujdes të plotë me maska dhe mjete mbrojtëse. Fëmija është shoqëruar nga prindërit e tij në spitalin e Gjirokastrës, të cilët nuk dihet nëse janë të infektuar apo jo. Burimet spitalore pohojnë se analizat e familjarëve të 9-vjeçarit janë dërguar në Tiranë për t’u identifikuar nëse ndodhen në fazën e parë të infektimit apo jo. Gjendja shëndetësore e fëmijës së shtruar paraqitet normale. “Fëmija aktualisht ka temperaturë konstante trupore, me rrufë dhe dobësi trupore”, pohon një infermiere e pavijonit të infektivit. Deri më tani sëmundja nuk ka përparuar, ndërkohë që nuk janë konstatuar probleme në aparatin respirator, e cila është faza më kritike e agravimit të sëmundjes. Rasti i djeshëm shënon të tretin gjatë 4 muajve të fundit. Në fund të gushtit, u konstatohen me vonesë dy raste me sëmundjen AH1N1 në Gjirokastër tek dy pacientë, të cilët qëndruan në karantinë për shtatë ditë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.          p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›