E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Ali Baba “italian” për fëmijët e Tiranës



Petrika GROSI
Një Ali Baba nga Italia vjen fundjavën për fëmijët dhe të rinjtë e metropolit shqiptar. Premiera do të ngjitet të shtunën në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve në Tiranë. Kukullat e shfaqjes janë realizuar nga Lucrezia Tritone, ndërsa regjia nga Paolo Comentale, bazohet mbi variantin e mjeshtrit gjenovez Emanuele Luzzati. Kjo është hera e dytë për regjisorin italian, i cili vjen të bashkëpunojë me teatrin shqiptar. Pas “Kësulkuqes” që u realizua vitin e kaluar, regjisori Paolo Komentale ka propozuar pjesën që flet për historinë e Ali Babait dhe dyzetë hajdutëve.
E gjithë puna për realizimin e kësaj pjese u besohet të njëjtëve aktorë të vitit të kaluar. Tashmë provat për shfaqjen kanë nisur. Aktorët Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari dhe Jorida Meta prej mëse një jave përgatiten intesivisht nën drejtimin e regjisorit Komentale, i njohur në Itali dhe më gjerë, si dhe vlerësuar me çmime për regjinë e arrirë në pjesë të ndryshme. Perralla “Ali Baba dhe hajdutët” vjen në skenë e kompozuar me tekst të pakët e të përshtatur nga regjisori. Pjesa do të jetë e mbushur plot detaje dhe veprime, që do ta befasojnë dhe argëtojnë spektatorin.
Kukullat e Ali Babës do të jenë një pjesë stili buratin, karakteristike e Commedia del’Arte, kurse pjesa tjetër, kukulla në tavolinë ku mekanizmi i qafës ndihmon aktorin që të mbajë jo vetëm kukullën, por edhe të lëvizë kokën e saj. Siç shprehen organizatorët për mediet, një nga risitë e kësaj shfaqjeje është fakti që kësaj radhe aktorët jo vetëm lëvizin kukullat, por kanë edhe kostumet e tyre që i ndërrojnë në personazhe më vete. Sa i takon komponentëve të tjerë të shfaqjes, muzika dhe ndriçimi përbëjnë sërish risi, të cilat do të zbulohen vetëm pasditen e premierës në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve në Tiranë. Shfaqja “Ali Baba dhe hajdutët” vjen si një projekt italo-shqiptar, i shoqatës së Teatrit për Fëmijë dhe për të Rinj ASSITEJ. Historia e kësaj pjese bën fjalë për Ali Babën, një fëmijë që jeton në botën fantastike të personazheve të mirë dhe të këqij, si në përralla, ashtu dhe në jetën reale. Ai është fëmijë i shkathët dhe i pëlqen të luajë në natyrë. Papritur shikon përmes fletëve të pemës hajdutin Mustafa dhe shokët e tij. Ai dëgjon fjalët magjike që bëjnë të hapet shpella e thesarit dhe i përdor ato më pas për të marrë pasurinë e hajdutëve dhe për t’ua shpërndarë njerëzve të varfër. Pas pak kohësh Mustafai e zbulon se dikush po vidhte thesarin e grumbulluar nga ai dhe banda e hajdutëve dhe i vendosur për ta ndëshkuar fajtorin vihet në kërkim të Ali Babës. Do të jetë zgjuarsia e heroit tonë, e cila do të bëjë që hajdutët të dështojnë në planin e tyre për hakmarrje.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›