E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia dhe shtetet e Beneluksit njohën pasaportat e Kosovës



Norvegjia dhe shtetet e Beneluksit i bashkohen listës së vendeve që kanë njohur pasaportat e Kosovës. Qeveria Norvegjeze në njoftimin dërguar Qeverisë së Kosovës, bëri të ditur se ky shtet njeh pasaportën e Republikës së Kosovës. Në njoftimin për shtyp të ministrisë së punës së Brendshme të Kosovës thuhet se qeveria norvegjeze do të vendosë edhe viza për qytetarët e Kosovës.
Nga sot shtetet e Beneluksit njohin pasaportën e Kosovës
Edhe shtetet e Beneluksit: Belgjika, Mbretëria e Holandës dhe Principata e Luksemburgut kanë pranuar pasaportat e Republikës së Kosovës. Në një njoftim të dërguar nga zyra e Belgjikës në adresë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se “Qytetarët do të mund të marrin viza për Belgjikë e Luksemburg, ndërsa për Holandën vizat tani për tani do të mund të merren në ambasadën e këtij shteti në Shkup”. Zyra e Belgjikës në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kanë rënë dakord që zyrtarët të cilët udhëtojnë në Bruksel me pasaporta diplomatike, për qëllime biznesi ose me ftesë të institucioneve të Bashkimit Europian apo të NATO-s, të pajisen me viza me procedura të shpejtuara.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›