Një Asamble “jeshile” Gjithsesi, ndonjë fërkim edhe pati në lidhje me ndarjen e fitimeve të FSHF-së. Batutat e humori nuk mungouan

Një Asamble e lyrshme. Pa kartonë të kuq (kundër) e të verdhë (abstenime). Vetëm me jeshilë (pro). Kjo ishte panorama e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Federatës Shqiptarë të Futbollit të zhvilluar në ambientet luksoze të “Pallatit të Kongreseve” (në pjesën e parë të saj edhe në praninë e Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini). I ftuari tjetër i veçantë ishte presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokri e dy ndihmësit e tij.
Zyrtarët më të lartë të FSHF-së (përfshirë presidentin Duka) dhe përfaqësuesit e 54 klubeve të gjitha niveleve të futbollit shqiptar (presidentë, donatorë, sekretarë klubesh, shefa zonash) ishin shumë miqësorë me njëri-tjetrin dhe shumë larg atyre “incidenteve” (apo keqpritjet ndaj ekipeve mike), që mediat raportojnë në prag, gjatë apo pas ndeshjeve.
Për hir të së vërtetës FSHF-ja është dalluar për organizim model të aktiviteteve të saj (kur në të është e pranishme edhe media), por kësaj radhe kishte edhe një argument më shumë. Prania e Platinisë ishte një bonus i madh për futbollin shqiptar. Hyrja e kontrolluar rreptësisht nga punonjësit e sigurisë, por për të zbukuruar atmosferën edhe katër vajza yje, “njëra më e bukur se tjetra”.
Për secilin delegat nga një çantë e personalizuar me logon e sloganin e FSHF-së: “Mbaje topin pranë zemrës”. Gjithsesi, ndonjë pakënaqësi të vogël edhe pati. “Edhe këtu, - tha një përfaqësues i klubeve inferiore, - bëjnë dallime. Shiko, për delegatët nga Kategoria Superiore kanë vendosur edhe ujë të gazuar edhe ujë pa gaz, kurse për ne, të Kategorisë së Parë e të Dytë, vetëm ujë pa gaz. Të njëjtën kuotë anëtarësimi paguajmë dhe ne. S’ka kuptim ky diferencim”.
Gjithsesi, ndonjë fërkim edhe pati në lidhje me ndarjen e fitimeve të FSHF-së. Kësaj radhe nga njëshi i Dinamos, Besnik Sulaj, i cili edhe pse erdhi me vonesë (pas ikjes së Platinisë) u largua në mënyrë edhe demonstrative, duke lëshuar edhe ai batutën e tij, pas një replike në distancë me përfaqësuesin e Memaliajt, të Kategorisë së Dytë. “Me kë diskutoj dhe unë, me një klub që paguan vetëm 30 mijë lekë (të reja) një lojtar, kur unë paguaj për më pak të paguarin nga 1 milion lekë (të rinj)”.
Pushimi i parë i Asamblesë me pije jo alkoolike, fanta, pepsi, amareta. Rezultati gjatë punimeve të saj. Ngritje duarsh, miratim unanim. Ndonjë vërejtje e vogël e “Dajës” (Miço Papadhopullit) president nderi i FSHF-së. “ǒpunë i prish Armandos po të jem edhe unë në krah të tij në Komitetin Ekzekutiv?”. Duka: “Ne jemi dy të vetmit president, të tjerët kanë vdekur. Por, kush të duron ty edhe për 40 vjet” (Miço është 76 vjeç, tani). Sekretari i FSHF-së, Bici: “Tani i japim fund Asamblesë, për çdo debat tjetër konstruktiv i vazhdojmë në sallën tjetër”. Verë e bardhë, e kuqe, birra. Sallatra, sallameri, ëmbëlsira. Një katering për t’u pasur zili. “Hajt, shifemi pas një viti”.
Batutat
Në mbledhjet e Asambletë e FSHF-së ato nuk kanë munguar kurrë. Qoftë edhe kur situata kanë qenë të tensionuara. Tradicionalisht më hokatari ka qenë bosi i Besës, Nexhat Bizhdili.
Përfaqësuesi i Burrelit: “Zoti president, kam një shqetësim. Vendimet e Komitetit Ekzekutiv nuk na vinë në klub”
Duka: “Si është e mundur. Ato ne i publikojmë në faqen e internetit, ua përcjellim medieve, të gjithëve”
Përfaqësuesi i Burrelit: “Ne nuk na vinë me shkresë të protokolluar”
Duka, sekretarit të FSHF-së, Bici: “Ma shpjego, si qëndron puna”
Bici-Dukës: “Hë, më.. hë..etj.”
Kokona (zëdhënësi i shtypit): “President, po ato i publikojmë në faqen e internetit”
Përfaqësuesi i Burrelit: “Ne i duam me shkresë”
Xhat Bizhdili (presidenti i Besës): “Edhe ne nuk na vinë”
Duka: “Si as me faks, apo me e-mail?”
Bizhdili: “Po kemi drita ne?”.
Të qeshura nga të gjithë: “Ha, ha, ha”
Arben Laze (presidenti i Elbasanit): “Në Asamblenë e para dy viteve na thatë se do ta na jepnit nga një kompjuter për çdo klub, por asgjë”.
Duka: “Vërejtja qëndron”
Bizhdili, Genc Tomorit të Partizanit: “Ky (Duka) është mjeshtër mor vëlla, ta fut topin mes shalësh”
Vazhdon procedura për miratimin e dy anëtarëve të rinj në FSHF, Adriatikut të Mamurrasit dhe Luzi 2008 të Luzit të Vogël. Votim unanim dhe prezantimi i flamujve të secilit ekip. “Kuqezi” ai i Adriatikut. Radha e flamurit të Luzit
Bizhdili: “Ky i flamuri i Luzit si i LSI-së, mo president (Duka). Po nuk e ndryshove, - iu drejtuar presidenti i Besës, atij të Luzit 2008, mbete përjetë në Kategorinë e Dytë”.
Duka: “Si ta bëj mo Xhat, blu apo të kuq?”
E Merkure, 12 Nentor 2008