Duka: “I falemi të vetmit Zot, futbollit” Të ardhurat e FSHF-se nga e drejta televizive jashtë Shqipërisë kanë arritur në 3.2 milionë, sponsorizimet në 1 milionë euro

Falje borxhesh qindramilionëshe. 1.5 milionë euro investim Gjashtë stadiume me ndriçim për vitin e ardhshëm. 3.4 milionë euro investime për 12 fusha stërvitje me bar artificial. 3.2 milionë euro të ardhura nga e drejta televizive. Pesë fusha stadiumesh në përfundim e sipër. Këto janë arritjet dhe projektet ambicioze të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe sfida individuale e presidentit të saj, Armand Duka.
BIBLA - “Mbaje topin pranë zemrës”. Slogani i gjetur i FSHF-së ka reflektuar vlerat e tij. “Respekti kryesor, - tha midis të tjerash Duka në fjalën e tij, - i takon ‘ligjeve të futbollit’. Ne i falemi të vetmit Zot, futbollit. Dhe e mbështesim veprimtarinë në të vetmen Bibël, statutit”. Bosi i FSHF-së, Armand Duka, i cili prej gjashtë vjetësh drejton kupolën e futbollit shqiptar. “Periudha midis dy Asambleve ka qenë një periudhë e vështirë, e mbushur me ngjarje, aktivitete, suksese, por ka pasur edhe probleme. Situatat shpesh ndryshonin me orë të tëra dhe një punë gjigante e bërë nga breza të tërë vihej në rrezik. Këto situata janë menaxhuar me sukses. Duke pasur mbështetjen tuaj, solidaritetin e lojës sonë, por edhe të institucioneve ndërkombëtare, UEFA-s e FIFA-s, ne besojmë se ia dolëm të gjenim zgjidhjet e duhura”.
KOMBËTARJA – “Barazimet me
Suedinë në Tiranë (0-0) dhe Portugalinë në Bragë (0-0) dhe fitorja me
Maltën e kanë vendosur Shqipërinë në një pozicion komod në grup dhe
tashmë ne shohim me seriozitet e optimizëm përpara”, - theksoi
presidenti Duka. “Pas humbjes me Hungarinë (2-0) erdhi barazimi 0-0 në
Portugali, përballë një kombëtareje e cila renditet ndër 10 më të mirat
në botë. Ky rezultat është trumbetuar në të gjithë Europën si një
arritje e madhe e Kombëtares shqiptare të futbollit, e cila tashmë
shihet si një ekip shumë cilësor, i cili nuk mund të cilësohet më si
një rezultat surprizë, por si një realitet i futbollit evropian.
Trajneri Ari Han dhe stafi i tij ka bërë një punë shumë të mirë”.
KAMPIONATI – “Edicioni i kaluar ishte më i bukuri dhe më spektakolari në historinë e futbollit shqiptar pas viteve ’90. Ky nuk është thjesht konkluzioni i FSHF-së, por edhe i specialistëve dhe i gjithë medias sportive në Shqipëri”, - tha Duka. “Çështja e titullit kampion u zgjidh në momentin e fundit, madje në limitin e mbylljes së edicionit. Dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm në Kategorinë Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë dhe atë të Dytë, si në ndeshjet Play Off”.
FINANCAT- “Gjendja jonë financiare është përmirësuar mjaft. Duke parë raportet financiare të viteve 2006-2008, si dhe duke iu referuar projektbuxhetit të vitit 2009, vihet re një rritje të ardhurash. Të ardhurat nga e drejta televizive jashtë Shqipërisë për ndeshjet e ekipeve Kombëtare nga 2.7 milionë euro për për periudhën katër vjeçare dhjetor 2003- nëntor 2007, kanë arritur në 3.2 milionë euro për periudhën dyvjeçare mars 2008 - maj 2010. Sponsorizimet nga 780 mijë euro (2006-2008) kanë arritur në 1 milionë euro (2008-2010).
BORXHET – “Duke parë këtë situatë, - shtoi Duka, - duke analizuar edhe problemet me mosshlyerjen e detyrimeve financiare të klubeve, si Komitet Ekzkekutiv kemi vendosur t’i kërkojmë Asamblesë fshirjen e borxheve të klubeve, dhe kjo nuk është një shumë e vogël, por disa qindra milionë lekë”. Miratimi i klubeve jo i gjithi “jeshil”, por çuditërisht edhe pesë kartonë të kuq (kundër).
KOKSH - Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Hysen Domi. E njëjta formulë përshëndetëse, me të veçantën: “Shumë i nderuar dhe i respektuar zoti president i UEFA-s, Mishel Platini”. Ish-volejbollisti i njohur, i cili ka vendosur të mos garojmë më për kreun e Komitetit Olimpik: “KOKSH-i ka mbështetur të gjitha iniciativat e e FSHF-së dhe vendimet e Asamblesë së saj, në interes të sportit shqiptar dhe të futbollit në veçanti. Me vendim unanim të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it të propozojmë për t’i dhënë zotit Mishel Platini ‘Urdhrin olimpik’ për kontributin e çmuar që ka dhënë lëvizjes sportive shqiptare, por dhe përsosjes së infrastrukturës sportive në Shqipëri”.
E Merkure, 12 Nentor 2008