E Diel, 1 Nëntor 2026

Një Botëror pozitiv

Sven Goran Eriksson ka filluar të mendojë qysh tash strategjitë për t’i ndalur ekipet kundërshtare në Kampionatin Botëror 2010.

Trajneri suedez, në Afrikën e Jugut do ta udhëheq përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë, i cili do të ketë punë të vështirë pasi që në fazën e grupeve do të përballet me gjigantë të futbollit botëror si Brazili dhe Portugalia.

“Do të përballemi me Brazilin e Portugalinë. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, por ndjenjat janë pozitive dhe do të mundohemi të arrijmë rezultate pozitive dhe të bëjmë mirë në këtë turne”, tha ish selektori i Anglisë dhe Meksikës për uebfaqen italiane, TuttoMondiali.it.

Edhe pse do të ketë kundërshtarë të fortë, Bregu i Fildishtë ka futbollistë që meritojnë respekt dhe të cilët janë të shquar në skuadrat përkatëse.

“Po, edhe ne kemi plot futbollistë të dalluar. Drogban dhe Kalou i njihni më mirë se të tjerët, por edhe të tjerët dinë të japin kontribut dhe të luajnë mirë”, vazhdoi Eriksson.

Ish trajneri i Manchester Cityt ka njoftuar se shumë shpejt, ekipi i Bregut të Fildishtë do të grumbullohet, për t’i nisur përgatitjet për Botëror, ku nuk shkojnë për ta ngritur flamurin e bardhë.

Eriksson e ka dhënë mendimin e tij sa u përket favoritëve për ta fituar Botërorin e Afrikës, duke e anashkaluar ish ekipin e tij, Anglinë. “Si favoritë i shoh Brazilin, Spanjën, Argjentinën, por edhe Italinë, e cila luan mirë dhe ka një trajner të shkëlqyeshëm”, tha në fund trajneri 62 vjeç.

Në karrierën e tij si trajner, Sven Goran Eriksson kishte udhëhequr edhe ekipet Degerfors, Goteborg, Benfica, Roma, Fiorentina, Benfica, Sampdoria e Lazio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›