Inter, mision për Karlos Tevez. Në këmbim Siti merr Balotelin
Edhe pse janë të përqendruar në fitimin e tri trofeve, drejtuesit e Interit po tregohen mjaft aktivë edhe në merkato. Objektivi kryesor i zikaltërve është Karlitos Tevez. “Apashi” i Mançester Sitit është shpallur lojtari i tretë më i mirë në këtë sezon të Premiershipit. Së fundmi, marrëdhëniet e sulmuesit argjentinas me trajnerin Roberto Mançini janë krisur, madje drejtuesi i stolit ka deklaruar se lojtari mund të largohet nëse nuk ndihet i lumtur te “sitizëns”. Në këtë mënyrë mediat ndërkombëtare kanë filluar të flasin për një shkëmbim të mundshëm me Mario Balotelin. Negociatat ndërmjet përfaqësuesve të dy klubeve sapo kanë filluar. Masimo Morati nuk e ka fshehur vlerësimin për Tevez, që vetëm dy sezone më parë kishte shansin të transferohej në radhët e skuadrës zikaltër. Afrimi i lojtarit ka marrë edhe “bekimin” nga trajneri Zhoze Murinjo, të cilit do t’i bënte shumë punë një sulmues i shpejtë. Në anën tjetër, Mançini nuk do të mendohej dy herë për të marrë në skuadër Balotelin, sulmuesin që pikërisht ai e promovoi në arenën e futbollit të rëndësishëm.
#