‘Zip”, kur zgjimin ta bën Rezeari dhe Jonida
Straton të hënën në 21 shtator. Dyshja drejtuese është po ajo, Jonida Shehu, Rezear Xhaxhiu.Titulli i njëjtë, por ka të reja. Quhet “Zip” dhe hyn në vitin e pestë të transmetimit. Në sezonin e kaluar u eksperimentua, pas tri sezonesh të sukseshme në fashon e orarit të mëngjesit. Duket se prova u kalua pasi edhe këtë vit ora 7 do të zgjojë të gjithë shikuesit e “Vizion Plus” nën siglën dhe “mirëmëngjesin” e dyshes Xhaxhiu-Shehu. Jonida thotë se edhe pas pesë vitesh jetë “Zip” ka shpëtuar nga gracka e monotonisë dhe e zvarritjes së dhimbshme. Ka një sekret të vogël që drejtuesit nuk e mbajnë për vete. Thonë se është ritmi dhe mënyra ndryshe e të trajtuarit të temave, të të ftuarve, madje edhe të vetë njëri-tjetrit. Xhaxhiu dhe Shehu duket sikur luajnë me fjalën dhe lajmin dhe si në një ndeshje elegante ping-pongu lëvizin brenda lajmit dhe argumentit, lidhjes direkte apo një të ftuari, i cili mund të jetë kryetar parlamenti apo ministër, drejtor ujësjellësi apo kryeinfermier spitali. Në hapësirën e “zip” nuk ka hierarki të ftuarish. Ata janë atje thjesht dhe vetëm për t’u pyetur, madje për t’u pyetur fort.
Xhaxhiu thotë se ”Zip”-i i 2009 do të vijë brenda të njëjtit format, por me një “arredim” tjetër të brendshëm, pra me disa axhustime të reja, në formë e rubrika, lidhjet direkte me rrethet. Lajmi, sipas tij, nuk është vetëm në Tiranë. Por do të ketë edhe disa “lulka” të tjera sikundër parapëlqen ai t’i etiketojë rubrikat e pritshme. Kur e pyesim Xhaxhiun nëse ka disa sekrete të tjera që mund të na i zbulojë, ai na shprehet shkurt se nuk duhet t’i fryjmë gjërat e të flasim për “sekrete të vogla” apo për gjetje të mëdha, për surpriza steriotipe apo për slogane bajate të tipit “lajmi më parë kalon nga ne” etj etj. Nuk ka asgjë nga këto. Ka thjesht “Zip”. Pra, gazetari e mirëfilltë, punë e përditshme dhe shumë pasion. Thjesht shërbim ndaj audiencës. Kaq mjafton për të mbetur në treg. Megjithatë kur mendon se tregu është kaq i madh... por Xhaxhiu shton se në qiell zogjtë kanë të gjithë vendin e tyre. Duhet të dish të këndosh në qiell e jo në kafaze të mbyllur e të zbukuruar hijshëm me drita e projektorë të fuqishëm, skenografira gjigande e lule e lajle pa fund. Sepse lajmi kalon nga të gjithë dhe duhet të dish ta çosh atë tek të gjithë. Dhe këtë ka bërë në këto katër sezone televizive “Zip”. Presim nëse edhe këtë vit testi do të kalohet. Në të kundër Xhaxhiu na thotë: “Do të shihemi nën një tjetër qiell, po në atë qiell ku zogjtë këndojnë të lirë”.