Një HEC i dytë në përroin e Gur Shpatit, protestojnë banorët: Ska ujë
Librazhd- Banorët e fshatrave Polis Gostime dhe Polis Qendër në Librazhd kanë dalë në protesta kundër një HEC-i të dytë që pritet të ndërtohet në përroin e fshatit.
Sipas 600 banorë ata rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm dhe pa vaditje për shkak të hidrocentralit që po u merr ujin për prodhimin e energjisë elektrike.
Banorët thonë se në përroin Gur Shpati në vitin 2006 u ndërtua një hidrocentral me vendim të METE-s dhe komunës. Në shkurt të këtij viti një shtesë kontrate koncesioni mes METE-s dhe bashkimit të shoqërive “Arjana-C” shpk, “Ital PRO KHTS” shpk dhe “Spahiu Gjanç” shpk, u jepet e drejta të ndërtojnë një HEC të dytë në përrua.
Në protestën e tyre banorët thonë se me këtë vendim ata nuk kanë njohur, madje as Këshilli i Komunës. Ata thonë se në këtë përrua nuk mund të ndërtohet një HEC i dytë, sepse uji sështë i mjaftueshëm dhe rrezikon ti lërë ato pa furnizim dhe t’u shkatërroi bujqësinë, si mjetin e vetëm për të siguruar jetesën.
Komuna ka mbështetur protestat e banorëve duke e konsideruar të drejtë shqetësimin e tyre. Mbi këtë çështje deputeti socialist Taulant Balla i ka dërguar një shkresë ministrisë për zbardhjen e vendimit, por deri tani nuk ka asnjë reagim.