Një Institut për promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe
"Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe" u prezantua mbrëmë në Teatrin e Metropolit në Tiranë.
Drejtori ekzekutiv i kësaj strukture të re dhe të pavarur, poeti Primo Shllaku tha se qëllimi i krijimit të këtij Instituti është: të funksionojë si një organizëm me natyrë filologjike, duke mbledhur rreth vetes miq të fjalës së folur, të fjalës gjuhësisht të studiuar, të fjalës së krijuar, të fjalës së kënduar, pra përgjithësisht të fjalës artistikisht të interpretuar të gjuhës shqipe, për ta pasuruar dhe zhvilluar me tej atë."Një program konkret i Insitutit do të bëhet i ditur së shpejti.
Shqipëria në Luftë
Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historise organizon me rastin e 65-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë Konferencën shkencore me temë "Shqipëria në Luftën e dytë Botërore". Konferenca zhvillohet në sallën e Akademisë së Shkencave sot, ora 12:oo.
Një orë para saj, brenda të njëjtit kuadër, Muzeu Historik Kombëtar çel ekspoziten "Armët e Luftës", ora 11.oo.
"Umberto D." i Vittorio de Sica-s
Shfaqet sonte në Kinemanë e "Marubit" "Umberto D." i Vittorio De Sica-s. I xhiruar me aktorë joprofesionistë në vitin 1952, kjo vepër përfaqësuese e neorealizmit italian, është drama e një pensionisti i cili në shoqërinë e qenit të tij, Flike, mundohet të mbijetojë dhe të ruajë dinjitetin në një qytet ku mirësia njerëzore duket të ketë marrë fund për shkak të modernizimit të jetës.
Ai lufton për ushqim, strehë dhe shoqëri. Në rolet kryesore interpretojnë Carlo Battisti, Maria Pia Casilio, Lina Gennari.