Miratohen kriteret e reja të punësimit në administratë
TIRANË- Administrata Publike do t'i nënshtrohet një reforme të thellë në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave mbi Strategjinë në administratën publike 2009-2013 , të gjithë personat që do të aplikojnë për një vend pune, do të propozohen për rritje ne detyrë apo për marrjen e masave administrative, pritet të përballen me disa procedura ndryshe nga ato që janë përdorur deri më tani.
Kështu, në administratën publike nuk do të punësohen më punonjës me anë të kontratave të përkohshme.
Sipas strategjisë së miratuar nga qeveria, përdorimi i kontratave të përkohshhme do të bëhet vetëm në raste emergjencash, në mënyrë të kontrolluar dhe në raport tepër të ulët në krahasim me numrin e punonjësve të një institucioni.
Por edhe në këto raste, punonjësi i rekrutuar me kontratë të përkohshme nuk do të ketë të drejtë të konkurrojë për atë pozicion në momentin kur do të hapet konkursi.
Ndryshime ka edhe në mënyrën se si do të bëhet punësimi i punonëjsve të administratës, intervistimi, ulja apo rritja në detyrë. Pritet që për punonjësit që do të punësohen në bashki, komuna prefektura apo qarqe të aplikohen procedura më të thjeshtuara.
Për sa i përket pozicioneve që janë në nivelin e specialistit parashikohet që rekrutimi në administratë të bëhet në grup. Pra bazuar në nevojat e institucionit, kandidatët më të suksesshëm do të përbëjnë një listë nga e cila do të merren për t'u emëruar në pozicione të ndryshme në momentin e hapjes së një vendi të lirë.
Ndërsa, për pozicione që kërkojnë specialitete të veçanta parashikohet që rekrutimi të bëhet në mënyrën e vjetër pra rast pas rasti në bazë të nevojave të institucionit.
Po ashtu synohet që të përmirësohen metodat e testimit për personat që konkurojnë për një vend pune në administratë, ku në radhë të parë do të vlerësohet aftësia krijuese dhe mundësitë e zhvillimit të kandidatëve.
Për personat që konkurojnë për pozicione të larta të administratës publike eksperienca do të jetë një nga kriteret kryesore të vlerësimit.
Ndryshe nga më parë, tashmë është e detyrueshme që intervistat e bëra për një vend punë të dokumentohen, pra nëse është bërë me regjistrim, ai duhet të ruhet.
Sipas strategjisë së miratuar nga qeveria, në raste kur konkurohet për një vend të lire pune, i cili për të gjithë konkurrentët konsiderohet rritje në detyre, prioritet do të kenë ata kandidatë që janë të brendshëm, pra nga i njëjti institucion ku gjithashtu kriter vlerësues do të jetë eksperienca. Parashikohet që kriteri i eksperiencës të përdoret për të avantazhuar indirekt kandidatët e brendshëm.
Për sa i përkët levizjeve paralele në administratë në pozicione të ngjashme me atë të mëparshmin, do të hiqet periudha e provës me arsyetimin se kandidatët që vijnë nga radhët e administratës nuk kanë nevojë të ritestohen. Edhe në këtë rast, të privilegjuar do të jenë ata kandidatë që janë të brendshëm apo institucione të ngjashme.
Gjatë vitit 2009, në administratën publike punësimi me anë të kontratave të përkohshme është përdorur në mënyrë masive ku nga muaji në muaj me vendim të qeverisë, numri i tyre veç se rritej. Deri më tani me anë të kontratave të përkohshme në administratë janë punësuar rreth 6600 persona.