Energjia, OSSH kërkon rritje 44.2 %
Pretendimet e kompanisë u bënë gjatë dëgjesës për çmimin e energjisë elektrike organizuar nga ERE
Energjia do të rritet për dy vite rresht. Kërkohet 23.1 % shtrenjtim për 2010-ën dhe 22.1 % për 2011-ën.
TIRANË- Shqiptarët do të përballen dy vite rresht me rritje te çmimit të energjisë elektrike. Krahas rritjes mesatarisht 23.1 për qind që është kërkuar për vitin në vijim, energjia do të rritet përsëri thuajse me një shifër të njëjtë edhe gjatë 2011-ës duke arritur në një shtrenjtim mesatarisht 44.2 për qind.
Pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes publikuan dje pretendimet e tyre në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike gjatë një dëgjese publike të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Në të gjitha kërkesat e saj ndaj ERE-s për rritjen e çmimit, kompania CEZ ka në anën e saj kushtet e kontratës së lidhur me qeverinë Shqiptarë e quajtur si "Deklarata Rregullatore" gjatë procesit të blerjes së OSSH-së.
Nisur nga kjo, kërkesa e CEZ-it bazohet në këtë dokument të firmosur edhe nga qeveria ku parashikohet që gjatë vitit 2010 OSSH të ketë një nivel të ardhurash deri në 44.5 miliardë lekë. Duke e pasur të pamundur arritjen e kësaj shifre për shkak të nivelit të lartë të humbjeve, OSSH kërkon ta arrijë atë duke rritur çmimin e energjisë për konsumatorët.
Kështu, sipas përllogarijeve të bëra nga kompania CEZ, për të arritur nivelin e të ardhurave në 44.5 miliardë lekë, çmimi i energjisë duhet të pësojë një rritje me 44.2 për qind. Por, me arsyetimin se një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në marrëdhënien e saj me konsumatorët është parashikuar që rritja gjithsesi të kryhet por duke e ndarë në dy vite. Pra, për vitin 2010 do të aplikohet një rritje mesatarisht deri në 23.1 për qind ndërsa pjesa tjetër prej 21.1 për qind do të rritet gjatë vitit 2011.
Por duke parë që me një rritje deri në 23.1 për qind, gjatë vitit 2010 kompania nuk e arrin shumën e të ardhurave 44.5 miliardë lekë të përcaktuara për këtë vit, për mbushjen e kësaj grope do të përdoren para nga buxheti i shtetit. Janë rreth 950 milionë lekë që do të jepen në formë kompensimi për të përmbushur shumën e të ardhurave të përcaktuara për vitin 2010 sipas deklaratës rregullatore.
"Ne aplikuam për një rritje të çmimit të energjisë në masën 44.2 për qind, i cili do të mbulonte kostot dhe do të dilnim me humbje zero, por në kushtet aktuale ne kërkojmë që në vitin e ardhshëm çmimi të rritet me 23.1 për qind dhe diferencën prej 21.1 për qind do ta kërkojmë gjatë vitit 2011", - tha drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Josef Hejsek.
Kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë pronarët e OSSH-së e justifikojnë me nivelin e lartë të humbjeve që po përballet kompania dhe rritjen e kostove operative.
"Aktualisht paguajmë për enegjinë KESH-in dhe OST-ne, kemi për gjithashtu kostot operative dhe humbjet janë shumë të larta.
OSSH ka borxhe të këqija dhe bilanci financiar i kompanisë për vitin 2009 do të dalë negative", - shtoi më tej Hejsek. Me rritjen e kërkuar nga OSSH, pritet që konsumatorët familjarë ta paguajnë energjinë me 9.15 lekë për kW/h nga 7 lekë që e paguajnë tani.