Një Luftë e Ftohtë e re?
Rusia refuzon të injorohet. Sulmi kundër Gjeorgjisë i habiti të gjithë, edhe pse të gjithë thanë se e prisnin. Habia deri diku ishte legjitime. Bota mbarë u habit jo vetëm sepse ishte përqendruar në Pekin, ku zyrtarët kinezë i dërgonin asaj mesazhe shumëngjyrëshe paqeje (domethënë, që t’i dojë ashtu siç janë: mrekullisht të zhvilluar dhe pa demokraci).
Strategjikisht, tepër i shpejtë, sulmi ngjalli habi, edhe sepse pamjet e rrënojave mbuluar nga pluhuri i luftës, fytyrat e përgjakura dhe makinat e blinduara dukeshin sikur kishin dalë gabimisht nga një shekull tjetër. Shumë mendonin - jo krejtësisht pa të drejtë - se retorika e ashpër e Kremlinit nuk ishte më shumë se mall për kohët e arta si superfuqi apo frustrim me një botë ku sfera e influencës ruse (në zvogëlim) nuk përkon me egon politike (në rritje). Tashmë Gjeorgjia është në flakë, dhe Uashingtoni (si dhe Brukseli) në dilemë.
Paralajmërimet për një tjetër Luftë të Ftohtë nuk janë të reja. As nuk kufizohen tek nostalgjikët e historive me spiunë. Në kontekstin e autoritarizmit alla-Putin, kombinuar me një fuqizim ekonomik që ushqen egon dhe retorikën e Moskës, paralajmërimet ogurzeza kanë fituar peshë edhe mes studiuesve e specialistëve më të rinj amerikanë. Në libra me tituj të frikshëm dhe në editoriale të zymtë, ata përshkruajnë një ballafaqim të ri. Perëndimi, sipas kësaj analize, ka për detyrë t’i bëjë ballë agresivitetit rus. Gjeorgjia sot mund të duket si një argument më tepër për alarmistët.
Por e gjitha kjo është disi e çuditshme. Jo shumë kohë më parë u duk sikur Lufta e Ftohtë ishte zëvendësuar me kryqëzatën amerikane kundër Terrorit. Mjafton të shihje organikat e zyrave të specializuara, fakultetet universitare që ushqejnë Uashingtonin, apo grupet speciale të konsulencës: armata e mirë-paguar e specialistëve të Bashkimit Sovjetik i la përfundimisht vendin një ushtrie këshilltarësh, ekspertësh rajonalë, e mediatorësh politikë me njohje herë të thella e herë të përcipta të Afganistanit, Irakut, Sirisë e sidomos Iranit. Dyndja nëpër kurset e gjuhës arabe në universitetet amerikane sa vinte e rritej; suksesi i përpjekjeve në Irak sa vinte e tkurrej.
Historikisht amerikanët kanë parë tek rusët një lloj shëmbëlltyre të shtrembër të vetes: potencialin e madh për të qenë një fuqi botërore, por të tradhtuar nga tundimi antidemokratik. Nuk është çudi, atëherë, që edhe shqetësimi në rritje mbi një konflikt të ri të Perëndimit Liberal me Lindjen Autoritare, buron e pasqyron më tepër dilema reale amerikane mbi pozicionimin e tyre në një botë me fuqi rivale ekonomike në rritje - fuqi që mishërojnë kontradiktën e habitshme (për formulat e politologëve) të ekonomisë së tregut me autoritarizmin.
Së dyti, është edhe sikleti i të pranuarit që eksporti i madh i demokracisë, miliarda dollarë më vonë, ka dhënë ose rezultate të përziera ose rezultate jo fort të mira. Në Shqipëri, sigurisht, kjo klishé është po aq vulgare sa një seancë parlamentare.
Fill pas rënies së komunizmit, ekspertë perëndimorë të panumërt iu turrën ish-bllokut komunist, për të vënë në jetë teori tranzicioni e vizione idealiste për ndërtimin e demokracisë. Shumë prej tyre besonin vërtetë në një trajektore reformash drejt liberalizmit perëndimor, një lloj profecie që krijoi edhe variante provinciale të predikuesve të tregut super liberal. Për masë, nuk munguan edhe aventurierët e larmishëm dhe “biznesmenët” me njohje që panë tek çmontimi i ekonomisë së planit, mundësi të shëndetshme përfitimi.
Karriera të shumta, brenda e jashtë, u ndërtuan mbi platforma “tranzicioni,” mbi reforma “demokratizimi,” dhe “strategji zhvillimi” apo “luftë kundër korrupsionit.” Dikur demokracia kishte formën e pelikanit italian. Tashmë ajo ishte shndërruar në përvetësime masive fondesh, “projektesh”, “grantesh”, apo sponsorizimesh nga ambasada e organizata të huaja që demokracinë e tregojnë me PowerPoint.
Tranzicioni, me pak fjalë, u bë biznes. Ka ndryshime të rëndësishme, sigurisht, në panoramën e tranzicionit ,që nga Ballkani e deri në Rusi. Por sfida e një peizazhi të përzier të paskomunizmit në Euro-Azi është reale. Sigurisht, shumë prej vendeve të ish-bllokut janë anëtarësuar në BE dhe NATO. Ky është një ndryshim themelor, edhe
pse popullsitë e tyre janë thellësisht të pakënaqura dhe intoleranca shoqërore është në rritje. Një pjesë e mirë e Ballkanit ka mbetur një hapësirë e keq-qeverisur, me korrupsionin si mënyrë jetese, dhe me një “shoqëri civile” me interesa të hapura politike. Të huajt konsulentë e përfaqësues ose vazhdojnë të përsërisin mekanikisht formula zhvillimi e reformash ose, në rastet më të këqija, janë kthyer në partnerë të statusquos.
Sa më në lindje të shkosh, aq më e turbullt bëhet pamja. Udhëheqësit e Azisë Qendrore, të gozhduar në pushtet që në kohën Gorbaçovit, të kujtojnë të tjerë të mbijetuar të anijes komuniste në Ballkan (por pa rezerva nafte). Rusia e kohës së Putinit, me reformat në taksa, pronësi, dhe me procedurat fiskale që u shoqëruan nga spiralja e çmimeve të naftës dhe gazit, mbetet dilema më e madhe për një vizion amerikan demokratizues të botës.
Nga këndvështrimi shqiptar, dinamikat gjeopolitike vazhdojnë të kuptohen siç janë kuptuar historikisht prej provincës: si marifete të mëdhenjsh, prapaskena elitash, ose, rëndom, si konspirime antishqiptare. Koincidencat gjeopolitike vazhdojnë të interpretohen me gjuhën dhe logjikën e Luftës së Ftohtë. Por më tepër se një Luftë e Ftohtë, duket sikur ky mund të jetë fillimi i nxehtë dhe i vështirë i riformulimit të ideve fikse për importin dhe të ardhmen e demokracisë në hapësirën ish-komuniste. Dhe kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për Gjeorgjinë e sulmuar.
*Departamenti i Historisë / Princeton University, USA