E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, fushatë me legalizimin e banesave

INTERVISTA/ Flet Kreu i ALUIZNI-t: Brënda mandatit të kësaj qeverie do të përfundojë procesi legalizimeve. Fushata e legalizimeve “përkon” me zgjedhjet

Memia: 300 mijë tituj pronësie para zgjedhjeve të 2009

700 punësime të reja në administratën e ALUIZII-it/ Memia: Nuk është proces politik. Do të zhbllokojmë 10 miliardë euro.

Pikërisht në prag të zgjedhjeve duket se do të nisë shpërndarja masive e tapive në të gjitha ato zona që deri më tani janë konsideruar informale. Për përfundimin e shpejtë të këtij procesi në administratën e ALUIZN-it do të punësohen rreth 700 persona ndërkohë që deri më tani janë bërë gati rreth 300 mijë dosje pronësie. Është drejtori i Agjencisë së legalizimeve, Shaban Memia, i cili ka bërë të ditura këto shifra si dhe hapat e punës që ka planifikuar institucioni që ia drejton në një intervistë për ”Shekullin”. Z.Memia ka shpjeguar edhe kostot financiare që duhet të përballojnë qytetarët në këtë proces, të cilin ai e konsideron jo politik.

Z. Memia është folur gjatë për legalizimet ndërkohë që deri më tani janë shpërndarë pak tapi. Po pritet ndonjë moment më i përshtatshëm? Ka të bëjë kjo me kosto apo përfitime politike?

Reformat janë akt i së pamundurës dhe gjithmonë reformat realizohen nga ata grupime që marrin përsipër të përballojnë kostot politike. Unë mendoj se Partia Demokratike që nga viti 90 dhe deri më tani në funksion të reformave ka qenë e gatshme të veprojë dhe të marrë përsipër koston politike. Ne kemi liberalizuar çmimin e bukës ditën e zgjedhjeve. Kemi marrë faturën përsipër por hoqëm urinë e bukës. Enver Hoxha mbajti 50 vjet në diktat Shqipërinë vetëm me gogolin e bukës.

Me një fjalë, cilat janë arsyet e vonesës apo ngadalësimit të procesit?

Duhet të bëj një koment të vogël. Tashmë legalizimi është bërë një koncept më i gjërë dhe ne i kemi dhënë një dimension më të madh se ç’kishte. Së pari, duhet të themi se informaliteti është masiv në Shqipëri. Ky informalitet nuk është krijuar nga viti 90-të por që nga vitit 1945 sepse ka 60 vjet që prona tjetërsohet jashtë normave të ekonomisë së tregut, jashtë ligjeve të menaxhimit të tokës dhe territorit.

Ky informalitet është i shtrirë nga jugu në veri nga qëndrat e urbanizuara në periferi. Dhe për shkak të këtij informaliteti 2/3 e pasurisë së këtij vendi është jashtë këtij tregu dhe nuk gjeneron zhvillim. Për fatin e keq në Shqipëri në asnjë proces që lidhet më pronësinë nuk ka pasur një database. Sot ende nuk dihet se sa prona janë dhënë me ligjin 7501, sa me firma dhe sa janë dhënë me privatizimin dhe jo më të dihet se ku janë.

Nëkëtë vakum kemi krijuar databasen e këtij fenomeni. Sot dimë me nivel koordinatash sa është dimensioni në të gjithë territorin e vendit dhe duke ditur dimensionin kemi filluar të ndërtojmë strategjinë për ta realizuar. Deri në këtë moment që ne po flasim kemi përpunuar rreth 200 mijë pasuri që janë gati për tu miratuar në KKRTSH-ë dhe kemi përgatitur dhe 100 mijë dosje të tjera me të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor. Ne fillojmë këtë muaj që të kalojmë në qeveri për kompensimin dhe kalim të tijtujve të pronësisë këto 100 mijë dosje përafro 2 muaj do të marrin titujt e pronësisë. Mendoj se deri në fund të vitit, 200 mijë tituj do të përfshihen në këtë proces.

Ju thatë se keni krijuar në database për të gjithë territorin e vendit. Cilat janë të dhënat më kryesore që ju si Agjenci keni?

Nga database jonë kemi nxjerrë që vetëm si vlerë, duke u nisur vetëm nga kostot minimale në treg, të jenë rreth 10 miliardë euro të ngurtërsuar, që deri më tani është një kapital i vdekur, që nuk gjeneron zhvillim. Në tërë botën burimi i parë financiar për të filluar aktivitet ekonomik është përdorimi i aseteve. 10 miliardë euro qytetarët shqiptarë nuk i përdorin sot për të gjeneruar. Me procesin e legalizimit këto asete janë krejtësisht të zhvillueshme. Zonat që ne kemi azhornuar janë 120 dhe këto janë prekur centimetër për centimetër. Mendojmë se skema e burimit financiar të këtij procesi përballon edhe kompensimin e pronarëve sepse bëhet fjalë që 2/3 të kompensojnë 1/3. Kemi ecur me ritme më të shepjta të mundshme. Kemi filluar me një letër të bardhë dhe kemi ngritur një administratë, kemi miratuar 30 akte nënligjore, kemi prekur 200 mijëtë pasur dhe miratuar jemi në fazën e kurorëzimit të 100 mijë titujve të tjerë. Së dyti na rezulton se 1/3 e ndërtimeve informale janë ndërtuar në pronat e pronarëve të ligjshëm , 1/3 në prona publike dhe 1/3 janë në pronë të tyre por nuk kanë marrë leje ndërtimi për të qënë të ligjshëm. E rëndësishme është që 350 mijë pasuri që kemi kategorizuar deri më tani, nuk do të thotë që të gjitha do të ligjërohen. Do të legalizohet vetëm ajo kategori që janë brenda vijës së verdhë. Do të bëhet kujdes maksimal që të mos preket koncepti zhvillues dhe urbanizuar dhe ata që janë brënda vijës së zonave të përcaktuara si të mbrojtura do të përjashtohen nga ky proces. Detyrimisht që për një pjesë të këtyre qytetarëve do të ketë lehtësira ose do të ketë mbështetje nga shteti. Një pjesë e atyre që nuk do të mund të përfshihen në legalizim dhe janë në kundërshtime me plate zhvilluese do të konsiderohet me statusin e të pastrehëve. Në përmirësimin e ligjit janë përcaktuar rregulla shumë rigoroze në këtë drejtim që të mos preket politikë bërja zhvilluese urbanizuese. Në këtë konteks në funksion të pronarëve ne kemi bërë përmirësime të ndjeshme. Brenda vijës së verdhë e drejta zhvilluese i përket pronarëve të ligjshëm.

Z. Memia procesi i legalizimeve do të përfundojë brënda mandatit qeverisës të PD?

Procesi i legalizimeve është i vetmi proces që nga vitit 1990-ta e deri më sot që nuk është politizuar. Në mënyrë kategorike jo. Unë e kam patur dhe vazhdoj ta kemë objektiv thelbësor që të mos vazhdoj ta politizoj këtë proces sepse kjo është reformë ekonomike dhe jo zgjidhje e mirëfilltë politike. Në këtë proces që ne kemi ndërmarrë unë jam i bindur se përfiton edhe i majti edhe i djathti edhe social demokrati. Në këtë kontekst unë kam ndjekur rrugën e kontrontit megjithëse në këtë proces janë të përfshira të gjitha institucionet. Kur ka patur probleme kam shkuar për ta zgjidhur problemin që ka patur dhe jo për ta shtuar. Kam vepruar kështu sepse jam i bindur se politizimi do ta ndihmonte rëndë këtë proces, do ta bllokonte atë dhe unë mund të them me siguri të plotë se deri më tani ky proces nuk është politizuar as në kohën e fushatës elektorale dhe as në momentin që është miratuar ligji në parlament. Opozita ka qëndrimin e vetë dhe për këtë respektohet por e rëndësishme është se ky proces nuk është kthyer në një betejë. Por është normale që gjithmonë në një sistem demokratik për realizime dhe mos realizime qeveria dhe mazhoranca merr honoret apo edhe kostot e një procesi. Procesi i legalizimeve nuk është objektiv që të mbyllet brenda këtij mandati. Por 90 për qind e këtij procesi brënda mandatit të kësaj qeverie do të përfundojë. Ndërsa për sa i përket 10% e kësaj kategorie që nuk mund të përfundojë kjo do të ndodhë për shkak të problemeve komplekse që kanë. Priten programe, priten projekte nga qevria për këtë. Por ajo që është më e rëndësishme është kjo që pjesët masive që sot janë jashtë tregut si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër brënda një viti janë ligjëruar. Ajo që ka rëndësi për t’u thënë është se ne kemi investuar dhe se qeveria ka mbështetur këtë proces duke sjellë tekonologjinë bashkëkohore që përcakton në mënyrë të rreptë pozicionin gjeografik. Eleminon mbivendosjet, eleminon spostimet e tokave. Së dyti, secili bën funksonale si para dokumentacion që shfrytëzohet nga pronari. Bën të mundur që dokumentacioni të përmbajë jo thjesht treguesit e një pronësie, siç është deri më sot, por të përmbajë të gjithë treguesit ekonomiko-financiarë të kësaj pasurie. Kështu në qoftë se qytetari do të aplikojë për të marrë kredi, nuk do të jetë nevoja për të ardhur në këtë zyrë dhe për të bërë një sërë dokumentesh nga e para por në rrugë elektronike banka e vlerëson se çfarë vlerash ka pasuria e tij.

Pra ju po më thoni se brenda këtij viti do të ketë shpëndarje të titujve të pronësisë?

Po. Në paketen financiare që ka kaluar para pak ditësh ne kemi përcaktuar tre skema në funksion të këtij procesi që janë pjesë e strategjisë. Së pari, për të eliminuar deformimin dhe korrupsion të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor e përgatit administrata dhe jo qytetari. Së dyti është përcaktuar paketa financiare. Kjo paketë ka në thelb filozofinë që të mos rënojë financat e qytetarit dhe të mos krijojë efekte frenuese të procesit të legalizimit. Të gjitha shumrat do të përmblidhjen në një tregues të vetin dhe kur qytetari paguan kesh në dorë gjithë detyrimin do të ketë një avantazh prej 20 %. Kur paguan në dy këste do të ketë një avantazh prej 10 % dhe mendoj se kjo është një skemë nxitëse për qytetarin që të përfshihet në këtë proces. Dhe nga ana tjetër me kontaktet që kemi patur, kemi hyrë në 200 mijë familje deri më sot , është fakt që në momentin që do t’u shkojë dokumentacioni janë qytetarët të interesuar për të shlyer detyrimet e tyre sepse janë bërë të vetëdijshëm dhe e shohin rëndësinë e këtij procesi. Një kapital prej 10 miliardë eurosh që deri më tani është jashtë tregut me aq për qind sa do të paguajë shoqëria, përfitimi është i pallogaritshëm. Kjo në parim si një politikëbërje. Së dyti ne këmi vendosur një tarifë financiare për këtë shërbim për të ulur koston e këtij procesi që do të jetë 40 mijë lekë të vjetra. Pjesë e faturës financiare është dhe investimi prej 5 milionë eurosh si dhe pagesa e 700 ekspertëve që do të jenë pjesë e administratës së ALUIZNI-t që në një kohë të caktuar do të përfundojë këtë proces. Nuk mendoj se i gjithë ky fond do të rëndojë tek taksapaguesit shqiptarë. Ky është një proces që është konceptuar për ta ndarë Shqipërinë nga informaliteti.

Atëherë, më lejoni të këmbëngul tek pyetja ime, përse nuk është përfunduar deri më tani procesi i legalizimeve kur ju për një kohë relativisht të shkurtër keni përgatitur gati 300 mijë dosje?

Padyshim që ky proces është çështje vullneti. Unë e kam thënë se nuk është proces politik por që kërkon një vullnet politik dhe mendoj se skema që është fiksuar në legjislacionin aktual është skema më e mirë e mundshme. Më parë nuk ka ecur sepse është udhëhequr nga një koncept që ishte urbanizimi më pas legalizimi. Çka do të thotë që në 2/3 e objekteve të palegalizuara ishin projektuar për t’u fshirë. Kjo krijonte një konflikt social procesi i legalizimit ishte i pamundur. Së dyti, ka patur kosto shumë të madhe financiare sepse trualli e ofronte me çmimin e tregut dhe vendoste 15% të vlerës së objektit gjobë për ndërtim pa leje. Të gjitha këto në skemën aktuale nuk janë. Ne kemi parashikuar ligjërim dhe më pas urbanizimin e zonave ndërkohë që kostoja totale që duhet të paguajnë qytetarët në këtë proces është rreth 500 mijë lekë. Ndërsa atu ku do të cënohen qytetarët gjatë procesit të urbanizimit do të të respektohen rregullat e ekonomisë së tregut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›