Jeta ime me drogën? As mos e provoni...!
E urren faktin se droga e ka transformuar. Ndihet fajtor. Shfaq momente dobësie... B.D është 24 vjeç, njihet si përdorues droge edhe nga policia. Aktualisht po përpiqet të rehabilitohet prej 1 viti e gjysmë pranë një qendre të posaçme, duke marrë metadon. Pranoi t’u përgjigjet disa pyetjeve tona mbi rrethanat se si e filloi drogën, ku e gjente atë dhe çfarë bënte për ta siguruar.
Kur e ke filluar drogën për herë të parë dhe çfarë tipi ke provuar?
Unë e kam filluar, kështu ma, me hashash, që kur isha adoleshent rreth të 16-ve. Kurse heroinën pak më vonë kur mbusha nja 22 vjeç.
Ta ofruan shokët në fillim apo si t’u mbush mendja ta filloje?
Jo nuk ma ofruan miqtë për Zotin, por e kisha kuriozitet vetë ta provoja. Pastaj e përdora nja katër a pesë vjet dhe vendosa ta lë duke ardhur këtu te qendra.
Thua që përdorje dhe heroinë. Është drogë që kushton, apo jo…
Nuk bëhet fjalë. Nuk e përballon dot shqiptari heroinën moj motër. Një gram shkon rreth 30 mijë deri në 50 mijë lekë.
Ti ku i gjeje lekët për një dozë?
Nuk është problemi sa kushton një doze, por thuaj sa kushton që ta përdorësh që të mbash shpirtin gjallë. Mund të ketë robi edhe 1 milion lekë për momentin, por këto nuk mjaftojnë që të jesh përdorues i rregullt i heroinës.
Sa doza të duheshin në ditë?
Të them të drejtën të paktën 1 gram e kisha të nevojshme çdo ditë. Nuk mundesha të rrija pa të.
Po nëse një si unë që nuk e kam përdorur drogën kurrë, do të donte drogë, është e vështirë ta gjej sipas teje?
Po jo moj motër as nuk e ke të vështirë fare, se do pyesësh ndonjë shok, ai një tjetër dhe do ta gjesh direkt. Edhe po të mos jesh përdoruese, e gjen...
Po ku gjendet konkretisht?
Po janë njerëzit për atë punë... Nuk është e vështirë për t’i gjetur. Pastaj po u bërë përdoruese, je ti ajo që gjen shpërndarësin e jo ai ty.
Po ku tregtohet zakonisht nëpër lokale, pub-e, shkolla apo ku?
.... Po ka shumë pika që shitet. Ajo që të siguroj është se nga pika ku shitet droga maksimumi 200 metra larg konsumohet. E gjen dhe aty ku thua ti pa problem, pub-i, lokali, ndonjë gjimnaz...(Në këtë moment ndalon duke hapur paketën për të marrë një cigare dhe i thotë doktorit të qendrës: Doktor nuk kam më cigare për ty m’u mbaruan për Zotin, e kam të fundit.)
I ke njohur ti shpërndarësit?
Eh i kam pas njohur të gjithë. Disa tipa kanë përfunduar në burg, mundësisht para një muaji u kapën 9 shpërndarës e unë i kam njohur të gjithë duke filluar nga Krenari, ai i pari e deri tek Bledi ai jevgu.
(I drejtohet përsëri doktorit të qendrës.O doktor a e mban mend ato se vinin këtu në qendër)
E përdorin edhe shpërndarësit drogën?
Jo. Në raste tepër të rralla. Po e përdorën vetë morën fund, se nuk është për punë më ai që e përdor.
Doktori na tha që ti nuk ke qenë gjithmonë kështu i dobët në trup…
Jo, jo, absolutisht jo. Kam qenë i shëndoshë. Ja shikoni këtë foton ku kam dalë me dy motrat para 8 vjetësh. Eh kam qenë ndryshe, nuk njihem e e?
Meqë ti je tashmë një përdorues disi i tërhequr, apo jo, dhe mund të mendosh më gjakftohtë. Një vartës i drogës deri ku mund të shkojë për të siguruar lekët, sipas teje? Sepse po dëgjojmë plot histori.
Ju e keni fjalën se deri sa degradohet një njeri për të siguruar mallin. Po nuk ka kufi. Jua them me bindje, që nuk ka...
Vjedhjet në shtëpi, shitja e trupit...?
Po, normal... Nuk ka më keq.
Kemi lexuar dhe raste vrasjesh në familje nëpër gazeta nga përdoruesit.
Po, po degradon deri në atë pikë. I vret edhe gjyshërit, edhe babanë…Nënën jo, se nëna është disi më e shtrenjtë… Nuk vritet nëna vetëm për të siguruar paret e mallit.
Si reaguan familjarët kur e mësuan se je përdorues droge?
Jua thashë vetë... Megjithëse e kishin dëgjuar edhe nga të tjerë. Shiko, unë i kam shkatërruar ata me ato që kam bërë.
Keni menduar ndonjëherë ndonjë mesazh për bashkëmoshatarët në lidhje me drogën? Se tani po të jepet një mundësi...
As mos t’u shkojë ndër mend. Vetëm degradim, degjenerim. Vdekjen do gjejnë. Jua them me bindje.
------------------------------------------------------------------------------------Drejtori: Në qendër vijnë edhe nëna të droguara
Përdoruesit e drogës po rriten gjithnjë e më shumë dhe pak po bëhet për të frenuar këtë fenomen. Kështu u shpreh drejtori i Qendrës Aksion Plus, Genci Buçollari, i cli thekson se qendra që ai drejton për trajtimin e përdoruesve të drogës me metadon është krejtësisht epamjaftueshme për mijëra përdorues që numërohen në gjithë vendin. Madje drejtori pohon se ky fenomen nuk po kursen as familjarët, pasi në qendër vijnë edhe të tillë. “E patë atë gruan me atë fëmijën 4-vjeçar, është përdoruese dhe po trajtohet këtu. Duhet të pranojmë që po përballemi çdo ditë e më shumë me këtë fenomen që është rrezik për gjithë shoqërinë”,- thekson Buçollari. Duke u ndodhur përballë kësaj situate, ai pohon se shpresojnë të hapin edhe një qendër në Durrës me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Global të Luftës Kundër HIV/AIDS, pasi në rrethe përdoruesit e drogës nuk mund të marrin trajtim me metadon.
Harxhi: Vetëm 20% e përdoruesve i kthehen jetës normale.
Bëhen vartës të drogës e për ta siguruar atë bëjnë gjithçka. I transformon jo vetëm nga ana fizike, por edhe në karakter. Kështu u shpreh profesor Kareman Harxhi, doktor pranë Qendrës Aksion Plus, i cili theksoi se në shumicën e rasteve vartësit e drogës jo vetëm që nuk mund ta lenë atë, por degradohen deri në atë pikë sa nuk njohin më asnjë normë e moral. “Nga praktika jonë 3-vjeçare vetëm 20 për qind e të trajtuarve i janë kthyer jetës normale, ndërsa pjesa e më madhe e kanë rifilluar përsëri drogën pasi e kanë pasur të pamundur për ta lënë atë pavarësisht përpjekjeve të mëdha që kanë bërë”,- pohon Harxhi.