E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje Ukraine miqesore

Frika ishte e madhe dhe vazhdon të mbetet, ndonëse ka nisur të zbehet. Tifozët janë të shumtë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, dhe duket sikur po çlirohen nga shqetësimet që i kanë torturuar para nisjes. Sidomos Ukraina dhe më pak Polonia u paraqitën si vende problematike, plot me racizëm dhe dhunë.
Ukrainasit e dinë shumë mirë sesa dëm ka bërë kjo gjë dhe po përpiqen ta ndryshojnë imazhin sa më shpejt që të jetë e mundur. Kudo është dhënë kushtrimi për të ndihmuar turistët dhe tifozët e huaj, me çdo gjë që banorëve mund t’u vijë për dore.
Këtë gjë bën edhe Nisma “Ukraina Miqësore” duke u treguar të huajve një fytyrë të qytetëruar dhe miqësore të vendit ish-sovjetik.
Informacioni është falas, ashtu si edhe guidat dhe shpesh edhe vende për të qëndruar e pushuar. Diçka që në Perëndim nuk ndodh, por pikërisht kjo është diferenca e kulturave.
Pritja me bukë e kripë e delegacioneve sportive ishte fillimi, ndërsa pjesa tjetër vazhdon me tifozët e thjeshtë. Po bëhet një tendosje e madhe për diçka pozitive, në një vend ku siç shkruan gazeta e shquar britanike, “The Guardian”, dikush mund t’i thotë një njeriu me ngjyrë “ej, zezak”, pa pasur aspak qëllim për ta fyer.
Koreani Hong thotë se “isha i shqetësuar deri para se të vija këtu, pasi lexova shumë për racizmin, veçse këtu në Ukrainë nuk ndjej gjëra të tilla. Vendasit janë të dashur, policia është kudo dhe unë ndihem i sigurt”.
Në një qendër informacioni për turistët pranë Katedrales Mihajlovski, pronari i saj Arsenij Fenberg, thotë se “po përpiqemi të ndihmojmë me sa mundemi, qyteti ynë ka paguar shumë për të ndihmuar të huajt, ndonëse mendoj se nuk është e mjaftueshme. Unë nuk mund të ndikoj në median botërore, por mund të ndikoj këtu në Kiev për të thënë se ne jemi miqësorë”.
Në qytetin perëndimor të Lvivit është Kisha Unitare ortodokso-katolike që përpiqet të ndihmojë me kryepeshkopin Svjatosllav Shevçuk që i bën thirrje njerëzve të tregohen miqësorë me të huajt. Ukraina është një vend kontrastesh, por duket se virusi i mikpritjes nuk ka lënë njeri pa prekur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›