E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një anije shqiptare rrezikohet në ujërat e Malit të Zi

Një anije shqiptare e nisur për lundrim lëshon alarmin S.O.S në ujërat e Malit të Zi. Anija ka ndërprerë lundrimin dhe ka qëndruar në pritje të ndihmës nga Porti Detar i Durrësit, ndërkohë që pas rimorkimit dhe mbërritjes në portin e nisjes, ajo do t‘i nënshtrohet praktikës dhe hetimit e më pas riparimit të defektit. Me të marrë sinjalin S.O.S Kapitaneria e Portit Detar të Durrësit është angazhuar për t‘i shkuar në ndihmë anijes me flamur dhe ekuipazh shqiptar që ndodhej në gjendje të pashpresë në ujërat e fqinjit tonë veriperëndimor. Pas shumë orësh tërheqjeje drejt portit nga ishte nisur anija tregtare "Forna" ka mbërritur në radën portuale të Durrësit. Anija ishte nisur ditën e shtunë për lundrim dhe ndonëse kishte vetëm pak orë që kishte lënë pas portin e nisjes, atë të Durrësit dhe ujërat ndërkombëtare në mbrëmjen e vonë të së shtunës ka lëshuar sinjalin e alarmit duke kërkuar ndihmë. Ka qenë një defekt teknik që e ka detyruar anijen të ndërpresë lundrimin dhe të mbetet në det të hapur, në ujërat e Malit të Zi, krejt e pashpresë për të vazhduar më tutje. Një bashkëpunim mes kapitanerive të përgjithshme të dy vendeve ka saktësuar vendndodhjen e anijes dhe planifikuar ndërhyrjen për shpëtimin e saj. Burimet nga Kapitaneria e Portit Detar bënë të ditur për gazetën "Shqip" se pas marrjes së sinjalit drejt anijes së cilës i ishte fikur motori në det është nisur njëri prej dy rimorkiatorëve të portit. Ndonëse ishte parashikuar që anija me defekt të mbërrinte rreth orës 02.30 të mëngjesit të së dielës në Durrës, lundrimi ka qenë më i vështirë. Burimet thanë se anija është futur në radën e portit rreth orës 06.35 të mëngjesit të djeshëm ku do të vazhdojë të qëndrojë deri në përfundim të procedurave. "Forna" duhet t‘i nënshtrohet më parë kryerjes së praktikës për kthimin mbrapsht në port, si dhe hetimeve paraprake nga autoritetet portuale dhe më pas të vazhdojë punën për riparimin e defektit. Ndërkaq, burime nga komisariati i policisë së Portit të Durrësit thanë se për anijen me defekt do të bëhen dhe hetime për të zbardhur ndonjë implikim të mundshëm në trafiqe ilegale. Burimet mohuan të kenë informacion paraprak për përfshirjen e kësaj anijeje dhe ekuipazhit të saj në vepra penale të këtij lloji, po nisur nga fakti i ndërprerjes së lundrimit për shkaqe teknike dhe mosmarrja paraprake e masave për sigurinë e mjetit lundrues për udhëtim nxit lindjen e dyshimeve për ndonjë manovër në det. Gjithsesi, misioni në det të hapur për rikthimin e anijes me motor të fikur në port është përmbyllur me sukses nga Kapitaneria e Portit, ndërkohë që pas kryerjes së praktikës anija do t‘i nënshtrohet riparimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›