E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një bankë denoncoi mashtruesit për pastrim parash

Depozitimet e shpeshta në adresë të shoqërisë "Euro Life", bënë që funksionarët e bankës së nivelit të dytë të dyshonin


Rasti iu referua hetuesve të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, më pas Prokuroria e Policia nisi kërkimet


TIRANË- Dy kosovarët e arrestuar, Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, fillimisht janë hetuar për kryerjen e veprës penale të "pastrimit të parave", për shkak se llogaria e kompanisë së tyre në Shqipëri, "Euro Life Dooel" mbushej nga depozitues të ndryshëm në çdo kohë me shuma fikse prej 2290 euro. Një prej bankave ku depozitoheshin më shpesh paratë, denoncoi rastin në Drejtorinë e Hetimit të Pastrimit të Parave. Burimet zyrtare të Njësisë së Task-forcës në kryeqytet dhe të Policisë sqaruan se hetimi kishte filluar pas referimit të rastit nga Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë Ministrisë së Financave.


Kjo kishte ngritur dyshime mbi transaksionet e shpeshta të kësaj llogarie bankare pas alarmit të dhënë nga një bankë e nivelit të dytë. "Fillimisht, me referimin e dosjes nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, njësia e task-forcës ka filluar hetimet për akuzën e "pastrimit të produkteve të veprës penale" e njohur ndryshe si "pastrim parash", pasi të dhënat e siguruara nga një filial i bankës ku ishin hapur dy llogaritë bankare të kompanisë "Euro Life Dooel", ngrinin dyshime se kjo kompani kryente "pastrim parash". Menjëherë ka nisur verifikimi i llogarive bankare dhe personave që i dispononin ato. Nga hetimet paraprake u arrit të identifikohen dy përdoruesit e këtyre llogarive bankare që ishin dy shtetasit kosovarë Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli njëkohësisht ortak të shoqërisë "Euro Life Dooel", kompani kjo që merrej me "këshillime menaxhimi" për mënyrën e zgjerimit të bizneseve.


Nga kontrolli i këtyre llogarive bankare, rezultonte se në kohë të ndryshme por thuajse çdo ditë, në këto llogari derdheshin shuma fikse prej 2290 euro nga persona të ndryshëm"-thuhet nga prokuroria. Mbushja e këtyre llogarive bankare nga depozitues të ndryshëm dhe transaksione nga llogari të shumë personave të tjerë, sipas akuzës, ngriti dyshime se po pastroheshin para të ardhura nga një krim i paligjshëm. Por, pas disa ditëve hetim rezultoi se dy kosovarët Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli që drejtonin shoqërinë "Euro Life Dooel" kishin ngritur një rrjet të sofistikuar mashtrimi, duke konsumuar veprën penale të "Mashtrimit", në dëm të disa personave, më shumë se një herë.


"Nga hetimet disa mujore, me metoda speciale, si përgjime e vëzhgime të të gjitha lëvizjeve të dy kosovarëve Kyçyku dhe Haxhiolli, u arrit të identifikohen rreth 400 viktima të mashtrimit të tyre, shumica persona me biznes të vogël nga të cilët kishin përfituar rreth 800 mijë euro"-thuhet nga prokuroria, ku një shumë e konsiderueshme është bllokuar tashmë. Sipas akuzës, këto shuma parash depozitoheshin nga vetë qytetarët e ndryshëm, të cilët pranonin të anëtarësoheshin në shoqërinë e tyre, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre.


Gjithashtu, për të qenë sa më të besueshëm tek "viktimat" e tyre, dy kosovarët organizonin seminare të ndryshme, duke i këshilluar biznesmenët e vegjël se si mund të ngrinin biznesin e tyre, si duhet të komunikonin me njerëzit, si të takoheshin etj etj. Këtë aktivitet të paligjshëm, dy kosovarët e kanë kryer në Shqipëri si përfaqësues të shoqërisë "Euro Life Dooel" dhe "Gem Colection", që kishte seli në Shkup të Maqedonisë.


Të akuzuarit mebeten në burg pa afat
Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, në seancën e verifikimit të arrestit në flagrancë dhe masës së sigurisë të caktuar në mungesë ndaj dy kosovarëve Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli vendosi që pavarësisht pretendimeve të avokatit për zbutjen e masave të sigurisë, t'i lërë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sipas gjyqtarit Artur Gaxhi, nuk ka ndryshuar asnjë kusht i parashikuar në ligj për ndryshimin e masës së sigurisë dhënë në mungesë me "arrest burg" pavarësisht mos kundërshtimit të kosovarëve në momentin e arrestimit.


Kështu, në zbatim të kërkesës së prokurorisë, gjyqtari Gaxhi vendosi t'i lërë në qeli dy kosovarët me masën e sigurisë dhënë ditën e arrestimit me "arrest me burg". Vetë të arrestuarit nuk kanë preferuar të japin shpjegime, duke mbështetur avokatin e tyre mbrojtës për zbutjen e masave të sigurisë, kërkesë kjo që nuk u pranua nga Gjykata. Sipas akuzës, dy kosovarët dhe shtetasi shqiptar (emri i të cilit nuk bëhet i ditur) dyshohet se kanë kryer veprën penale të "Mashtrimit", në dëm të disa personave, më shumë se një herë në bashkëpunim.


Flamur Vezaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›