Përplasja për pronat, plagoset me thikë një person
TIRANE- Një konflikt për motive pronësie i kthyer në një përleshje me thika mes dy fqinjëve në Bathore të Kamzës, përfundoi me një të plagosur dhe një të arrestuar. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë paradites së djeshme, kur Ilirjan Gjinishi, 42 vjeç, përfundoi në spital i qëlluar me thikë, nga fqinji i tij, të cilin Gjinishi e identifikoi me emrin Astrit Limani. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, është ndaluar nga oficerët e komisariatit të policisë nr.5, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me mjete të mprehta.
Burime të policisë së komisariatit nr.5, thanë se shkak për ngjarjen ishte bërë një konflikt pronësie i lindur mes dy familjeve që banojnë në këtë zonë disa kohë më parë. Debatet e vazhdueshme dje janë kthyer në fyerje dhe sharje mes palëve. Kur gjithçka dukej se nuk do të shkonte më tepër nga ky cak, të dy personat kanë nisur të përleshen mes tyre. Ndërkaq në grindje e sipër, Limani me një mjet të mprehtë të ngjashëm me thikën qëlloi mbi fqinjin e tij duke e dëmtuar rëndë në bark. I dëmtuari u dërgua në spitalin usharak, ku pas mjekimit, policia i mori deklarimin mbi ngjarjen. pas hetimit të kryer edhe në vendin e ngjajres dhe duke marrë deklarimet e palëve, policia arrestoi me akuzën e vrasjes Astrit Limanin me banim në Bathore.