E Diel, 1 Nëntor 2026

Bënin foto me "Kallashnikov", vret aksidentalisht shokun

Policia arreston si të dyshuar për krimin një person dhe shoqëron një tjetër

TIRANE- Një adoleshent 18- vjeçar mbeti i vrarë dje pasdite në Kodër Kamëz, pranë Institutit Bujqësor, kur ai së bashku me dy shokë të tjerë, kushërinj mes tyre, po pozonin me një armë automatik "Kallashnikov", që dyshohet se më pas mund ta përdornin për ta hedhur në rrjetin shoqëror facebook. Bledar Lusha, 18 vjeç, banues në Kodër Kamëz, mbeti i vdekur dje pasdite pasi u qëllua me armë zjarri nga shoku i tij Mersin Gjoka në banesën e këtij të fundit që ndodhej jo shumë larg të tijës.


Pas ngjarjes policia që mbërriti në adresën e mësipërme ndaloi në flagrancë Mersin Gjokën 18 vjeç, si dhe kushëririn tij me inicialet G. Gj, po 18 vjeç të cilët ndodheshin në dhomën ku ndodhi ngjarja në momentin e krimit. Pavarësisht se shoqëroi dhe ndaloi të dy kushërinjtë, policia pohoi se i dyshuar për krimin ishte 18 vjeçari Gjoka i cili paraprakisht mësohet se ka marrë përsipër edhe pronësinë e armës me të cilën ndodhi ngjarja. Në këtë kohë, në banesën e Gjokës, sipas burimeve të policisë, nuk kishte njerëz të familjes Gjoka dhe ky fakt ka shtyrë tre të rinjtë të nisnin aventurën e tyre me fund tragjik.


Të tre djemtë sipas burimeve të policisë, më parë kishin lënë një takim në kohën kur në banesën e Mersin Gjokës të mos kishte njerëz të tjerë dhe veçanërisht prindërit e tij. Kështu ndodhi dje në mesditë rreth orës 15:30, kur të tre të rinjtë u takuan përpara shtëpisë së Gjokës, pasi më parë ishin siguruar se për një farë kohe nuk do të kishin njerëz vërdallë. Të tre të rinjtë kanë nxjerrë armën nga vendi ku ajo qëndronte e fshehur dhe kanë nisur të bëjnë me të veprime demonstruese, si mbushje apo zbrasje të krëhërit të fishekëve. Më pas ata kanë nisur të demonstrojnë dhe të kryejnë fotografi me armën në krah. Në këtë moment në rrethana ende të panjohura arma automatike "Kallashnikov"është shkrehur dhe qëlloi mbi të riun, Lusha duke e plagosur rëndë atë. Ndërsa tentonin ta nisnin për në spital ai ndërroi jetë, për shkak të plagës së marrë në trup.


Policia e komisariatit të policisë nr.5, mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi menjëherë veprimet e saj duke bllokuar vendin e ngjarjes dhe duke ndaluar në flagrancës autorin e dyshuar të vrasjes aksidentale Mersin Gjokën, si dhe djalin e tezes të adoleshentin me inicialet G. GJ. Më pas, në vendin e ngjarjes mbërritën hetuesit e zyrës së vrasjeve në drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët pas këqyrjes së vendit të ngjarjes arritën në konluzionin paraprak se kishin të bënin me një vrasje aksidentale nga pakujdesia. Pritet që mjekët ligjorë të japin versionin e tyre në lidhje me ngjarjen pas kryerjes së autopsisë së trupit të viktimës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›