E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazh i qartë i SHBA-së: Vendet e Ballkanit Perëndimor në BE!

Diplomaci Përmbushja e kritereve të anëtarësimit në BE nga ana e vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor është një kusht rigoroz

SHBA, duke pritur tani për vizitë zyrtare Kryeministren e Kroacisë, Jadranka Kosor, duket sheshit si i kanë dërguar një sinjal të qartë BE-së, për dijeni edhe Ballkanit Perëndimor, se Kroacia duhet të bëhet shpejt anëtarja e 28-të e BE-së. ç’është e vërteta, Kroacisë i duhet të bëjë ende në luftën kundër korrupsionit dhe sa i përket lehtësimit të veprimtarisë së biznesit, por, sidoqoftë, ajo bashkëpunon mirë me Tribunalin e Hagës, gjeti formulën përkatëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkufitare me Slloveninë dhe është gati të ndihmojë edhe vendet e tjera të rajonit në rrugën drejt integrimeve euro-integrimeve europiane, kushte këta të BE-së që ajo tanimë i ka përmbushur.

Duket qartë se SHBA tanimë e kanë përcaktuar arkitekturën e ardhshme të Europës Juglindore, detyrat e shtëpisë i kanë ndarë dhe formula është: forcimi i asaj që tanimë është arritur në nivelin rajonal dhe zgjidhja e atyre mosmarrëveshjeve që ende i ndajnë vendet ballkanike, një ofertë, të cilën nuk mund ta kundërshtojnë as vendet e rajonit dhe as vetë BE-ja. Pyetja tani është sesi do të jetë kjo “arkitekturë e re”? Do të krijohet ndonjë klub shtetesh sipas modelit të Grupit të Vishegradit (Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe çekia) apo ndonjë shoqatë vendesh si ajo e shteteve baltike që funksion në një mënyrë të atillë që asnjë prej këtyre shteteve të mos ketë rol udhëheqës ose mbizotërues në rajon, vë në dukje “Dojçe Vele” në një koment të saj të fundit, ndërsa thekson se në këtë rast të gjitha vendet do të kishin përfitime: Sllovenia do të forconte pozitën e vet ndërkombëtare, Kroacia do të bëhej anëtare me të drejta të plota e BE-së, Bosnja e Hercegovina, më në fund, do të niste konsolidimin e institucioneve të veta, Serbia do të orientohej nga e ardhmja, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk do të ishin më pengje të ndasive rajonale, kurse Kosova do të mund të forconte shtetësinë e saj. Gjithashtu, do të nxiteshin edhe projektet infrastrukturore rajonale, që nga ato të transportit deri tek ato energjetike, nga të cilët do të mund të përfitonin materialisht të gjithë.
Njëzet vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë, SHBA ofron një ofertë, të cilën askush në rajon nuk mund ta kundërshtojë dot. Mesazhi është i qartë: shtetet që përbënin dikur Jugosllavinë dhe Shqipëria duhet të ulen në të njëjtën tryezë, pasi edhe objektivat kryesorë i kanë të përbashkëta, se këta shtete duhet t’i kapërcejnë ndasitë e mosmarrëveshjet historike dhe të punojnë së bashku për një të ardhme paqësore dhe më të begatë, se këta shtete duhet të bashkëpunojnë në rrugën e tyre drejt BE-së. E gjithë kjo do të thotë, sikurse u sugjerua edhe nga përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare në konferencën e Sarajevës, se “vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet t’i ofrojnë njëri-tjetrit një mbështetje të ndërsjellë dhe të shkëmbejnë përvojat e fituara gjatë procesit të integrimit, si dhe të nxisin marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke bashkëpunuar vazhdimisht për projektet me interes të përbashkët, si dhe të bëjnë më shumë përpjekje për zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe në një frymë europiane”. Deri në fillim të kësaj vere, pritet të zhvillohet një takim i ministrave të Transportit të gjithë vendeve ballkanike kushtuar një teme të vetme: vlerësimit të mundësisë së hartimit të planeve të përbashkët për ripërtëritjen e infrastrukturës rrugore e hekurudhore në rajon, që do të zëvendësonin planet individuale të disave vendeve dhe që do të kenë mbështetjen e BE-së dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare kompetente.

Përmbushja e kritereve të anëtarësimit në BE nga ana e vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor është një kusht rigoroz, por, sidoqoftë, askush, madje as Brukseli, nuk mund ta injorojë mesazhin e qartë të Uashingtonit se “stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur drejtpërdrejt me perspektivat euroatlantike të të gjitha vendeve të tij”

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›