E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një bisedë për femrën

Nga koha kur Virginia Woolf sillte në mendje gjatë shëtitjes e vetme rrugëve të Londrës, se si ishin femrat që ajo kishte takuar në letërsinë e burrave, apo në atë pak letërsi që femrat kishin bërë deri në vitet 1900, duke ndjerë dëshpërim për ato gra që i shfaqeshin në kujtesë, kohët kanë ndryshuar. Një grua sot mund t‘i ketë ato gjëra ku Woolf besonte se mund të gjente lirinë, një dhomë më vete dhe para, por sërish kjo duket se nuk mjafton.

Që nga koha kur Woolf denonconte në mënyrën e saj "dhunën letrare" ndaj grave dhe erën e gjellës që vinte nga kuzhina që e bënin letërsinë e tyre të mërzitshme, femrat shkrimtare kanë arritur të vlerësohen me çmimin "Nobel", apo të jenë në listën e shkrimtareve më të shituara në botë. Nga fustani i thjeshtë i anglezes së çuditshme, sot një grua mund të ketë një veshje që kushton më shumë sa aq para sa Woolf donte në vit për t‘u ndjerë e qetë. Por sërish diçka u mungon.

Kaq vite nga ajo çfarë kritika e quajti Manifesti i Parë Feminist, janë bërë aq shumë libra për gratë, jo vetëm nga burrat që i rrëfejnë ato, por dhe nga vetë femrat. Gjinia që dikur ishte e pabarabartë me gjininë tjetër, sot po tenton të drejtojë shtete, apo të kandidojë e barabartë përballë një burri. "Është koha e femrave", lexojmë në mediat e njohura ndërkombëtare. Megjithatë rruga e tyre për të mbërritur deri në këto përkufizime ka ecur mes sfidash, që sigurisht i dedikohen atyre grave të para që guxuan.

Por si do ta përshkruanim historinë e femrës në hapësirën tonë shqiptare dhe a mund të flasim sot në këtë hapësirë për një përfaqësim të barabartë të kësaj gjinie me tjetrën. Luljeta Vuniqi është drejtore ekzekutive e Organizatës Qendra Kosovare për Studime Gjinore në Prishtinë. Njohëse e mirë e Ballkanit, Luljeta ka kontribuar këto vite në asistencën ndaj femrave, që ndryshe nga ajo çfarë ndodhte diku në Evropë, kanë jetuar presionin psikologjik të represionit serb.

Nëse në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore problemet kryesore në Kosovë ka qenë analfabetizmi dhe mentaliteti patriarkal, sipas Vuniqit, pas viteve ‘90-të, për shkak të çrregullimeve të sistemeve në mënyrën e funksionimit të jetës në Kosovë, të imponuara nga regjimi serb, gratë kanë pasur hapësirë shumë të reduktuar për aktivitet politik. Tashmë femrat në Kosovë kanë një përfaqësi të konsiderueshme në Kuvend, sërish ndarje në burrë dhe grua në kontekstin shoqëror dhe kulturor janë më se prezente pa marrë parasysh se sistemi i vlerave shoqërore mund të jetë shumë dinamik dhe të ndryshojë në bazë të tendencave dhe zhvillimeve që ndodhin në botë.

Sa ka ndryshuar femra nga koha kur Virginia Woolf shkruante se dhe femra më e zgjuar është inferiore para mashkullit më të dobët?

Në atë kohë, në fillim të shekullit XX, Virginia Woolf shkroi një esse që u konsiderua dhe vazhdon të konsiderohet sot si Manifesti i Parë Feminist "Një dhomë më vete". Filozofia e saj, mes të tjerash, është që femrat duhet të posedojnë para dhe një dhomë më vete, që të mund të krijojnë dhe të jenë po aq të suksesshme sa edhe burrat. Mesazhi që Woolf dha kaq vite më parë tingëllon aktual edhe në ditët e sotme për shumë gra në botë. Nga ana tjetër, ky mesazh tingëllon ende për shumë gra sot në botë si një jehonë e së kaluarës së largët prej afro një shekull distancë. Ndërsa në kohën kur jetoi kjo shkrimtare, shumë pak gra kanë pasur mundësinë për përfshirje në jetën publike. Në ditët e sotme, gratë e Evropës Perëndimore, po jo vetëm ato, kanë arritje të paimagjinueshme nga koha e Woolf-it, dhe bashkëkohësve të saj.

Çfarë ka ndryshuar në historinë e femrave të Ballkanit gjatë këtyre viteve?

Gjatë viteve të tranzicionit nga sistemi komunist në atë demokratik gratë në Ballkan mbajtën barrën më të rëndë të tranzicionit. Për shumë vite, u margjinalizuan dhe për pasojë patën një lloj ngecjeje në zhvillimin e përgjithshëm social dhe politik, ndërsa në disa aspekte edhe prapakthim.

Por pavarësisht mënyrës sesi kanë operuar në histori, ato gjithnjë e më shumë po e ripushtojnë këtë hapësirë të humbur dhe kanë konsoliduar pjesëmarrjen e tyre në politikë apo në fusha të tjera.

Një shembull ilustrues për këtë është përfaqësimi shumë i lartë i grave kosovare në politikë, duke i tejkaluar kështu edhe shumë shtete të Bashkimit Evropian në këtë aspekt. Kjo është arritur edhe si rezultat i aplikimit të kuotës prej 30%. Rëndësia e kuotës bëhet më e madhe kur dihet se në zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës, kur ende nuk kishte kuotë, vetëm 8.6 për qind e deputeteve në Asambletë Komunale ishin gra.

Pse janë kaq pak femra pjesë e historisë së shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë?

Kosova dhe Shqipëria ndajnë fatin historik të karakterizuar nga ndryshime të shumta dhe të papritura politike dhe luftëra shkatërrimtare. Kjo ka ndikuar që të ruhen strukturat patriarkale dhe shoqëritë në të dyja anët janë të dominuara nga burrat në një shkallë të gjerë. Këto rrethana kontribuuan që të shfaqen imazhet e burrërisë dhe heroizmit, të cilat ende ushtrojnë ndikim të madh në konceptin bashkëkohor të rolit të burrave dhe grave. Duke bërë një rishikim të historisë të asaj çfarë ka ndodhur në të dyja anët e kufirit, duken qartë arsyet e mungesës së grave në historinë tonë kombëtare.

Cili sipas jush duhet të jetë roli i femrës në lëvizjet tashmë aktuale në Kosovë, sa e përfaqësuar është ajo?

Zhvillimi politik i grave kosovare është shoqëruar me pengesa të panumërta. Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore problemet kryesore kanë qenë analfabetizmi dhe mentaliteti patriarkal. Kurse gjatë viteve ‘90-të, për shkak të çrregullimeve të sistemeve në mënyrën e funksionimit të jetës në Kosovë, të imponuara nga regjimi serb, gratë kanë pasur hapësirë shumë të reduktuar për aktivitet politik.

Është e domosdoshme një vazhdimësi e masave të fuqishme institucionale, në mënyrë që të korrigjohen zbrazëtirë e krijuara nga e shkuara. Kuota "30 për qind" shumë shpejt ka dhënë rezultate pozitive në Kuvendin kosovar, duke ndikuar fuqishëm edhe në imazhin e politikës kosovare në përgjithësi.

A duhet të ekzistojnë sot në shekullin XXI ndarjet burrë dhe grua?

Ndarjet në burrë dhe grua (ndarja e roleve sipas gjinisë) edhe në kontekstin e tanishëm shoqëror dhe kulturor janë më se të pranishme, pa marrë parasysh se sistemi i vlerave shoqërore mund të jetë shumë dinamik dhe të ndryshojë në bazë të tendencave dhe zhvillimeve që ndodhin në botë. Po i referohem sërish një shkrimtareje tjetër, që ka provokuar teoritë për gruan Simone de Beauvoir - "Ne nuk lindim gra, gra bëhemi", - prandaj rolet gjinore në përgjithësi shihen si konstruksione sociale dhe kulturore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›