E Diel, 1 Nëntor 2026

Irene Khan, gruaja e "Amnesty International"

Ishte vetëm një nxënëse shkolle shumë studioze dhe idealiste kur asistoi në konfliktet e mëdha të cilat përjetoi Bangladeshi. Ajo nuk mund të heqë nga mendja trupat e përgjakur e të pajetë, rrëzuar rrugëve, të njerëzve që njihte. Ishte viti 1971 kur Pakistani Lindor dhe Perëndimor u përfshinë nga konflikti, prej të cilit do të dilte Bangladeshi i pavarur. Shkolla ku Khan mësonte, në Dhaka, u mbyll menjëherë dhe që nga ai moment ajo, së bashku me dy motrat, u mbyllën në shtëpi. Nga dritarja nuk shihnin gjë tjetër veçse kufoma, ndërsa plumbat fluturonin përreth si të ishin flutura. Për një 13-vjeçare si Khan ishte si të jetoje brenda një filmi. Njerëzit që u vinin në shtëpi u tregonin për histori rrëqethëse përdhunimesh, të ushtarëve që shkonin shtëpi më shtëpi duke dhunuar këdo që gjenin brenda. "Mbaj mend veten dhe motrat e mia teksa bisedonim të tmerruara se çfarë do të bënim në rast se do të na vinin ushtarët. Unë kisha zbuluar një vrimë diku në tarracën e shtëpisë, vend në të cilin mund të fshiheshim në rast nevoje e pastaj që andej mund të kalonim në rrugë. Khan, që herët e kishte vendosur rrugën e jetës. Sikurse edhe gjyshi do të merrej me jurisprudencë, por gjatë asaj kohe aq të tmerrshme ajo u bind gjithnjë e më tepër që bota kishte nevojë për shumë, shumë drejtësi. "Sigurisht që isha në një moshë të njomë dhe kjo ka bërë që të mbaj mend deri në hollësi gjithë sa ndodhi. Ishin pikërisht ato muaj të dhimbshëm për të gjithë që më gdhendën qëndrimin që duhet të mbaja ndaj ligjit si një mjet për mbrojtjen e jetëve të njerëzve, të të drejtave të tyre dhe jo të interesave të ngushta të një pakice", thotë Khan. Shqetësimi i saj për të drejtat e njeriut ka qenë gjithmonë shumë i madh. Për 7 vjet ka qenë sekretarja e Përgjithshme e organizatës "Amnesty International". Detyra e saj ishte drejtimi i një grupi, i cili ka në të gjithë botën 2.2 milionë anëtarë. Kjo grua, në dukje e brishtë, është dora që ndodhet pas materialeve të përvitshme që publikohen për të gjitha vendet mbi situatën e të drejtave të njeriut në to; për çdo lloj abuzimi të mundshëm të njerëzve, duke filluar nga qëllimi me gurë në Iran (një mënyrë e urryer e dënimit të njerëzve); te mënyrat çnjerëzore që përdorin amerikanët për torturat e të dyshuarve për terrorizëm; te vrasjet e paligjshme në Kenia; apo "zhdukjen" pa lënë gjurmë të aktivistëve politikë në Libi. Puna e saj e ka çuar shpesh në situata konfliktuale edhe me liderë të rëndësishëm botërorë, duke nisur nga Bush e përfunduar me Papën. "Amnesty International" e nisi punën në vitin 1961, me një artikull në një gazetë britanike, ku avokati Peter Benenson bëri thirrje për marrjen e veprimeve konkrete në lidhje me të drejtat e njeriut dhe liritë e shprehjes dhe veçanërisht të drejtat e të burgosurve të ndërgjegjes. Në fillim të viteve ‘70 grupi publikoi raportin e parë në lidhje me torturën, i cili nxori në pah se ky fenomen ishte shumë më i përhapur e më i rëndë nga sa mendohej. Sipas Khan, ky raport tronditi mbarë botën, pasi ideja e përgjithshme që mbizotëronte, sidomos në botën perëndimore, ishte që tortura si mjet ishte zhdukur dhe lënë pas me regjimin e mesjetës dhe se nëse ekzistonte ajo, mund të gjendej vetëm në vendet e qeverisura nga regjime diktatoriale. Me raportin e saj të parë, "Amnesty International" tregoi se tortura praktikohej me shumicë në shumë vende të ashtuquajtura demokratike dhe perëndimore. Më pas pasuan dhjetëvjeçarë fushatash të suksesshme. Nga 6000 të burgosurit, për lirimin e të cilëve organizata kishte punuar mes viteve 1972-1975, 3000 u liruan. Në fakt, fushatat ishin aq të suksesshme, sa kur Khan mori drejtimin e organizatës në dorë, në vitin 2001, çështja e torturës dhe përdorimit të saj ishte bërë një çështje e përmasave botërore. Një muaj më vonë, kur dy avionët famëkeqë fluturuan mbi kullat binjake për t‘i shkatërruar ato, gjërat ndryshuan. Veçanërisht disa segmente amerikane ishin pro përdorimit të saj në kushtet e luftës kundër terrorizmit. Vetë Khan është befasuar se sa shpejt dolën argumentet në mbështetje të marrjes së masave represive, madje edhe ndërmarrjes së torturave pas sulmeve të 11 shtatorit. "Unë mendoj se ato erdhën nga frika, të cilën shpesh politikanët e manipulojnë", thotë Khan. "Amnesty International" mbledh të dhëna nga çdo vend i botës, edhe nga vende si Sudani, Irani, Kina, të cilat nuk i lejojnë punonjësit e saj që të hyjnë në vend dhe të kenë akses të drejtpërdrejtë tek ato. Duke vënë buzën në gaz, Khan thotë se në epokën e internetit aksesi fizik nuk është më i nevojshëm për mbledhjen e informacionit. Vendi që e ka mbajtur gjithmonë në punë organizatën mes shumë vendeve të tjera problematike është Iraku, para dhe pas periudhës së Sadam Huseinit. Vetë Khan ka shprehur disa herë shqetësimin e keqpërdorimit të informacioneve të organizatës nga ana e qeverive të ndryshme për të mbështetur raporte mbi vende të caktuara. I tillë ishte rasti i një raporti britanik për të drejtat e njeriut në Irak, në vitin 2002, në të cilin, sipas Khan, u manipulua pa leje me informacionin e "Amnesty International". "Ishte një mësim se si ndonjëherë informacioni për të drejtat e njeriut mund të përdoret pikërisht për shkeljen e tyre. Pasi ke bërë një punë shumë të madhe, është shumë frustruese të mësosh se puna jote po keqpërdoret nga segmente të caktuara. Ajo çka ne duam të arrijmë është që qeveritë të jenë konsekuente në përdorimin e aplikimin e të drejtave të njeriut dhe jo ta përdorin informacionin në lidhje me to vetëm në rastin kur u duhet si material për të sulmuar një vend të caktuar. Kur ne publikuam në vitin 1988 raportin mbi përdorimin e gazit ndaj kurdëve nga ana e Sadam Huseinit, askush nga qeveritë perëndimore nuk u ngrit të denonconte, apo edhe të ndërhynte ndaj asaj masakre të madhe. Askush nuk iu kundërvu Sadamit", thotë Khan. Pas fillimit të luftës, Iraku u bë skenë e shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve me njerëzit. Për sa u përket mënyrave të torturave të përdorura nga CIA, ajo thotë se kur doli në dritë kjo e vërtetë në "Amnesty International", njerëzit nuk u çuditën. "Ne kishim intervistuar njerëz që kishin qenë në Guantanamo dhe e kishim informacionin për metodat e CIA-s. Ajo çka është me të vërtetë e tmerrshme, është se gjithçka u krye nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me aprovimin e tyre", thotë Khan. Ajo e ka përshkruar Guantanamon si "gulagu i kohëve moderne", çka ka bërë që Bush disa herë të hedhë poshtë vlerësimet e organizatës. Khan shpreson që më në fund një vend i tmerrshëm si Guantanamo të mbyllet këtë vit. Sipas saj, lufta kundër terrorizmit solli një përplasje të vërtetë të të drejtave të njeriut, duke çuar pas përparimet e bëra për dekada me radhë në këtë fushë. Megjithatë, ajo është optimiste për të ardhmen. Khan ka një formim shumë të mirë profesional. Ajo qëndroi në Bangladesh me babain e saj mjek dhe nënën deri në vitin 1973, më pas u largua për të studiuar jashtë vendit. Sistemi shkollor në Bangladesh ishte shkatërruar plotësisht pas luftës, kështu që, kur disa miq të huaj të familjes sugjeruan se për vajzën e tyre do të ishte më mirë të studionte jashtë, prindërit pranuan. Por ata nuk e merrnin dot me mend se çfarë do të thoshte për vajzën e tyre vajtja në Irlandën e Veriut. "Prindërit e mi nuk kishin qenë kurrë jashtë kontinentit aziatik dhe nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte në atë kohë në Irlandën e Veriut. Kur unë mbërrita në Kilkeel, Qarku i Dounit, dhuna sigurisht që nuk mund të krahasohej me vendin tim, por sërish ishte e pranishme. Kishte bomba dhe sulme nga ana e IRA-s. Situata në vendin tim të dytë ishte e tmerrshme në atë kohë, pra në vitet 1973-1975, në kulmin e turbullirave. Unë vija nga një luftë çlirimtare, te një luftë civile dhe kisha një përvojë të dhimbshme mbi atë çka lufta u bën njerëzve, qenies njerëzore dhe në ç‘mënyrë të padrejtë ajo i ndan komunitetet", thotë Khan, e cila kur mbërriti në veri të ishullit të gjelbër u dërgua në një shkollë katolike, ndërsa e motra në një shkollë protestante, kështu që të dyja kishin një këndvështrim krejt të ndryshëm për Irlandën e Veriut. Më pas, Khan studioi në Mançester dhe Harvard, para se të punonte me Komisionin Ndërkombëtar të Juristëve dhe Komisionin e Lartë për Refugjatët të OKB-së, në të cilin qëndroi për 20 vjet. Më në fund, pas shumë e shumë vitesh ajo e ndjen që kohët për drejtësi kanë ardhur edhe për Bangladeshin e saj. Ekziston një mundësi e mirë që kriminelët e luftës së vitit 1971 të dalin në gjyq. "Jam shumë e gëzuar që më në fund ka shanse të mira. Njerëzit ndihen mirë kur drejtësia vihet në vend, qoftë edhe kur kjo ndodh vonë, sepse nuk është kurrë vonë për drejtësi. Nëntorin e kaluar ajo u takua me një grua japoneze, e cila ishte detyruar të prostituonte nga ushtria japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë takimit, gruaja plakë i mori dorën Irenës dhe i tha se gjëja më e rëndësishme për të ishte vendosja në vend e drejtësisë dhe dënimi i shkaktarëve të dhimbjeve njerëzore. "Edhe pse dhjetëvjeçarë më vonë, dhimbja sikur të lehtësohet, kur merr vesh se të është marrë haku".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›