E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një biznesmen britanik ekstradohet në SHBA

Një biznesmen britanik i ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, pasi dyshohet se i ka shitur Iranit bateri raketash, është marrë në dorëzim nga autoritetet, pasi ka mbërritur në Teksas.

Biznesmeni Christopher Tappin, 65 vjeç, mbërriti në Huston pasi ishte nisur nga aeroporti londinez i Heathrow. Ai do të shfaqet para trupit gjykues ditën e hënë, në El Paso.

Dan Cogdell, avokat i Tappin në Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar se do të kërkojë me insistim që klienti i tij të lirohet kundrejt garancisë financiare.

“Nuk ka arsye të bazuara që të mendohet se ai mund të arratiset apo të përbëjë rrezik.

Ai është një biznesmen i respektuar, që nuk ka asnjë të dhënë kriminale”, ka thënë Cogdell.

Tappin, nga Orpingtoni, në jug të Londrës, ka luftuar kundër ekstradimit në gjykatat britanike, pasi u akuzua në Amerikë për organizim të eksportit të baterive që do të përdoreshin për raketat mbrojtëse të tipit “Hawk”.

Ai rrezikon të dënohet me 35 vjet burg, por thotë se është viktimë e një kurthi.

Gjyqtarët britanikë deklarojnë se ekstradimi i tij ishte i ligjshëm dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, ka refuzuar të ndërhyjë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›