E Diel, 1 Nëntor 2026

Një burrë me mision

13/06/2005  Edhe njëherë, ka ardhur momenti i Toni Blerit. Një Europë në krizë ka nevojë për një udheheqës. A mundet ai të përgjigjet?

“Bler duhet të bëhet një forcë bashkuese, jo përçarëse”. Eshtë e qartë, BE sot ka nevojë për lidership të mençur, më shumë se në çdo kohë tjetër. Nëse Bleri mund t’ia japë, Europa mund t’u mbijetojë jo vetëm shpërthimeve referendare të vitit 2005, por edhe të dalë në një formë edhe më të mirë, pikërisht falë tyre

Një mision. Pa një të tillë, Bleri nuk merr dot as frymë. Kosova, Afganistani, Iraku, ndihma për Afrikën – dhe tani, Europa. Aventurat e tij jashtë vendit kanë patur koston e tyre në Britani; popullariteti i tij personal ka rënë shumë, ndërsa avantazhi i partisë së Blerit është ngushtuar nga një palë zgjedhje në të tjerat

Stryker McGuire

Pikërisht, kur Toni Bleri ishte nisur drejt perëndimit, Franca dhe Holanda i kanë ridhënë atij jetë. JO-ja e tyre e dyfishtë ndaj kushtetutës europiane, e ka lënë vagonin e BE pa motor apo timon, vetëm me frena. Përpara se partia e tij laburiste të fitonte për të tretën herë radhazi muajin e kaluar, Bleri shpallte se nuk do të qëndronte sërish në zyrën e kryeministrit. Por nuk do të rrijë pa punë. Me Unionin që është zhytur në krizë dhe Britaninë që do të marrë presidencën e radhës në 1 korrik, Bleri e gjen edhe një herë veten në rolin që dashuron më shumë – një burrë e një mision. Komisioneri europian për Tregtinë, Peter Mandelson, dhe një prej këshilltarëve të Blerit thotë: “Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Toni Blerin, që t’i japë Europës lidershipin, për të cilin ajo ka aq shumë nevojë”.

Një mision. Pa një të tillë, Bleri nuk merr dot as frymë. Kosova, Afganistani, Iraku, ndihma për Afrikën – dhe tani, Europa. Aventurat e tij jashtë vendit kanë patur koston e tyre në Britani; popullariteti i tij personal ka rënë shumë ndërsa avantazhi i partisë së Blerit është ngushtuar nga një palë zgjedhje në të tjerat. Megjithatë, edhe duke marrë parasysh aleancën me George Bushin e SHBA, Bleri është ndoshta burri i shtetit më i adhuruar në botë. Në Europë, këto kohëra, edhe një Bler më i vogël do të kishte shumë peshë. As një në katër francezë nuk e mbështesin presidentin Zhak Shirak, mbështetja për të cilin ra me 16 përqind në vetëm një muaj. Sa për kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder, ai pritet që të largohet në vjeshtë. “Bleri është i vetmi lider që ka mbetur në Europë”, thotë Jiri Pehe, drejtor i Universitetit të Nju Jorkut në Pragë. ”Bler është i vetmi që vijon të ketë kredibilitet”.

Ka një ironi të madhe në krizën e lidershipit të Europës. Duke votuar kundër kushtetutës, elektorati i frikësuar i Francës dhe Holandës, ia ka dorëzuar çelësat e Europës, pikërisht armiqve të tyre. Bleri është shumë i mençur. Teksa i drejtohet samitit të BE në Bruksel këtë javë, ai do të vijë si Drejtori defacto i Europës së Re - kampion i ekonomisë së globalizuar të tregut të lirë, të cilën Shirak e hedh poshtë si modelin anglo-sakson dhe që, në referendumet e fundit, frikësoi aq shumë votues francezë dhe holandezë. Ata nuk e kuptuan aspak, ankohet komentatori politik francez Alain Duhamel, se duke hedhur poshtë kushtetutën, votuesit i vunë njëkohësisht shkelmin një vizioni francez për Europën si dhe i dhanë mbështetje perspektivës së "l'Europe anglaise."

Në Bruksel, Shiraku dhe Bleri do të vihen përballë si luftëtarë për të ardhmen e Europës. Beteja do të nisë me një debat lidhur me buxhetin e ri të BE – sidomos për çekun e shumëdiskutuar anglez. Britania është e vendosur të mbrojë zbritjen e kontributit të saj në buxhet, negociuar nga Margaret Thatcher 21 vjet më parë dhe që sot është 3.1 miliardë stërlina në vit. Nuk durohet më, tha Shiraku javën e kaluar. “Ka ardhur koha që miqtë anglezë të bëjnë një xhest solidariteti për Europën”. Harrojeni, u përgjigj menjëherë Bleri, duke treguar me gisht nga subvencionet e mëdha për fermerët francezë, të cilat kompensojnë kontributet e Parisit në buxhetin e BE. “Pa zbritjen, kontributi anglez do të kish qenë 15 herë më i madh se sa ai francez. Ky është xhesti ynë”, tha kryeministri britanik.

Zënka për buxhetin fsheh një ndarje edhe më të madhe. Siç e shohin britanikët, kundërshtimi i dyfishtë i muajit të kaluar ka vrarë kushtetutën europiane, të paktën për momentin. Eshtë koha që Europa të bëjë një pauzë, të reflektojë si dhe të reformohet, me qëllim që të rifitojë zemrat dhe mendjet europiane. Megjithatë, të tjerët nuk e shohin në këtë mënyrë, sidomos anëtarët e Europës së Vjetër, të udhëhequr nga Shrëderi dhe Shiraku – kërkesa e parë e të cilit ishte që anglezët dhe të tjerët të vijonin normalisht me referendumet e tyre, sikur të mos kishte ndodhur një tërmet. “Ata duan të tregojnë se gjithçkja shkon si zakonisht, ndonëse nuk është aspak kështu”, thotë Paola Subaki, e Institutit Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare në Londër.

Përplasja ka shumë gjasa që të ndikojë në çështjet më fondamentale të Europës – mes tyre, ku duhet të përfundojë BE? Pranimi vitin e kaluar i 10 anëtarëve të rinj, kryesisht nga Europa Lindore ngre spektrin e migrimit të pakontrolluar dhe forcës së lirë punëtore, kaq shumë kërcënuese për Francën dhe Gjermaninë, ku normat e papunësisë janë respektivisht 10 dhe 12 përqind. Në fakt, në referendumin e Francës, “hidrauliku polak”, shitur me këmbëngulje si term nga krahu që kundërshtonte kushtetutën, u bë një simbol ksenofob për humbjen e vendeve të punës; sondazhet treguan se 60 përqind e atyre që votuan kundër, e bënë këtë sepse mendonin që në vend kishte shumë të huaj. Një sondazh i ngjashëm i realizuar në Holandë përpara votimit të 1 qershorit, tregonte se 40 përqind e atyre që votuan kundër ishin edhe kundërshtarë të futjes së Turqisë në Bashkimin Europian.

Forcimi i ndjenjës së riantizgjerimit shqetëson jo vetëm Turqinë, që do të nisë në tetor bisedimet e pranimit, por edhe Rumaninë e Bullgarinë. Ato kanë firmosur marrëveshje për të hyrë në BE në 2007, por që tani në Bruksel ka nisur të flitet për shtyrjen e pranimit të tyre. Dhe mund të imagjinosh ndjesinë paralajmëruese në shtete si Ukraina dhe Moldavia, Serbia dhe Maedonia – apo në Bjellorusi, ku ditën e Shën Valentinit, qytetarët u veshën në blu për të shprehur dashurinë e tyre për Europën.

Për Europianët që jetojnë me frikë nga e reja, makthi i vërtetë është l'Europe anglaise. Me zgjerimin dhe përfshirjen në BE të kaq shumë vendeve proamerikane dhe liberal-ekonomikë nga Europa Lindore, Britania nuk është më e vetme në thirrjen e saj për reforma ekonomike dhe për rishqyrtimin e modelit tradicional të shtetit të mirëqenies në kontinentin e vjetër. Rënia e Shrëderit dhe ngritja me shumë gjasa e Anxhela Merkelit dhe Unionit të saj Kristian Demokrat në zgjedhjet gjermane këtë vjeshtë do të jetë një tjetër plus për kampin e reformave të udhëhequr nga britanikët. Ndonëse është e ftohtë sa i përket zgjerimit, ndonëse mbron një partneritet të privilegjuar me Turqinë dhe jo anëtarësim të plotë në BE, Merkel është shumë më pranë Blerit në çështjet ekonomike se sa është Shrëderi sot.

Këto rreshtime zhvendosëse vijnë në një kohë shumë të rëndësishme. Papunësia e lartë dhe sëmundja e rritjes së ulët ekonomike në kontinent ka gjasa të shkaktojë kundëreagime. Shihni fushatën e anëtarëve të rëndësishëm të Lega Nordit në Itali, një prej katër partive të koalicionit qeveritar të kryeminsitrit Silvio Berluskoni, për të hedhur tej Euron dhe rifutur liretën. E ndërkohë që ekonomia e Britanisë mbetet relativisht e fortë, vendi ka një defiçit tregtar të madh dhe ka humbur më shumë se 1 milionë vende pune në prodhim që kur Bleri erdhi në pushtet në vitin 1997. Me rritjen e shpenzimeve sociale, qeveria ka nisur të studiojë ekonomitë e vendeve nordike, për të gjetur zgjidhje për problemet e veta.

Të ndërgjegjshëm për pasigurinë që mbizotëron në Europë, thotë ish minsitri britanik për Europën, Denis McShane, Bleri duhet të “shmangë tundimin për tu bërë pastori i Europës”. Ose siç thotë Mandelson, javën e ardhshme në Bruksel, “Bler duhet të bëhet një forcë bashkuese, jo përçarëse”. Eshtë e qartë, BE sot ka nevojë për lidership të mençur, më shumë se në çdo kohë tjetër. Nëse Bleri mund t’ia japë, Europa mund tu mbijetojë jo vetëm shpërthimeve referendare të vitit 2005, por edhe të dalë në një formë edhe më të mirë, pikërisht falë tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›