"Një citim, pas deklarimit të një ambasadori në Prizren"
Në origjinë të kësaj letre qëndron polemika e lindur në Kosovë prej pak javësh, lidhur me ndërhyrjen e Ambasadorit turk në Xhaminë e Prizrenit, gjatë të cilës diplomati mik deklaroi se Perandoria Otomane nuk ka qenë një fuqi pushtuese në atë rajon. Mbi këtë bazë arsyetimi, ai kërkoi që librat shkollorë ta pasqyronin më mirë këtë.
Historiani Drançolli, mes të tjerash, pasi rikujton rezistencën e shqiptarëve nën Gjergj Kastriotin, si edhe kryengritjet e shekujve të XVI dhe XVII, thotë se "historia e rezistencës së popullit shqiptar mund të tregojë se ky i fundit ishte kundërshtar i sistemit të Perandorisë Otomane". Në vazhdim, ai nënvizon lëvizje të tilla si ajo e Lidhjes së Prizrenit dhe të Pejës, qëllimi i të cilave ishte "përmbysja e pushtetit otoman" ndërkohë që, sipas tij: "...Në shekullin e XIX, atëherë kur kjo Perandori hyri në një krizë të thellë, situata sikur u zbut disi... dhe në këtë kontekst, Shqiptarët hynë në shërbim të Perandorisë Otomane, duke kontribuar në zhvillimin e kësaj të fundit".
Siç shihet, reaksionet e mjediseve historike të Kosovës janë të prera. Perandoria Otomane ka qenë një forcë pushtimi.