E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kryeministri na tha: Ta gëzoni ujin! Por ujë nuk po kemi..."

Nëpërmjet jush, dua që troç të pyes Ministrinë e Transporteve, Punëve Publike e Telekomunikacionit: Ku shkuan miliarda lekë të shpenzuara për Ujësjellësin e qytetit të Peshkopisë në rrethin e Dibrës që sot, pas përurimit nga vetë Kryeministri, është i mbyllur?!

Para zgjedhjeve të 18 Shkurtit 2007, në prag të ditës së votimit, kryeministri Berisha dhe Kryetari i Bashkisë prenë shiritin blu, përuruan Ujësjellësin e ri të qytetit, ujësjellësin me shpim, me pompa, me burim nga lumi Drin. Duheshin vota.

"Ta gëzoni ujin,- tha Berisha në mitingun elektoral në Peshkopi,- do të keni 24 orë ujë". Shumë fjalë, dyshime, fakte kompromentuese kishte për këtë ujësjellës, por njerëzit heshtën, pasi ishte "Kryeministri" ai që i "vu vulën". Iku Kryeministri, iku 18 Shkurti, mori mandatin Kryetari i Bashkisë dhe uji u ndal.

Mos e zuri gjë kuçedra?! Jo. U vërtetuan pikë për pikë të gjitha mëdyshjet e qytetarëve, kur uji nga tubat doli jeshil, kur njerëzit filluan të shtrohen në spital, atëherë "u zgjuan strukturat" dhe thanë se uji tani na qenka i papijshëm, me mbetje toksike, kimike, baktere e fekale. Pra, dallkaukët që bënë Ujësjellësin, nuk paskan bërë analiza para së të fillonin punimet! Kur punonin, thonin uji është qelibar, kemi bërë analizat, mos u besoni komunistëve!

Nga ana tjetër, thuhet se kostoja e këtij uji është shtatë herë më e lartë sesa e Ujësjellësit të Korabit, pasi uji i pusit duhet ngritur me pompa, (sa turp, Dibra po mbytet nga burimet e kristalta e duhet të pijë ujë pusi!!!), pompat duan energji e energjia, edhe kur të jetë, ka kosto.

Pra, ujësjellësi që kishte kushtuar miliarda, u mbyll, u la në mëshirë të fatit, u vodhën totalisht kabllot, është kthyer thjesht në gërmadhë. Gërmadhën askush nuk e merr në dorëzim që të justifikohen paratë e shpenzuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›