E Diel, 1 Nëntor 2026

Një copë nga deklarata e një parlamentareje, dy komente të plota lexuesish dhe komenti im

13-08-2012 / Nga Eden Babani

Sipas një të përditshmeje kryeqytetase, Ermonela Felaj, deputete e PS-së, ka deklaruar: “Bujar Nishani vuri njeriun e Gazidedes në krye të SHISH, ai e di mirë pse Saliu do ta ketë në dorë SHISH. Nishani na ktheu pas në kohë. Berisha e shërbëtori i tij nuk pyesin për askënd, nuk këshillohen as me aleatin tonë më të madh, SHBA” (Lajthitjet gjuhësore nuk janë miat). Lexuesi me emrin Dulla, komenton: “Ah sa e doni ju Amerikën, moj zonja Felaj, ju qan zemra... hipokrizi e gjallë”. Kurse lexuesi me emrin Tosi: “Po kush duhet ta emëronte moj zonjë, Rama? Po pse voton populli atëherë që pakica të bëjë ligjin dhe shumica të fryjë sytë nga qielli? Lexoni ligjet përpara se të dilni e të bëheni qesharake në sytë e botës, se çka thoni sot e hani nesër, apo s’ka rendësi kjo, rendësi ka që t’i bëni fresk Ramës kur shkruan në Twitter…”
Qysh në fillim, një sqarim për lexuesin e gazetës “55”: Nuk kam bërë heqje ose shtesë në copën (fragmentin) e deklaratës së zonjës deputete. Zaten, as që e kam lexuar të plotë, pasi  nuk kam kohë të tepërt ta kërkoj, ta gjej e ta lexoj. Më mjafton kaq sa ka botuar e përditshmja kryeqytetase. Të tjerat i marr me mend. Po ashtu, s’i kam prekur as komentet e lexuesve, të cilat po i jap të plota. Me një fjalë, jam i qetë se nuk do të më akuzojë kush për censurë. Madje, që të jem sa më i saktë: tekstet i kam marrë nga faqja online e së përditshmes e i kam hedhur në ueb-in tim me mënyrën “copier – coller” (kopjo – ngjit).
Dhe tashti, pas kësaj hyrjeje paksa të lodhshme, drejt e në thelbin e çështjes.
Së pari, të gjithëve na e do zemra që një parlamentar, i cilitdo krahu qoftë, kur del e bën një deklaratë përpara mediave të qëmtojë etikën që i takon si përfaqësues i një partie në institucionin më të lartë të ligj-vënies. Me këtë rast, dua t’i kujtoj zonjës deputete kodin tonë zakonor, sipas të cilit shqiptari, prishtinas qoftë, ulqinak, tetovar, krutan, beratas, konispolat...  përkulet me respekt përpara kujtimit të një tê vdekuri. I ndjeri Bashkim Gazidede sot nuk i takon më botës së të gjallëve, pra s’ka përse të përgojohet vend e pavend për meskinitete mllefesh politike, fjala vjen, sepse dikur paska pasur në administratën e vet Kryetarin e sapoemëruar të SHSH-it, zotin Visho Ajazi. A e di zonja Felaj se i ndjeri Gazidede, pas një emigracioni të përkohshëm në Turqi për shkaqe politike, u kthye në Atdhe dhe mori pafajësinë ndaj padive monstruoze me të cilat e paditi pushteti i dalë nga gryka e kallashëve të bandave kriminale të Komiteteve famëkeqe të Shpëtimit, për çka asaj i qaka zemra ende? Të isha në vend të saj, do të kafshoja gjuhën e do t’u kërkoja falje për përgojim familjarëve të të ndjerit. Në të njëjtin kontekst, atë të etikës, edhe zënia në gojë e emrit të Kryeministrit të Shqipërisë, sipas stilit rrugaçëror të padronit të saj. Do ose s’do zonja deputete e PS-së, zoti Sali Berisha, por jo “Saliu”, përfaqëson pushtetin e shumicës në Republikën e Shqipërisë, qoftë brenda vendit, qoftë jashtë, në marrëdhënie me Bashkësinë Ndërkombëtare, madje edhe me SHBA, “aleatin tonë më të madh”, për çka përgjigjen më bukur sesa unë, asaj ia ka dhënë lexuesi-komentues me emrin Dulla.
Së dyti, do të dëshiroja ta pyesja zonjën Felaj: Pse shqetësohet kaq shumë për këtë dekret të zotit President, jetësuar në mbështetje të të gjitha prerogativave kushtetuese që i njeh Institucioni i Presidencës? Sipas lexuesit-komentues me emrin Tosi, ajo do të donte që zoti Nishani të kërkonte lejen e kryetarit të saj, Edi Ramës, nëse duhej shkarkuar ose jo paraardhësi i zotit Visho Ajazi dhe, në vend të tij, të emërohej ky i fundit. Nga ana ime, do t’i shtoja komentit të Tosit se zonja deputete, pavarësisht petkut parlamentar që mban, dyshoj se ka pranuar me vetëdije të bëhet qesharake, pasi dihet se, pas zotit Bahri Shaqiri, radha i vjen zonjës Ina Rama dhe pas saj, nuk dihet ç’rrugë do të marrë puna e dosjeve, stivuar prej vitesh në Prokurorinë e Përgjithshme, siç thuhet haptazi në shtyp. Mos është ky shkaku i ndryshimeve kushtetuese që kërkojnë socialistët, përpara se të japin votën e tyre për heqjen e imunitetit?
Së treti, zonjës Felaj do t’i rekomandoja ta lexonte e ta rilexonte Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pse jo, edhe ta konspektonte siç ndoshta ka bërë qëmoti me veprat e Enver Hoxhës. Madje do t’i uroja që t’ia kalonte në këtë drejtim edhe koleges së vet Hysi. Unë po sjell thjesht në kujtesë të lexuesit se në nenin 4 të Kushtetutës, pika 2, thuhet: “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Atëherë, e pyes zonjën Felaj: Kujt mund t’i merrte leje zoti Nishani, përveçse Kushtetutës dhe ndërgjegjes së vet për të mos e shkelur atë me këmbë? Na ktheu mbrapa apo na çoi aty ku duhet të ishim së paku një vit e ca përpara, më 21 janar 1911? Sa për aleatët, ata i dinë më mirë sesa zonja Felaj detyrat e të drejtat e tyre në raport me një vend të pavarur. Siç japin rekomandime për pozitën, ata japin edhe për opozitën. Lista është pambarimisht e gjatë, ndërsa shqiptarët e dinë mirëfilli ku është shumica qeverisëse dhe ku pakica opozitare në lidhje me rekomandimet e tyre miqësore. Le të kujtojmë përpjekjet e tyre më të fundit, ato për të arritur kompromisin dhe votimin e ligjit për heqjen e imunitetit. Nëse një “zyrtar i rëndësishëm” i një ambasade X në Tiranë, qoftë edhe i Ambasadës së SHBA, qenka “befasuar” prej kësaj lëvizjeje krejtësisht transparente, kjo nuk do të thotë se bashkësia ndërkombëtare ose Departamenti i shtetit i SHBA kanë shprehur qëndrimin e vet zyrtar.
Së katërti, për zëvendësimin e kreut të SHISH-it, u shpreh edhe ish-presidenti Topi me një intervistë në Zërin e Amerikës, çka nuk duhet ta bënte, që të mos i hapte punë vetes, së paku, për një nga çështjet më të debatueshme të presidencës së vet. Sipas tij, zëvendësimi i zotit Shaqiri me zotin Ajazi nuk ka as njëlloj surprize, pasi gjithçka e ka paralajmëruar ai vetë katër vjet më parë... Për mua, deri këtu, gjithçka është e qartë. Ish presidenti rreh të mbijetojë në politikë nën hijen e Edi Ramës, të cilit i dha votën për kryetar bashkie. I paqartë mbetet fakti pse e përditshmja që po i bën jehonë të madhe një lëvizjeje zyrtarësh të lartë që, gjithsesi, është në dobi të sigurisë kombëtare, nuk sjell edhe një pyetje shumë kuptimplote të Zërit të Amerikës. Po e sjell të plotë për lexuesin e “55-s”: “Zoti Topi, marrëdhëniet e kryeministrit Berisha me shefin e shërbimeve të zbulimit ishin të vështira dhe në kushte të tilla edhe bashkëpunimi institucional dhe kryerja e punës për këtë sektor nuk mund t’i kenë shpëtuar ndikimit. Në qoftë se kreu i ekzekutivit kërkon të ketë një njeri qe e beson dhe me të cilin mund të bashkëpunojë, përse nuk ka qenë e mundur zgjidhja e kësaj çështjeje gjatë gjithë këtyre viteve me një kandidaturë të përshtatshme?” Përgjigjja e zotit Topi është një sorollatje pa kuptim për të fshehur shërbimet e ndaj opozitës së majtë, me shpresë që ajo ta ndihmonte për një mandat të dytë presidencial.
Së fundi, zonja Felaj, lideri i saj dhe shpura që ai drejton me shkopin e dirigjentit, të harrojnë kohën kur President i Republikës luante letrat e opozitës, duke u kthyer krahët të vetëve që e votuan.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›