Një dasmë befasuese
Këngëtarja e “Etheve”, Teuta Kurti është duke na përgatitur një dasmë “surprizë”. Kështu ka thënë këngëtarja gjatë një bisedë të shkurtër me Express, ku ka thënë se ajo bashkë me të fejuarin e saj Dardanin do të përgatitin një “surprizë” për martesën e tyre.
“Sigurisht do të jetë një ‘surprizë e dorës së parë dhe vetëm do të më shihni të veshur me ‘dimija”, ka thënë Kurti për Express.
Sipas saj, thashethemet e deritanishme për të dhe lidhjen e saj nuk kanë qenë aspak të vërteta, sepse ajo do e bëjë dasmën atëherë kur të tjerët nuk do e mendojnë.
“Pra, do të martohem atëherë kur të tjerëve nuk do ua merr mendja”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, Teuta ka folur edhe për projektet e saj dhe pjesëmarrjen e saj në Top Fest. Ajo ka thënë se tashmë ka përgatitur një baladë dhe ashtu sikurse viteve të kaluara, do të merr pjesë në festivalet e Shqipërisë.
“Është e vërtetë që do të marr pjesë në Top Fest. Kam marr pjesë edhe në vitin pasi që mendoj se atje kam një hapësirë më të madhe për promovim të këngës. Kjo është hera e tretë që marr pjesë përderisa jam shpërblyer me këngën ‘Mbretëreshë’”, ka thënë Kurti.
Sipas saj, pjesëmarrja në këtë edicion është edhe më e veçantë për shkak të promovimit dhe këndimit ‘live’ që do të bëhet, ku këngëtarët do të përcillen nga një bend i mrekullueshëm i Top Channel. “E them edhe tani se ky bend është një bend i nivelit evropian apo botëror, ku yjet mund të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre që kanë”.
Ndryshe, për Kurtin dhe debatet që janë bërë për ndonjë “dallaver” nëpër festivalet shqiptare, ajo ka një mendim ndryshe pasi që thotë se çdo këngëtar ka baticat dhe zbaticat e tij. “Nëse nuk marrim çmim, ne reagojmë, pra jemi mësuar me këto gjëra. Edhe unë jam zhgënjyer, por mendoj se Top Fest, por edhe Kënga Magjike janë festivale të mira që i japin mundësi promovimi edhe këngëtarëve të rinj sepse këngët e tyre dëgjohen shumë nëpër radio, pastaj në televizion, kështu që adhuruesi është më afër krijimit artistik që ju e bëni”.
Kënga që do të këndojë ajo në Top Fest është punuar nga Ilir Tolaj.
Ndërkaq, Teutën tashmë jemi mësuar ta shohim edhe në emisionin e Besim Dinës, “Oxygen” për të cilin thotë se ka marrë lëvdata të shumta, sidomos për edicionin festiv të Vitit të Ri. “Jo pse jam pjesë e atij emisioni, por kur kam dalë në Prishtinë, por edhe në vende të tjera në kënd jam takuar, kam marrë vetëm kritika pozitive për të”. Ajo ka lavdëruar edhe prezantuesin dhe autorin e këtij emisioni Besim Dina, të cilin e ka quajtur një show man të vërtetë, inteligjent dhe të guximshëm.
Kurti po ashtu ka shtuar se ajo nuk është një këngëtare e cila bën për çdo këngë edhe klipe. “Kjo sepse nuk janë kushtet financiare, sepse ka shumë pak sponsorë dhe nuk dëshiroj që gjithsesi çdo kënge t’ia punoi edhe klipin, madje mendoj se jo për të gjithë këngëtarët janë kushtet për të bërë një gjë të këtillë, që çdo muaj të bëjnë një klip”.
Nga ana tjetër, Kurti ka thënë se ajo nuk e ka në plan të ngutet me album, përderisa për albumin e saj të parë ka falënderuar KTV-në.
“Por, kohëve të fundit është bërë e padobishme të bëhen albume sepse menjëherë pas publikimit të tij, këngët publikohen në youtube.com dhe nëpër ueb-faqe të ndryshme të internetit”.