E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2010, test për Obamën

Pas suksesit në Samitin njëditor Bërthamor të OKB-së, Presidenti i kënaqur amerikan, Barak Obama, njëkohësisht ishte edhe realist. "12 muajt e ardhshëm do të jenë tejet të rëndësishëm", tha Obama. Suksesi i qëndrueshëm, është i vetëdijshëm ai, gjendet prapa disa pengesave, të cilat duhet të tejkalohen gjatë vitit 2010. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me Obamën si kryesues dhe me burrështetasit e tjerë botërorë përreth tij, miratoi javën e kaluar njëzëri strategjinë ambicioze për të lëvizur drejt botës pa armë bërthamore. Ky synim u përqafua qysh më herët nga Obama, në fjalimin e tij të mbajtur në prill, e me këtë rast ai u zotua se do të ndjekë disa hapa specifikë, tani të përfshirë edhe në dokumentin e OKB-së.

"Por ne nuk kemi kurrfarë iluzionesh sa u përket vështirësive", tha Obama javën e kaluar gjatë seancës së Këshillit. Më poshtë do të bëjmë analizën e disa vështirësive, me të cilat do të përballet administrata e Obamës në përpjekjet për jetësimin e synimeve të veta të mëdha. Traktati për ndalimin e testeve: Traktati për ndalimin e testeve, i nënshkruar në vitin 1996, me të cilin ndalohen të gjitha testet bërthamore, mbetet një traktat i suspenduar, ngaqë ai ende nuk është ratifikuar nga nëntë shtete, të cilat posedojnë armë apo reaktorë bërthamorë, përfshirë këtu edhe vetë SHBA-në. Një dekadë pasi Senati i kryesuar nga republikanët refuzoi traktatin, Shtëpia e Bardhë tani shpreson që traktati do të ratifikohet në vitin 2010. Traktati për material të zbërthyeshëm:

Konferenca për Çarmatim, një organ i OKB-së me 65 shtete anëtare, me seli në Gjenevë, ka mbetur për 12 vjet e bllokuar në përpjekjet për të iniciuar negociatat për Traktatin për Ndalimin e Materialeve të Zbërthyeshme, me të cilin ndalohet prodhimi i materialeve për armë bërthamore, një bllokim që në pjesën më të madhe ndërlidhet me qëndrimin e SHBA-së. Administrata e George Bush-it e ka kundërshtuar këtë traktat, me arsyetimin se ai nuk mund të verifikohet në mënyrë të besueshme. Obama devijoi nga ky qëndrim dhe kërkoi një traktat të verifikueshëm. Në maj, Konferenca në Gjenevë arriti pajtimin për axhendën për këto negociata. Sidoqoftë, në shtator rezistenca e Pakistanit bllokoi përparimin e mëtutjeshëm në këtë fushë. Administrata e Obamës ka premtuar përpjekje të shtuara diplomatike në takimin e radhës së Konferencës, i cili zhvillohet në janar.

Obama, vitin e ardhshëm, do të jetë i ftuar te Samiti për Siguri Bërthamore, ku do të diskutohet për masat që duhen ndërmarrë për të parandaluar rënien e këtyre armëve në duart e terroristëve. Në rezolutën e OKB-së, nga shtetet u kërkua që të ndërmarrin masa shtesë për të parandaluar trafikun bërthamor, për të mbrojtur objektet e tyre bërthamore dhe për të ashpërsuar eksportin bërthamor. Askush nuk dëshiron terroristë të armatosur me armë bërthamore, por qeveritë nuk dëshirojnë as kufizime të mëdha në tregun dobiprurës me teknologji bërthamore.

Traktati për moszgjerim:

Në maj të vitit të ardhshëm, OKB-ja zhvillon konferencën që e mban një herë në dy dekada për të forcuar Traktatin për Moszgjerim Bërthamor, të nënshkruar në vitin 1968. Traktati ngërthen në vete dy elementet e Rezolutës së OKB-së, të inspiruara nga Obama - ndalimin e përhapjes së armatimit dhe në fund edhe eliminimin e arsenalit bërthamor të pesë fuqive kryesore bërthamore. "Do të ketë goditje", theksoi Obama javën e kaluar, i vetëdijshëm për vështirësitë që janë para tij. "Por, do të ketë edhe ditë të këtilla si kjo, të cilat do të na shtyjnë përpara", nënvizoi ai.

Marrë nga AFP

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›