Një derë gjysëm e hapur
Ndoshta e kishte fajin shija e hidhur e 23 qershorit. Por dy muajt që pasuan, sidomos gushti me vapën e tij dhe zbrazëtinë politike, ka sjellë një heshtje thuajse mosekzistence të FRD, një parti shpresëdhënëse për shumëkënd. Ndoshta e kanë fajin vet të arratisurit e Frymës së Re Demokratike nëpër plazhe pas dështimit të pamerituar, por të gjitha së toku nuk duhet tia mbyllin përfundimisht derën kësaj partie të djathtë, e cila u krijua pikërisht për atë që parashikoi: humbjen spektakolare që e priste lidershipin e Partisë Demokratike për shkak të politikave të tij qeverisëse e partiake.
Është folur shumë për blerjen (lexo-kalimin) e votave të PD prej LSI. Por, nuk duhet harrur se Fryma e Re Demokratike i rrëmbeu së djathtës plotë 29.500 vota. Po të ishte grupuar në njerin prej koalicioneve të mëdha, këto vota mund të ti sillnin asaj disa deputetë për Kuvendin e Shqipërisë.
Pavarsisht votave, vet humbja aq e thellë e PD tregoi se sa të drejtë kishin pasur themeluesit e Frymës. Tashmë të gjithë janë të bindur se pesha kryesore dhe faji për këtë humbje bie mbi Sali Berishen dhe drejtimin e tij qeverisës, por edhe sjellja aspak demokratike brenda PD-s. Madje kjo ishte arsyeja që i detyroi shumë nga drejtuesit e Rinj Demokratikë të distancoheshin prej mënyrës së tij autoritariste dhe të krijonin këtë formacion politik.
Por me vjeshtën dhe shirat e saj, priten që erëra më të forta të fryjnë nëpër koridoret, deri tani të bllokuara të PD. Në se atje i bëhet një analizë e vërtetë shkaqeve të humbjes, nëse atje nisin e zvendesohen një e nga një të gjithë drejtuesit e kryesisë së vjetër, por edhe drejtuesit kryesore nëpër rrethe e qarqe, në se atje nis debati i plotë i përgjegjësive, atëherë, – tashmë pa diktatin e Sali Berishes,- mund të krijohet një çarje e re. Sulmet kunder A. Patozit e mendimeve të tij për zgjedhjen e kryetarit te ri të PD janë një tregues paraprak.
Sido që të ndodh, kjo lëvizje nervoze nuk është aspak e nevojshme për politikën shqiptare në përgjithësi.. Nuk është e nevojshme jo vetëm se monopoli i partive tradicionale të mëdha është ende i fortë, por eksperienca ka treguar se parti të tilla bijëza kanë pësuar disfata.
FRD, ndonëse jo siç ëndërronte, fitoi, siç thame, afro 30 mijë vota. Ajo duhet të mbetet një derë e hapur për lëvizjet e pritshme në PD duke forcuar kështu jo vetëm ekzistencën, por edhe dinjitetin e së Djathtës në përgjithësi. FRD ka një numër të konsiderueshëm intelektualesh, – natyrisht jo të tipit Biberaj-, të cilët mund ti japin së djathtës së vërtetë një fizionomi perëndimore, sepse pikërisht për këtë ajo u krijua. FRD tentoi të largohej nga drejtimi i diktatit neokomunist të Berishës, nga formatimi konglomeratik i ideve dhe individëve që u ngjitën në PD pas shëmbjes së komunizmit, tentoi ta bëjë më shumë morale politikën e së djathtës dhe më serioze peshën e saj për demokracinë shqiptare.
Edhe sikur disa emra të rëndësishëm të PD ti bashkangjiten FRD në muajt e ardhshëm, atëhere kapitali i saj politik frymon me shumë, pa llogaritur që të ikurit mund të jenë edhe deputetë.
Natyrisht me këto mendime ne nuk patëm parasysh edhe lëvizjen tjetër; kryetari i sapo zgjedhur i PD, Lulëzim Basha, mund të aplikojë një taktikë pajtuese me zotin Topi për ta rikthyer përsëri në PD. Por besoj tek morali dhe sedra politike të ish- presidentit, kam parasysh gjithashtu faktin se Sali Berisha, ndonëse i mundur, nuk është larguar aspak nga drejtimi i PD, mund të përjetohet gjithashtu zhgënjimi total i mbështetësve të FRD, në se do të ndodhte një afrim i tillë biberian. Atëhere dështimi i FRD do të ishte i paimagjinueshëm.
Si do që të rrjedhin ngjarjet, FRD nuk duhet ta mbyll aq shpejtë derën e saj, madje vjeshta duhet ta gjallërojë anëtarësinë e saj, sikur të mos ketë ndodhur kurrfarë humbje, edhe për kohen e shkurter te aktivitetit të saj, pse jo edhe mungesën e fondeve për të kompletuar strukturat e saj. FRD mund të bëhet një LSI e djathtë shumë shpejtë në skenën politike shqiptare.
