E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha dhe deti

manajNga Arben Manaj

 

Duket se çështja e Kishës së Permetit dhe Marrëveshja e Detit, do të jenë shumë lartë në axhendën diplomatike të Greqisë, kur shefi i diplomacisë greke të jetë në Tiranë pas instalimit të qeverisë së re në Tiranë.

Fatkeqësisht, këto dy çështje do të ngrihen nga diplomacia greke në një moment të veçantë politik dhe protokollar për Shqipërinë dhe Greqinë.

Shqipëria është më afër se kurrë, siç duken të gjitha gjasat, për marrjen ne fund të vitit të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, pas zgjedhjeve, që nëse do të citoj ambasadorin amerikan në Tirane, ishin po aq të rëndësishme sa dhe ato të 92-shit.

Ka një moment politik në Evropë për ti hapur dritën jeshile këtij statusi nga Brukseli, ku padyshim do të ketë kushte  dhe detyra shtepie të atashuara, të vjetra dhe të reja, si dhe afate kohore.

Por, siç ndodh shpesh me praktikat diplomatike greke, e cila ka avantazhin e zërit dhe vetos në BE apo në NATO, në momente delikate dhe të disfavorshme për fqinjët e saj, ajo shantazhon. Kujtoj këtu rastin e Maqedonisë, se si Komisioni Evropian u desh të vonohej në njoftimin e lajmit per dhënien e statusit kandidat për Maqedoninë në Bruksel, pasi Greqia kishte vendosur kushte dhe po gjendej një e mesme e artë për ta eliminuar veton greke.

Këte ma konfirmoi vet ish-komisioneri Rehn në atë mot në Bruksel, i cili mu shfajësua për vonesën dhe pritjen, kur po i merrja një intervistë televizive për BBC, pikërisht atë ditë.

Gjasat që Greqia të luajë me të njëjtën kartë po aq fortë për Shqipërinë për çështjen e statusit kandidat, janë shumë më të pakta për shumë arsye, kur vjen puna tek bllokimi si i tillë, i marrjes së statusit.

Praktikisht, ka një shumicë dërrmuese nga vëndet e BE-së, që janë të kënaqura me mënyrën e zgjedhjeve shqiptare, pse jo edhe me rezultatin e tyre në Shqipëri, edhe pse kjo fshihet, ose nënkuptohet, po në mënyrë diplomatike.

Por, Greqia, normalisht nëse nuk mund të arrijë të bllokojë marrjen e statusit, duke ngritur edhe çështjen e pronave të Kishës në Shqipëri, a thua se flet për ishullin e Kretës, të paktën do të tentojë ta vendosë atë si kusht, që do duhet parë dhe zgjidhur nga qeveria e re e Tiranës.

Greqia për dallim nga ato kohë të arta influence, tashmë për shkak edhe të krizës ekonomike, nuk e ka më atë fuqi argumentimi dhe gatishmërie për tu dëgjuar seriozisht nga të tjerë vënde anëtare, që do duhet të mendojne se këto janë problemet e fundit, që do duhet të preokupojnë Greqinë në tryezat e BE-së, nisur nga andrallat dhe sfidat që ka si shtet dhe ekonomi.

E meqë jemi tek çështja e Kishës së Përmetit, që duket se përbën limanin e ri, ku ka hedhur litarin e ankorimit diplomacia greke, shteti shqiptar padyshim ndodhet përballë një sfide dhe lëvizje, sa të qartë, aq edhe delikate.

Harmonia fetare është ajo që i dallon shqiptarët dhe me të cilën me të drejtë mburemi dhe krenohemi, sidomos në Ballkan, por edhe më gjerë.

Personalisht mendoj se në parim, prona duhet të shkojë tek i zoti, qoftë edhe ajo fetare, sadoqoftë ajo në përmasa. Nëse i janë marrë Kishës Ortodokse 25 apo 30 metra katrore në Përmet nga atelizmi komunist, ti jepet, madje edhe pak më shumë se aq, nëse insiston po në atë vënd ku ka qënë Kisha e dikurshme.

Me punët e Zotit dhe prekjen e vëndeve të ushtrimit të besimit fetar, pa pasur supersticion, njerëzia do duhet të ketë kujdes të posaçëm.

Por, edhe me punët e shtetit, askush nuk do duhet të luajë si të dojë, siç ka ndodhur shpesh.

Nëse duam shtet që respekton ligjet dhe vendimet e gjykatave dhe sistemit të drejtësisë, le të fillohet dhe respektohen apo edhe të apelohen edhe më lart apo edhe më larg Shqipërisë, por gjithmonë në frymën e ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Marrëdhëniet me Greqinë do testohen pamëdyshje edhe për çështjen e Marrëveshjes së Detit, kur Tiranën ta vizitojë Venizellos, ministri i Jashtem socialist i kryeministrit të Nea Demokracisë, Samaras.

Greqia vitin e ardhshëm merr Presidencën e radhës së BE-së dhe për të është një rast oportun për të ushtruar trysni diplomatike dhe politike ndaj Tiranës, e cila do investojë shumë energji dhe përpjekje, nga sa kuptohet, për një stad më të ri marrëdhëniesh me Brukselin.

Nëse Tirana do tregohet dinjitoze dhe pa kompleske në kundërpërgjigjet dhe sjelljet e saj me Athinën, ska dyshim që Greqia nuk është se do ketë fuqinë e dëmtimit të pariparueshëm të shanseve integruese shqiptare, se sa do të ndikojë në vonesa dhe sensibilizime cështjesh që mund të merren apriori si të mirëqëna, siç do paraqiten nga pala greke.

Kuptohet, kjo sa për shkak të pozicionit monopol që ka Athina në tavolinat e vendim-marrjes evropiane, aq edhe për faktin që realisht, mund të mos i interesojë dhe aq shumë të tjerëve për tu informuar aq sa duhet, në detajet dhe versionin respektiv shqiptar.

Duke ju referuar citimit të famshëm të Hillary Clinton se pjesë e diplomacisë është hapja e definicioneve të ndryshme të interesit vetjak, padyshim që Tirana dhe Athina do luftojnë si edhe në të kaluarën, nga pozita jo fort të barabarta për interesat respektive kombëtare, edhe për këto dy çështje thumb në marrëdhëniet diplomatike mes tyre.

Kur Maqedonia, një shtet shumë herë më i vogël se Shqipëria, edhe kur kishte në rrezik një çështje kaq kardinale si anëtarësimi në NATO, nuk u tërhoq nga presioni dhe trysnia helene apo edhe e të tjerëve nën lobimin grek, në rrëthana të tjera nga këto të sotmet e Shqipërisë, do të ishte a pafalshme, madje e dënueshme, që Tirana e re zyrtare të kompleksohej dhe të vepronte si e tillë.

Feja e shqiptarit është shqiptaria, trumpetuan Rilindasit e vërtetë shqiptarë të një kohe tjetër të urgjencës kombëtare, ndërsa këta të vetënominuarit e sotëm, do duhet që fe të shqiptarëve, përveç shqiptarinë, njëkohësisht të kenë edhe shtetarinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›