Një diktaturë që po lindte

Portrete shkrepur nga Filip Vito në Fushëbardhë më 1948
Gilles de Rapper & Anouck Durand
…Vijon nga dje
Vendosja e regjimit të kontrollit të shtetit Komunist
Mbërritja e Filip Vitos në 1948-ën nuk është manifestimi i parë i kësaj veprimtarie të shtetit. Në shtator të vitit 1945, fshati kishte pritur më parë agjentët e regjistrimit të parë të popullsisë së pas luftës, për të përgatitur listat elektorale të zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 1945.
Një regjistrim i dytë i popullsisë ishte organizuar në shtator të 1950-ës, dy vjet pas vizitës së Filip Vitos, për të shënuar lëvizjet e popullsisë të viteve 1945 dhe më pas edhe për të përditësuar regjistrat themeltarë. Në vitin 1950, mjetet për tiu provuar agjentëve të regjistrimit identitetin ishin letërnjoftimi, certifikata e lindjes dhe libreza ushtarake, gjë që duket se e vërteton se jo e gjithë popullata ishte në atë kohë e pajisur me një kartë identiteti.
Marrja nën kontroll e popullatës nga regjimi i ri manifestohet edhe në fusha të tjera. Në vitin 1946, bëhet çarmatimi i popullsisë; sipas autorëve të një historie të kohëve të fundit mbi fshatin ai realizohet me dhunë. Përçarja që ndodhi si pasojë e luftës civile që i vendosi kundër njëri-tjetrit komunistët fitimtarë dhe ballistët e mundur – shpesh anëtarë të së njëjtës familje në fshat – mbetet akoma e hapur dhe do të jetë në vijimësi e pranishme edhe pas 1948-ës. Ballistët burgosen ose ekzekutohen në fund të luftës, ndërsa deri në 1950-ën, të infiltruarit (diversantët) ushtrojnë presion mbi pushtetin e ri duke vrarë disa nga përgjegjësit lokalë.
Në po këtë vit, 1946, qeveria e re aplikon një nga reformat që i kishte siguruar komunistëve mbështetjen e fshatarësisë gjatë luftës: reformën agrare. Në fshatin e Fushëbardhës, më pak se dhjetë familje u shpronësuan pjesërisht dhe tokat e tyre iu rishpërndanë shumë të varfërve. Një vit më pas u krijua kooperativa e parë bujqësore, që nuk pati jetë të gjatë për shkak të kontradiktave të brendshme. Në vitin 1956 krijohet një kooperativë e re, duke formalizuar këtë herë ndarjen e fshatit Fushëbardhë me fushat bujqësore të gjendura në Fushëvërri, në anën tjetër të malit. Është një moment kthese në historinë e fshatit. Sikundër do ta shohim, disa nga personat e fotografuar në 1948-ën, janë zhvendosur më pas në Fushëvërri me gjithë familjet e tyre.
Si edhe në rastin e regjistrimeve të zbatuara sipas mënyrës së organizimit dhe frymëzimit sovjetik deri në 1955, pajisja e detyrueshme me letërnjoftim për të gjithë popullsinë mbi gjashtëmbëdhjetë vjeç, duket se rreshtohet me praktikat asokohe në përdorim në BRSS. Në veçanti, letërnjoftimi që paraqitet si një librezë e vogël me disa faqe (nga ku vjen edhe emërtimi i saj aktual si pashaportë), bën pjesë në praktikën e pashaportizimit, frymëzuar nga ajo e aplikuar në BRSS duke filluar që nga 1932-shi me futjen në përdorim të pasaportave të brendshme. Këto i përgjigjen në fakt dëshirës së regjimit sovjetik për të kontrolluar lëvizjet e popullsisë duke bërë të detyrueshëm regjistrimin e vendbanimit (propiska). Në këtë kuptim, fushata e 1948-ës, në të cilën mori pjesë Filip Vito, është bashkëkohëse me institucionalizimin e pasaportizimit në territoret e reja të kontrolluara nga BRSS në fund të Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në vendet baltike. Ndërkohë që karta sovjetike e identitetit, si fillim, nuk është e detyrueshme veçse në disa krahina (qytetet dhe krahinat kufitare ku popullata duhet të kontrollohet më nga afër), ajo përgjithësohet për të gjithë popullsinë gjatë viteve të pas luftës. Është mbi këtë model të përgjithësuar që ajo aplikohet në Shqipëri: që nga fillimi ajo përfshin tërë popullsinë dhe jo një kategori të veçantë.
Institucionalizimi i letërnjoftimit korrespondon gjithashtu me pasaportizimin. Në Shqipëri sistemi i racionizimit, i domosdoshëm për shkak të vështirësive të furnizimeve dhe të situatës ekonomike në përgjithësi, mbështetet gjithashtu mbi pasaportizimin: duhet të jesh i regjistruar si rezident në një lokalitet të caktuar për të përftuar bonot e racioneve. Në letërnjoftim do të përmendet rezidenca që bëhet e vlefshme nga autoritetet e vendbanimit. Vendosja e kartës së identitetit si pjesë qendrore e regjimit të identifikimit, mbart ambiguitete ashtu si edhe fenomenet e ngjashme që shfaqen në Europë që nga shek. XIX. Ajo është detyruese, është një formë e kontrollit nga ana e shtetit, por nga ana tjetër duke garantuar identitetin dhe njohjen e secilit ajo luan gjithashtu një rol në afirmimin e individit duke i hapur atij rrugën për të drejta. Fotografitë e marra nga Filip Vito në Fushëbardhë në 1948-ën dëshmojnë për këtë proces kompleks.
Ato tregojnë individë që i nënshtrohen një skedimi sistematik që nuk ka si qëllim të vetëm identifikimin e tyre si individë: bashkë me pasaportizimin, letërnjoftimi është një mjet kontrolli për lëvizjet e popullsisë; bazuar në modelin sovjetik, ai mbart po ashtu shënimin e
gjendjes shoqërore që, përderisa mundëson identifikimin e origjinës sociale të personit, përbën një armë për luftën e klasave, në formën që ajo nis të vihet në zbatim nga komunistët gjatë atyre viteve. Nga ana tjetër, këto fotografi janë realizuar në një epokë kyç, një kthesë historike për fshatin e Fushëbardhës dhe më gjerë, të të gjithë vendit.
Fushëbardha, një fshat komunist
Në vitet që pasojnë, fshati pëson në fakt transformime ekonomike, veçanërisht me kolektivizimin dhe rigrupimin me fshatra të tjera. Po në atë vit, 1948, një rrugë për makina hapet falë përpjekjeve të ushtrisë. Rruga mundëson që të ketë një linjë autobusi që lidh
Fushëbardhën me Gjirokastrën dy herë në ditë, në vend të katër deri pesë orëve rrugë në këmbë që duhej të bënin banorët e fshatit deri atë kohë. Hapja e një miniere gurësh fosfati (gëlqerorësh fosfatikë) në vitet 1950 transformon po ashtu jetën e banorëve, veçanërisht duke bërë të nevojshëm elektrifikimin e fshatit, realizuar në 1956-ën, falë një gjeneratori të instaluar nga ekipi gjeologjik. Më pas hapet një shkollë profesionale në të cilën vijnë të punojnë njerëz nga jashtë fshatit dhe që u mundëson banorëve të Fushëbardhës dhe fshatrave përreth të gjejnë punë jashtë fshatit të tyre. Më shumë se 300 djem dhe vajza nga Fushëbardha do të ndjekin gjithashtu studimet e mesme gjatë kësaj periudhe dhe 35 prej tyre do të ndiqnin më pas studimet e larta.
Pjesëmarrja e banorëve të Fushëbardhës në çështjet e fshatit e ka origjinën në luftën dhe në bashkimin me rezistencën komuniste: të njëjtët autorë përmendin më shumë se 80 oficerë të dalë nga fshati gjatë viteve të luftës dhe të pas luftës. Një pjesë prej tyre dërgohen në kryeqytet: më i njohuri është Adil Çarçani, lindur në 1922, i cili bëhet ministër i minierave në vitin 1959, zv-kryeministër në 1965 dhe kryeministër i vendit në 1982. Në nivel lokal Fushëbardha njihet si një fshat i privilegjuar ose të paktën si një fshat që kishte marrëdhënie të mira me pushtetin.
Lindja e një filmi
Në momentin kur Viktor Vito na dorëzoi këtë film në maj të vitit 2008, ne gjendeshim në studion e tij. Ai kishte në pronësi një skaner që mundësonte dixhitalizimin e filmit dhe ne menduam që tia kthenim filmin pasi ta kishim skanuar. Por për herë të parë gjatë gjithë kërkimit tonë, u nisëm pa e kthyer filmin. Viktor Vito insistoi të na e japë këtë objekt. Ai na shpjegoi më pas se blloku i indeksimeve të portreteve të fiksuara në këtë film i kishte humbur. Prandaj objekti nuk kishte më vlerë komerciale, për shkak se nëse ndonjë nga banorët do të vinte të k