E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbysje në Brera

Apuntamenti al buio dy foto (fotografi mbi alumin) nga projekti me të cilën Venera mbrojti diplomën në Akademinë e Brerës dhe mori pjesë në Artë fiera Bologna në 2004.

Elsa Demo

E Romës dhe e Brerës? Të dyja Akademitë kanë rëndësi për historinë e artit pamor shqiptar. Aty u formuan piktorë e skulpturë apo thjesht artisti pamor (siç thirret sot) në dy kohë të ndryshme që i ndan 45 vjet regjim komunist. Në vitet 1920-40, në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës gjen Vangjush Mion, Zef Kolombin, Kristina Koljakën, Andrea Manon, Foto Stamon etj. Te vepra e të formuarve në Romë studiuesit dallojnë të përbashkët akademizmin. Ndërsa në Brera tërhiqen ata që janë të prirur për të eksperimentuar. Për periudhën e para luftës rasti tipik është i Ibrahim Kodrës (ka edhe artistë të tjerë pak të përmendur si arkitekti-skenograf Shadan Toptani). Kodra e la Romën për Brerën dhe aty, në Milano, jetoi deri në fund të jetës. Tërheqja ndaj të quajturës Akademia Liberale e Brerës është e dukshme pas nëntëdhjetës. Nuk janë pak studentët e artit figurativ që dalin këtë kohë nga Instituti i Lartë i Arteve dhe largohen nga Shqipëria për të ndjekur sërish studimet. Ornela Vorpsi, Eltjon Valle pak më vonë, Venera Kastrati etj. Kush për studime të plota e kush për përvoja kalimtare për ekspozim apo dialog mbi artin bashkëkohor që mjedisi i Akademisë së Brerës ofron.

Se si ndikuan kushtet e reja në Brera te një i ri që vinte nga Shqipëria, e tregon Venera Venera Kastrati e diplomuar me sukses në vitet dymijë. Më 3 shkurt ajo ishte e ftuar nga Akademia për një bisedë me artistin nën drejtimin e prof. Pierluigi Buglioni. Konferenca kishte për simbol një foto të vajzës në shilarës, një imazh që del nga fëminia e Venerës në Shqipëri.

Vijnë vazhdimisht njoftime nga vende të ndryshme të Evropës për ekspozita të tuat. Kësaj radhe po qëndron për një artist talk në qytetin tënd Milano, në Akademinë ku ke studiuar dikur, në Brera. Përse ky stacion tani, këtu?

Akademia e Brerës ka një rëndësi të madhe për mua për shkakun e asaj ure lidhjeje që krijoi midis edukimit tim të mëparshëm në Tiranë e asaj të pas 98-ës në Itali. Me këtë vend me lidhin kujtime shumë të bukura. Ftesa për të mbajtur këtë konferencë mu ofrua nga Profesor Pierluigi Buglioni. Një takim i rastësishëm midis nesh shkaktoi këtë rast të veçantë për mua, një rikthim në Brera, por këtë radhë në një pozicion të ri. Në katedër përballë studentëve, për të ndarë eksperiencën time si artiste në formën e një artist talk. Në shtator të 2010-ës kisha patur një tjetër takim në kësaj natyre në Berlin, por emocioni ishte i pakrahasueshëm me konferencën që sapo dhashë në Brera.

Ky vend që shkaktoi tek unë vite më parë ndjesi dhe shpresa të reja, dhe i hapi rrugën kërkimeve artistike nga më kuriozet. Akoma sot arsimimi në këtë akademi luan një rol të veçantë në zhvillimin e punëve të mia.

Prof. Buglioni, prej të cilit më erdhi ftesa, ka qenë profesori im i anatomisë dhe një nga relatorët e tezës sime në Brera, ku u diplomova në 2004. Në atë vit kisha realizuar projektin Appuntamenti al buio (Takim në errësirë) bashkë me videon Not choose not to be (Të mos zgjedhësh, të mos ekzistosh) ku për herë të parë ishte prezantuar në The Balkans – a Crossroad to the future në Arte Fiera Bologna e kuruar nga Harald Szeemann në 2004, vetëm pak muaj përpara mbrojtjes së diplomës. Appuntamenti al buio ndër të tjera ishte një pjesë e kërkimeve që pata bërë për tezën në Brera. Tema kryesore ishte mbi kinemanë e psikanalizën. Në fakt ishte edhe një nga diskutimet e mia në konferencë që u shoqërua me projektim imazhesh e video.

Ndalemi te ky takim për rëndësinë e vendit ku ai zhvillohet. Akademia e Brerës është një emër që i thotë diçka historisë së artit pamor shqiptar. Aty janë formuar moderne klasikë dhe bashkëkohorë. Sidomos të rinj që dolën pas nëntëdhjetës nga Akademia e Arteve në Tiranë synuan të edukohen në Brera. Kishe pasur ti në mendje një “mit” të Brerës?

Ke të drejtë. Ndihem me fat të kem kryer studimet në këtë akademi, por në rend ashtu siç edhe rrodhën ngjarjet, mbas studimeve të akademisë së Tiranës. Por për këtë do të flas pak me poshtë. Për sa i përket mitit, le të them që në një farë mënyre është Milano që më zgjodhi mua e jo e kundërta. Në ato kohë mendja ime fluturonte shumë larg. Mundësitë ekonomike dhe kushtet politike jo të favorshme si për Shqipërinë por edhe për shqiptarët në Itali, në vitet e para të arritjes time në Milano, krijonin më së pari aventura të vështira që kishin të bënin me kurimin e vetvetes e mbijetesën. Pikërisht ky moment nga ana tjetër favorizoi studimet e mia në Brera. Për atë kohë ishte nevojë urgjente për mua të hyja në komunikim me artin aktual italian. Të krijoja menjëherë e pa humbur kohë atë lidhje të menjëhershme midis formimit tim artistik në Tiranë e artit në Milano. Urgjencë për të njohur gjithashtu artistët bashkëkohorë dhe lëvizjet artistike jo vetëm në Milano por edhe jashtë saj. Ishte etja për art dhe për miq të rinj artistë që ndanin të njëjtat pasione me mua. Dhe Brera ishte vendi ideal. Ishte vendi ku historikisht janë fermentuar artistët më të njohur në nivelin internacional.

Padyshim, duke patur mundësinë të studioja menjëherë pas diplomimit tim në akademinë e Tiranës, ruaja akoma të freskëta të gjitha njohuritë teorike dhe praktike mbi artistët italian të periudhës së artit Gotik, Rilindjes, Barokut, e atyre të fillimit të shekullit të XX. Ndihesha me shumë fat që të mund të shihja për së afërmi veprat e artistëve si Giotto, Tiziano, Botticelli, Masaccio, Michelangelo, Leonado da Vinci, e për të arritur deri tek artistët e shek. XX si Modigliani e De Chirico. Ishte gjithë ajo që njihja vetëm teorikisht nëpërmjet akademisë së Tiranës. Kështu Milano i jepte një kuptim të fortë qëndresës dhe studimeve të mia këtu.

Fakti që të mund të vizitoja që ditën e parë Duomon e Milanos, një nga simbolet më të rëndësishme të artit gotik, e të kisha në të njëjtën ndërtesë ku studioja Galerinë e Brerës ku mund të mahnitesha nga kontakti direkt me veprat e Caravaggios, Hayez e Boccionit ofronin sigurisht shanse të mëdha e stimuluese për mua. Në një farë mënyre ishte sikur të takoje këta artistë personalisht. Artistë që kisha njohur nëpërmjet librave e imazheve që profesorët në akademinë e Tiranës e në liceun artistik gjenin e mblidhnin me vështirësi për ne studentët. Ndonjëherë ishin edhe materiale që kalonin fshehurazi. Profesorë të apasionuar, që bënin të pamundurën për tu ofruar diçka më shumë nxënësve nga pamundësia e lirisë së formimit dhe e shprehive artistike në periudhën e diktaturës që ata vetë kishin kaluar.

Nga kjo dije e pasigurtë e me frikë në Tiranë, në bollëkun e informacionit e të praktikës së teorisë në Brera, çfarë ndodhi me ty?

Kontakti i parë me Akademinë e Brerës ishte shumë i fortë po edhe violent. Mendja ime ishte si një sfungjer, e gatshme për të marrë çdo lloj informacioni të ri dhe fillimisht pa e filtruar. Ndjeja nevojë të përmbysja dijenitë e mia të fituara nga edukimi i artit klasik e modern në Akademinë e Tiranës e të magazinoja njohuri të reja, shumë të ndryshme nga ato të mëparshmet. Përdora fjalën violent që më dukej më e përshtatshme për situatën edukative që jetoja në vitin e parë që studioja në Brera. Edukimi artistik në akademinë e Tiranës, ashtu siç edhe e përmenda pak më lartë prekte teorikisht vetëm vitet e para të shekullit të XX. Ndërsa në Milano atmosfera artistike bashkëkohore ishte shumë më larg mentalitetit e formimit tim akademik të atëhershëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›