E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet e rralla, rimbursim nga të ardhurat dytësore

Mbyllen tenderët e Spitalit Universitar të Tiranës, pritet të firmosen kontratat me firmat farmaceutike

Një lajm i mirë për pacientët që trajtohen në spital është për blerjen e ilaçeve. Të paktën deri në fund të vitit, të sëmurët që paraqiten në spital do të kenë të zgjidhur çështjen e barnave. Ndërkohë që grupet e pacientëve që vuajnë nga sëmundje specifike do të përfitojnë rimbursim nga të ardhurat dytësore, si dhe fonde të hequra veç nga administrata spitalore.

Drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka përfunduar tenderimet për barnat e këtij viti. Aktualisht procedurat e blerjeve janë në fazën e lidhjes së kontratave me firmat farmaceutike. Menjëherë pas kësaj pritet furnizim sipas listës së planifikuar të spitalit, e cila sipas QSUT-së këtë vit është më e gjerë si gamë ashtu edhe në përmbajtje. Në listën e blerjeve janë përfshirë ilaçe terciare në përshtatje me natyrën e shërbimit spitalor të “Nënë Terezës”. Citostatikët janë 60% më shumë, po kështu edhe paketa bazë e barnave është 40% në rritje. Plot 60% e buxhetit total të QSUT këtë vit do të përdoret për barna. Lista e barnave është tenderuar në bazë të kërkesave të shërbimeve. Mungesat e hasura deri më tani në spital kanë të bëjnë me disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë. “Ajo që desha të theksoj është se pavarësisht se mund të jenë të paplanifikuara disa barna, ne do t’i sigurojmë me çdo kusht ato, duke përdorur të ardhurat dytësore dhe disa rezerva të tjera që do të krijohen gjatë tenderimeve”, theksoi kreu i qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Ilir Dashi.

Sipas tij, për materialet e mjekimit janë marrë masa për plotësimin e nevojave më emergjente brenda qershorit. Muajin e ardhshëm përfundojnë procedurat elektronike për të gjithë sasinë vjetore. Në bilancin e punës të përfunduar, referuar dje nga kreu i “Nënë Terezës”, është mbyllur procesi i realizimit të kontraktimit me firmat kombëtare dhe ndërkombëtare për mirëmbajtjen e aparaturave. Sipas marrëveshjeve të lidhura këtë vit, firmat janë të detyruara të rikthejnë në gjendje pune aparaturat e prishura, apo ato që kanë paraqitur defekt, brenda 24 orëve, në rastet kur pajisjet janë të veçanta dhe duhet të vijnë nga jashtë shtetit, brenda një jave.

Janë plot 90 aparatura që tashmë kanë kontratë të plotë mirëmbajtjeje.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›