E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dokumentar mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

TIRANE - Shqipëria është dy hapa para marrjes së statusit të vendit kandidat. A do t'ia dalë vendi të hapë portën që e çon në gjirin e familjes europiane? Rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Ajo është e mbushur me shanse të humbura, të papritura, arritje, por mbi të gjitha sfida. Kjo është esenca e dokumentarit të parë të plotë që realizohet mbi rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

Ky dokumentar vjen pikërisht në një vit të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian, të cilët priten të festojnë së bashku disa momente speciale. Së pari: mbushen plot 20 vite (1992-2012) nga vendosja e marrëdhënieve kontraktuale midis tyre. Së dyti, këto 20 vite përfaqësojnë edhe 20 vitet e konsolidimit të shtetit demokratik shqiptar dhe së treti, ky vit shënon edhe 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Përkimi i këtyre tre ngjarjeve të fuqishme për një komb të vogël si Shqipëria, ka frymëzuar gazetaren Erisa Zykaj, e cila jeton në Bruksel prej 12 vitesh, të realizojë këtë dokumentar të titulluar "Shqipëria: Rruga drejt BE-së". Ai ka një format prej 52 minutash dhe mbështet në tre boshte kryesore, që korrespondojnë me periudhat kyçe të rrugës së Shqipërisë drejt aspiratave të saj europiane: 1992-1996; 1997-2003 & 2005-2012. Fakte interesante, pikëpamje dhe përshtypje do të paraqiten nga rreth 30 përfaqësues të ndryshëm të rangjeve më të larta të Komisionit Europian, Parlamentit Europian, shteteve anëtare të BE-së, shoqatave joqeveritare dhe shtypit.

"Kjo është vepra e parë audiovizuale që synon ta njohë në mënyrë tërësore publikun shqiptar me shanset e humbura, të papriturat, sukseset dhe sfidat e Shqipërisë drejt destinacionit të saj natyral: familjes së madhe europiane. Ajo i jep përgjigje kureshtjes së shumë shqiptarëve, që artikulohet në mënyrë shumë të thjeshtë: Si i ka parë dhe i sheh Bashkimi Europian shqiptarët. Dokumentari ofron një analizë të vërtetë në këtë drejtim. "Qëllimi im është që brezat e rinj ta njohin rrugën tonë drejt BE-së, sepse kjo është edhe rruga e vendit drejt demokracisë", - shton Zykaj. Dokumentari fillon me një dëshmi të jashtëzakonshme të të dërguarit të parë të Komisionit Europian në Shqipëri në vitin 1992, italianit A.MC (po jap vetëm inicialet për të mos shuar kureshtjen para kohe). "Mësova se ky është personi i parë që i ka propozuar Komisionit Europian që t'i japë Shqipërisë statusin e vendit të asociuar që në vitin '94. Dhe imagjinoni që ky status ishte një privilegj për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në atë kohë. Për më tepër, kjo është hera e parë që ai prononcohet për median rreth kësaj teme", - thotë Zykaj. Sipas saj, këto momente do të shoqërohen nga pamje të rralla të Shqipërisë së 1992-shit, pamje që shumë nga ne nuk i njohin ose që koha i ka fshirë nga kujtesa. Dokumentari ndalet edhe te viti shkatërrues i 97-ës, impaktin e saj dhe fenomenet negative me të cilat vendi përballet më pas, si dhe zgjedhjen konsensuale të presidentit në 2002-in që u hap rrugën negociatave për MSA dhe më pas nënshkrimit të kësaj të fundit në 2006-ën. Një vend i konsiderueshëm u lihet arritjeve të viteve të fundit si liberalizimi i vizave në 2010-ën, çlirimit të Shqipërisë nga imazhi mbytës i krimit, korrupsionit dhe trafiqeve ilegale dhe prezantimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat. "I tërë dokumentari përshkohet nga ideja se Shqipëria ka një kapacitet të madh, energji të jashtëzakonshme dhe dinamizëm, që shpërndahen shpesh në drejtim të gabuar.

Marrëdhënia konfliktuale e dy forcave më të mëdha në vend dhe mungesa shpeshherë e vullnetit politik i ka humbur jo pak kohë integrimit të vendit. Nëse energjia pozitive e Shqipërisë do të ishte kanalizuar pa ndërprerje në drejtimin e duhur, vendi do të kishte bërë mrekullira. Madje të gjithë thonë se nëse Shqipëria e kalon testin e pjekurisë politike, vendi mund të ecë më shpejt nga të gjitha vendet e rajonit në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në BE", - thotë Zykaj. Idealja sipas saj do të ishte shfaqja e këtij dokumentari në universitete, konferenca dhe evenimente të ndryshme, me qëllim nxitjen e debatit të gjerë. Kjo do ta çonte debatin mbi integrimin në një nivel të ri.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›