E Diel, 1 Nëntor 2026

Lala e bën zyrtare: Do firmos me Bajern Mynih!

TIRANE - Transferimi i Altin Lalës te Bajern Mynih II tashmë është një lajm zyrtar. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë mesfushori shqiptar, në një intervistë dhënë të përditshmes më të madhe gjermane, "Bild", ku ai ka konfirmuar edhe entuziazmin e tij për këtë aventurë të re. Pas 14 vjetësh te Hanoveri, mendohej se Lala do t'i jepte fund karrierës në fund të këtij sezoni, duke parë edhe moshën e tij 36-vjeçare. Por, oferta e ardhur nga një klub gjigand si Bajerni edhe pse bëhet fjalë për skuadrën e dytë, e ka joshur tej mase. "Po, e kam vendosur. Do të luaj me Bajernin e Mynihut", është shprehur Altin Lala. Kjo skuadër nga sezoni i ardhshëm do të drejtohet nga dyshja Mikael Tarnat-Mehmet Sholl, dy persona që e njohin mjaft mirë ish-kapitenin e Hanoverit. Bashkë me Lalën, drejt këtij ekipi do të udhëtojë edhe Tobias Shvajnstajger, vëllai i madh i Bastian Shvajnstajger. "Javën tjetër do të fluturoj drejt Mynihut për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas do të firmos kontratën e re", ka sqaruar ish-kapiteni i Shqipërisë. Lala do të nënshkruajë një kontratë 1-vjeçare me ekipin e dytë të Bajernit, që tashmë luan në kategorinë e katërt të Gjermanisë. "Jam shumë i gëzuar që kjo marrëveshje po bëhet realitet", thotë më tej ai.
Familja
Ndërkohë, problemi më i madh në këtë lëvizje, duket familja e Lalës. Gruaja e tij Viktoria priste që mesfushori t'i jepte fund karrierës dhe t'i përkushtohej më shumë jetës familjare, por një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë që këtë vit. Lala thotë se pavarësisht kësaj, gruaja dhe dy fëmijët Gabriela e Kataldo, e kanë mbështetur zgjedhjen e tij. "Ata do të qëndrojnë në Hanover, por nuk do të kemi probleme të takohemi, - thotë Altin Lala. - Duhet ta dini se para së gjithash unë jam futbollist dhe karrierën mund ta mbyll vetëm njëherë. Atëherë gjithçka merr fund", shton ai.
Hanoveri
Largimi nga Hanoveri nuk duket aq i lehtë për Altin Lalën, pasi ai ka qenë një hero i vërtetë në këtë qytet. Për 6 vjet, mesfushori shqiptar ka mbajtur shiritin e kapitenit, megjithatë duket se periudha e tij në këtë skuadër ka përfunduar. Këtë sezon, Lala ka luajtur në total 281 minuta, ndërkohë që në muajin shkurt u pezullua nga trajneri Mirko Slomka për një sherr me ndihmësin e tij. Tashmë ai do të luajë vitin e fundit të karrierës, duke "futur këmbët" në një klub të madh si Bajerni edhe pse me ekipin e dytë. Ndoshta e ardhmja mund të rezervojë një vend si drejtues për shqiptarin, që është një prej lojtarëve më me eksperiencë në Bundesligë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›