Nje e diel me dy derbi

E diela është elektrizuese, aq sa e shtuna që sapo kaloi ia ka shumë zili, ndërsa kishte mbetur si një ishull i vdekur e pa jetë. Ku doni të shkoni më parë? Në cilin kanal doni ta çoni televizorin? Nuk do të lodheni shumë për këtë të dytën, pasi kanalet do të jenë pranë e parë.
Ndërsa mbrëmja do të jetë duke rënë, saktësisht në orën 19:50, në kryeqendrën e Katalonjës do të bëhet gati të nisë superderbi i Spanjës, “El Klasiko” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit.
Një ndeshje sy më sy jo vetëm e dy “armiqve” më të mëdhenj të historisë, por edhe në një moment kur Katalonja po përpiqet më shumë se kurrë që të shpallë pavarësinë e saj. Një atmosferë krejt ndryshe, edhe në një përballje kaq tradicionale ku gjithçka dihet thuajse përmendësh.
Mesi me shokë do të përpiqen të thyejnë “bandën” e Kristiano Ronaldos në një takim ku ndodhen dy goleadorët më të mëdhenj të historisë së “El Klasikos” dhe dy ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve të futbollit.
Superambiciozi Zhoze Murinjo me gjithë trofetë e tij të shumtë dhe përvojën e madhe do të ndeshet me rioshin Tito Vilanova, një trajner që i ka 14 kupa të fituara, por të gjitha si i dyti i fenomenit Pep Guardiola.
E ndërsa në Spanjë do të ketë përfunduar pjesa e parë dhe do të kenë kaluar disa minuta të pushimit të ekipeve në “Kamp Nou”, në Lombardi, kuqezinjtë e Milanit dhe zikaltërit e Interit do të jenë duke i dhënë dorën njëri-tjetrit për derbin e “Madoninës”.
Një tjetër sfidë emocionuese, mes dy skuadrave tepër të ndryshme edhe pse të ngjashme në projektin rindërtues dhe dy trajnerëve që bëjnë kontrast me ekipet që drejtojnë.
Një Inter me shumë përvojë dhe më pak shpejtësi përplaset me një Milan me një fytyrë që sot nuk njihet më dhe me heronj të rinj si El Sharaui, Boateng apo Montolivo. Një Alegri në versionin e profesorit përballë një nxënësi të shkëlqyer si Andrea Stramaçoni.
Nga ora 20:45 deri në 21:30 apo pak minuta më përtej vëmendja do të jetë ndarë më dysh, mes “Kamp Nout” dhe “San Siros” dhe më fatlumët do të jenë ata qindra mijëra apo miliona që do të kenë zgjedhur për ta shijuar këtë darkë tepër klasike nëpër lokalet e basteve, ku ekranët e sheshtë plazmorë janë të panumërt për të parë çdo gjë që dëshiron.
Menuja e së dielës mbrëma do të jetë vërtet e rrallë. Më shumë cilësi e klas në Spanjë, pasi askund tjetër nuk mund të gjesh Mesin, Ronaldon, Ksavin apo Kasijasin në të njëjtën skenë, ndërsa në Milano do të ketë pasion pa fund, luftë të ashpër të futbollit modern përzier me duelet dhëmb për dhëmb tipike italiane.
Në fund, ndërsa ndeshjet do të kenë përfunduar, debatet do të jenë më të shumta se kurrë, në një kombinim dëshirash që ta imponojnë dy përballjet, ku do të ketë shumë tifozë me ndjenja të përziera lumturie e dhimbjeje dhe më pak tërësisht të trishtuar.
Por, një gjë është e sigurt: Futbolli do të jetë një fitues i madh. Më e bukur se kjo e diel do të jetë vetëm ndonjë tjetër ku derbit të jenë edhe në Gjermani dhe në Angli. Por, derisa të vijë ajo, le të kënaqemi me të dielën e spektaklit në Barcelonë e Milano.