E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilanova i permbajtur

Pozicioni në renditje e bën të qetë. Diferenca me Realin po ashtu. Veçse, Tito Vilanova, trajneri i Barcelonës e di se do të duhet një përpjekje titanike për të thyer skuadrën madrilene që vjen sonte në Katalonjë për një tjetër “El Klasiko”, këtë herë për kampionatin. Vilanova pyetet për fitoren e famshme 5-0 të vitit 2010.
“Jo të gjitha ndeshjet mund të fitohen 5-0. Ajo që ndodhi para pak vjetësh ishte e jashtëzakonshme. Nuk mund të harrojmë se Reali ka një skuadër shumë të mirë, që ka kushtuar shumë më tepër miliona sesa kjo e Barcelonës. Është e pamundur të fitohet gjithnjë, por për një ekip si Barça duhet të jetë normale që të ketë seri të gjata ndeshjesh të fituara. Sa për aspektin politik, le të diskutojmë në vend tjetër. Sot do të luajmë futboll”, tha Vilanova. Vilanova ka jo pak probleme, pasi Iniesta, Fabregas, Sançez e Pedro luftojnë për dy vende në formacion. Po ashtu, Pike mbetet me dyshim për shkak të dëmtimit.  “Është e vështirë të thuhet saktësisht se cili do të jetë formacioni. E sigurt është vetëm se do të luajmë me 11 vetë. Fabregas apo Sançez? I respektoj pa masë pasi refuzuan oferta me më shumë para për të qenë tek Barça. Konkurrenca është e madhe. Sa për Pikenë, varet nga gjendja e këmbës së tij. Jam kundër gjilpërave për ta bërë të luajë. Pike do të na duhet shumë në të ardhmen sidomos pas dëmtimit të Pujolit”, deklaroi ai. Ai nuk e ka fituar ende një trofe ndaj Murinjos si trajner i parë, ndërsa në kohën e Guardiolës fitoi pa fund. As sot nuk luftohet për një kupë, por hidhen bazat për të ngritur kurorën e La Ligës majin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›