E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një e papritur në BB. Domenika është shtatzënë!

Domenika i tregon Seldit një test shtatzënie, i cili ka dalë pozitiv. Ajo pret një fëmijë. Të dy shprehen se është diçka e papritur për ta. Seldi përpiqet ta qetësojë Domin, ndërsa ajo shprehet se ata vetë janë ende të parritur dhe e pyet djalin nëse ai është gati që të rrisë një fëmijë

çifti Domenika e Seldi është në qendër të vëmendjes dhe diskutimeve. Një lajm i papritur ka ardhur për të dy ata. Domenika është shtatzënë. Të papërgatitur për situatën që do t’u ndryshojë të ardhmen, ata nuk dinë si të reagojnë, por duket se kanë gjetur përkrahjen te banorët e tjerë, edhe pse fillimisht kanë dyshuar se mund të bëhej fjalë për një shaka me rastin e 1 prillit, ditës së gënjeshtrave.

Seldi i shpreh dashurinë Domit

Seldi dhe Domenika janë në dhomë dhe Seldi shprehet se ai nuk e kishte menduar asnjëherë se do të dashurohej brenda shtëpisë së “Big Brother”. Ai thotë se e kishte çuar nëpër mend se mund të lidhej me një vajzë që mund ta pëlqente, por jo që do të arrinte të dashurohej, aq më tepër me një vajzë si Domi dhe nuk mund t’ia lejonte vetes që ta humbte. Domi e pyet se mos ai mendon se është pak shpejt që të thotë fjalën të dua dhe ai përgjigjet se nuk i duket aspak kështu dhe ai i thotë gjërat atëherë kur i ndjen. Seldi e pyet nëse dhe ajo ndjen të njëjtën gjë dhe Domi shprehet se akoma nuk është e sigurt. Seldi shprehet se jashtë ajo do të ndjejë patjetër për të, por nuk ka pse të mos ndodhë që tani. Domi e pyet se sa i sigurt është për ndjenjat që deklaron dhe ai thotë që është njëqind për qind, dhe sikur të ishte nëntëdhjetenëntë për qind, nuk do t’ia thoshte. Ai pohon se e ka shumë të vështirë të dojë një femër dhe i ka ndodhur vetëm një herë përpara Domit. Seldi shton se ai nuk donte ta çonte dëm dashurinë që kishte për të dhe nuk mund ta shikonte dot Domenikën si shoqe. Ai shton se ata kanë shumë të përbashkëta si në jetën jashtë, ashtu dhe në veprimet e përditshme. Më pas ai i tregon për lidhjen që ka pasur më parë dhe për vajzën që ka dashur.

Një e papritur për Domenikën dhe Seldin

Domenika del nga dhoma e rrëfimit me një zarf në dorë, e shoqëruar nga Seldi dhe menjëherë shkon të shtrihet në krevatin e saj e mërzitur. Seldi përpiqet që ta qetësojë, por ajo duket vërtet e mërzitur dhe vetëm shprehet se nuk mund ta besojë këtë gjë, pa dhënë sqarime se çfarë ka ndodhur. Banorët e tjerë e shikojnë këtë situatë dhe bëhen kuriozë, ndërsa Seldi e këshillon që të ketë kujdes e të mos diktohet nga banorët, pasi ata nuk kanë pse ta marrin vesh. Olta duke vënë re sjelljen e Domit dhe zarfin, mendon se aty mund të ketë ndonjë lajm të keq, por shprehet se ndoshta është ndonjë shaka, sepse po afron 1 prilli, dita e gënjeshtrave, por si Domi dhe Seldi nuk qetësohen aspak pas kësaj fjale. Seldi i kërkon Domit që të qetësohet, ndërsa ajo ia kthen me pyetje, nëse është i qetë edhe ai, duke nënkuptuar se situata i përfshin të dy. Olta i shkon afër dhe e pyet, por ajo i thotë se nuk flet dot. Banorët kureshtarë fillojnë të pyesin njëri-tjetrin se çfarë e mundon Domin, por askush nuk mund të japë një përgjigje përveçse e ka nga letra që mori. Domi dhe Seldi dalin në kopsht e ndërsa pinë cigare të shqetësuar, diskutojnë për atë që po u ndodh. Domenika i tregon sërish përmbajtjen e zarfit, një test shtatzënie, i cili ka dalë pozitiv. Të dy shprehen se është diçka e papritur për ta. Seldi përpiqet ta qetësojë Domin, ndërsa ajo shprehet se të dy janë fëmijë e ndërkohë e pyet atë nëse është gati që të rrisë një fëmijë. Të dy nuk po arrijnë të mësohen me idenë, ndërkohë që banorët e tjerë vijnë e pyesin se çfarë ka ndodhur, por nuk marrin përgjigje nga asnjë prej tyre. Seldi mendon se kjo është një çështje që u përket vetëm atyre të dyve dhe të tjerët nuk kanë pse ta marrin vesh, por Domi thotë se herët a vonë do e kuptojnë. Ata vazhdojnë të flasin për këtë të papritur dhe se si do u ndryshojë jeta që këtej e tutje, pasi një fëmijë është përgjegjësi e madhe dhe në zërin e tyre dallohet shqetësimi për ngjarjen që u ka ndodhur.

Domenika rrëfen shqetësimin tek Olta dhe Klodi

Domenika vazhdon të qëndrojë e mërzitur. Pranë saj shkon Olta dhe duke u interesuar se çfarë ka, Domenika pranon që t’i rrëfejë se dyshonte se mund të kishte mbetur shtatzënë dhe ky dyshim u konfirmua pas një testi që i doli pozitiv. Ajo flet për shqetësimin e saj dhe mënyrën se si e priti Seldi, njësoj si ajo. Domi tregon se Seldi kishte shprehur dëshirën dhe kishte insistuar që ta mbanin fëmijën, duke arsyetuar se ai duhet të rritet me të dy prindërit, jo si ata në mungesë të babait. Ajo tregon se edhe banorët e tjerë ishin interesuar për gjendjen e saj, por Olta e këshillon që të mos i thotë njeriu mbi këtë ndodhi dhe Domenika pohon, ndërsa Olta mendon se nëse të tjerët e marrin vesh, mund ta përdorin kundër saj. Domenika tregon se Seldi kishte menduar që ta linin fare këtë lojë e të dilnin nga “Big Brother” dhe këtë gjë po e mendon edhe ajo. Domenika ia tregon testin edhe Klodit, duke shprehur shqetësimin e saj. Ai e këshillon që ta mbajë fëmijën. Më pas, Domenika rri vetëm me Seldin dhe të dy vazhdojnë të flasin për fëmijën dhe se si po e përjetojnë këtë moment të veçantë.

Seldi dhe Mandi, për zarfin

Më në fund, Domenika dhe Seldi dalin jashtë që të bashkohen me të tjerët. Në një moment Seldi hyn në kuzhinë dhe aty vjen edhe Mandi. Ky i fundit fillon ta pyesë Seldin për përmbajtjen e zarfit që morën në dhomën e rrëfimit. Mandi e pyet se me cilin prej tyre ka të bëjë zarfi dhe Seldi i përgjigjet se ka të bëjë me diçka që i përfshin të dy. Seldi i kërkon Mandit që të mos mërzitet se ai ndihet aq keq sa nuk do as të flasë, as të luajë. Mandi i thotë se shpreson që të mos jetë ndonjë gjë e madhe dhe më pas i thotë “edhe sikur, s’ke pse mërzitesh”, duke lënë të kuptohej se ai dyshonte se e gjithë kjo ishte një shtatzëni e paparashikuar, pasi e ilustron edhe me gjeste. Seldi e pyet nëse i ka thënë njeri ndonjë gjë që Mandi mendon se është ky problemi. Mandi i betohet për vajzën e tij se askush nuk i ka thënë gjë, por se ai e mendoi vetëm ngaqë Seldi i tha se është një problem që i përfshin të dy. Pas kësaj, Seldi e pranon se problemi është një fëmijë mes tyre dhe fillon që t’i tregojë Mandit se ndjehet shumë keq, pasi nuk e kishte menduar asnjëherë këtë gjë në këtë moment. Mandi e sheh që Seldi është mërzitur dhe e këshillon që ta marrin më me qetësi dhe të kërkojnë që të konsultohen me një mjek. Seldi i thotë se ai nuk e di nëse do arrijë që ta përballojë këtë situatë dhe më pas ekzistencën e një fëmije, pasi ka një moshë të re dhe një të ardhme të pasigurt. Seldi thotë se ai e do shumë Domenikën dhe do ta mbështesë gjithmonë, do të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por nuk arrin ta besojë që një gjë e tillë ka ndodhur vërtet. Mandi i thotë se nuk duhet të shqetësohen, por të mundohen që të vendosin me qetësi për gjithçka të mëtejshme në jetën e tyre.

Erioni dhe Olta

Banorët kanë rënë të flenë, ndërsa Olta është shtrirë pranë Erionit dhe herë pas here shkëmbejnë puthje dhe përqafime. Në një moment Erioni i thotë Oltës se ndoshta në këto momente Bledi mund të jetë duke i parë dhe ndoshta do të mërzitej teksa shihte Oltën në krahët e Erionit. Olta e pyet nëse kjo kishte qenë arsyeja që ai i kishte qëndruar larg asaj, por Erioni i thotë se thjesht po mendonte për Bledin, por nuk ka lidhje me qëndrimin e tij ndaj Oltës. Olta thotë se Bledi ka shkuar te krevati i saj vetëm për të biseduar dhe asnjëherë krevatet e tyre nuk kanë qenë të bashkuar, jo më të kenë fjetur bashkë. Më pas Erioni bën shaka me të duke e ngacmuar për Klodin, i cili thotë gjithmonë “unë me Oltën jemi kopja e vetme në BB”.

Reagimet e banorëve për shtatzëninë e Domit

Seldi i rrëfen Edit të vërtetën për mërzitjen e tij dhe të Domenikës. Edi vetëm rri dhe e dëgjon, ndërkohë që Seldi tregon për ngjarjen. Ai thotë se Domi ka filluar që çdo fjalë në lidhje me fëmijën t’ia marrë për ters, sikur ai të donte që të ndodhte. Ai thotë se po përjeton një ndjesi ndryshe dhe se kur kishte dëgjuar për situata të ngjashme, nuk e kishte besuar se mund të ndihej kështu. Kur Edi e pyet se çfarë do ndodhë tani, Seldi tregon se ka marrë një vendim: ta mbajnë fëmijën, edhe pse shprehet se janë të dy të vegjël e nuk kanë të ardhme të sigurt. Ai shprehet se tani nuk di më se ku ta mbajë mendjen, te vetja, Domi apo fëmija dhe shton se lojën në BB nuk e mendon më. Ai herë pas here thotë nga një fjalë, duke shprehur shqetësimin e duke treguar se për fëmijën do bëjë gjithçka dhe se nuk e mendon aspak abortin apo ta braktisë, sepse nuk do që fëmijës t’i mungojë babai, ashtu sikurse atij dhe Domit. Me ta bashkohet edhe Tatiana, ndërsa Seldi u tregon momentin se kur kanë pasur marrëdhënien. Edi duket dyshues dhe i thotë se nëse është gënjeshtër e ditës së sotme, nuk duhet ta çojë më tej, sepse nuk mund të bëhet shaka me këtë gjë, por Seldi e bind se nuk është e tillë. Këtë ngjarje e mëson edhe Tatiana, por ajo shprehet se ata duhet të mbajnë përgjegjësitë e të mos e mendojnë si diçka të keqe. Në fjalët e saj vihet re qortimi kur ajo i thotë Seldit se në shekullin ku jetojnë, nuk u falet që të ndodhin shtatzëni të padëshiruara, kur ka shumë mënyra për t’u mbrojtur. Edhe Edi i jep kurajë duke i thënë se janë gjëra që ndodhin, ndërsa Seldi shprehet se të paktën i ndodhi me njeriun që do. Banorët, ata që e dinë, fillojnë ta komentojnë me njëri-tjetrin këtë rrëfim të papritur. Edi vazhdon të dyshojë se mund të jetë lojë, por Klodi mendon se është e vërtetë. Edhe Olta është dyshuese. Më pas, Klodi dhe Olta diskutojnë për banorët që e mësuan këtë lajm. Olta thotë se e kishte këshilluar Domin të mos tregonte, por Klodit i duket diçka jo normale, pasi i gjithë publiku e di tashmë. Klodi tregon se Seldi është tepër i mërzitur, po e vuan këtë lajm dhe se i duket i lëkundur. Ai e justifikon sjelljen tij duke thënë se është i ri. Aty vjen edhe Domenika dhe banorët vazhdojnë diskutimet për shtatzëninë e saj. Klodi ia thotë në sy se kjo mund të jetë një lojë për 1 prillin, por Domenika trishtohet nga këto fjalë, preket e fillon të qajë. Seldi i shkon pranë dhe e qetëson, ndërsa më vonë, Klodi e merr pranë dhe e mban afër, duke i kërkuar falje për fjalën që tha.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›